50-vjetori i vizitës së Palit VI në Tokën e Shenjtë
Para 50 vjetësh, nga data 4 deri më 6 janar 1964, Pali VI bëri shtegtimin apostolik
në Tokën e Shenjtë, gjë që shënoi një etapë themelore në udhën drejt bashkimit të
Kishës. Përqafimi emocionues, në Jerusalem, ndërmjet Ipeshkvit të Romës, Pali VI,
dhe Patriarkut të Kostantinopojës, Atenagora, do të mbetet i paharrueshëm. Ishte para
se të zhvillohej Lufta e Gjashtë Ditëve, në një kontekst politik krejtësisht tjetër
nga konteksti i sotëm. Pali VI e kishte shprehur dëshirën për një udhëtim të tillë
në shtator të 1963-shit, tre muaj pasi ishte zgjedhur dhe një javë para rifillimit
të punimeve të Koncilit, që kishte hapur paraardhësi i tij, Gjoni XXIII. Një udhëtim
thellësisht fetar, theksoi ai vetë, një udhëtim i shkurtër, i thjeshtë, i karakterizuar
nga devocioni, pendesa dhe dashuria. Përgatitjet u bënë me fshehtësinë më të madhe,
për shkak të rrethanave të ndërlikuara politike e fetare. Pali VI e dha lajmin zyrtar
më 4 dhjetor, përpara kuvendit konciliar. Kthimi tek gurrat e fesë Synimi i
Papës ishte kthimi tek gurrat e fesë së krishterë dhe të jetës së Kishës, për t’i
blatuar Krishtit Kishën e tij, për t’i thirrur vëllezërit e ndarë të marrin pjesë
në një Kishë të vetme e të Shenjtë dhe për t’u lutur për paqen. Qe përnjëherësh një
gjest devocioni personal dhe një mesazh me vlerë të madhe simbolike, drejtuar Koncilit
dhe mbarë Kishës, që po përsiaste në atë kohë mbi identitetin dhe misionin e saj të
vërtetë. Pali VI bëri edhe dy udhëtime të tjera të rëndësishme: në Indi dhe në selinë
e Kombeve të Bashkuara në New York, por shtegtimi në Tokën e Shenjtë i vuri një vulë
krejt të veçantë papnisë së tij. Një ftesë për Kishën, që të mos ishte qendra e vetvetes,
që të përqendrohej mbi Krishtin e mbi prejardhjen e tij dhe që të niste udhën drejt
shtigjeve të reja. Në këtë kontekst mund të kuptohet domethënia ekumenike e udhëtimit
të Palit VI në Tokën e Shenjtë. Duke takuar Atenagorën dhe përfaqësues të tjerë të
Kishave lindore, Pali VI shprehu vullnetin e Kishës Katoolike për t’u dhënë fund ndjenjave
armiqësore të së shkuarës dhe për të hapur stinën e re të dialogut. Ky takim duhej
të ndodhte detyrimisht atje ku qe ngulur kryqi i lumnueshëm i Shpëtimtarit, Jerusalemi,
vendi që për të krishterët duhet të jetë qendra e botës.