“Zgjojeni botën!”: në Civiltà Cattolica, biseda e Papës Françesku me eprorët e përgjithshëm
Revista “Civiltà Cattolica” botoi, në letër e në variantin dixhital të faqes së saj
të internetit , një bisedë të gjatë të Papës Françesku me anëtarët e Bashkimit të
Eprorëve të Përgjithshëm (Usg), mbajtur më 29 nëntorin e kaluar, në përfundim të së
cilës Papa njoftoi edhe se 2015-ta do të jetë Vit kushtuar Jetës Rregulltare. Atë
Antonio Spadaro, drejtor i revistës së Shoqërisë të Jezusit, ulur ndërmjet 120 eprorëve
të përgjithshëm, pritur nga Papa, e regjistroi bisedën e lirë e spontane, duke bërë
një kronikë të komentuar të takimit. Janë 15 faqe reviste, që mund t’i shfletoni në
numrin e fundit të “Civiltà Cattolica”.
“Duhet formuar zemra. Përndryshe formojmë
përbindsha të vegjël, e këta përbindsha të vegjël formojnë popullin e Zotit. E kjo
ma përqeth krejt shtatin” - kështu shkruan Papa në një nga fragmentet më të forta
të bisedës me eprorët e përgjithshëm. Ati i Shenjtë prek tema nga më të rëndësishmet,
duke nisur nga ndërlikimet e jetës, gatuar me hir e me mëkat, tek detyra për të qenë
profetë në botën tonë, vëllazërimi, denoncimi i tregtimit të noviceve, domethënë arritja
masive e Kongregatave të huaja, që hapin shtëpi me qëllim që të rekrutojnë thirrje,
për t’i shërbyer, pastaj, Evropës. E akoma, dënimi i sjelljeve, si hipokrizia e fondamentalizmi,
lavdërimi i vendimit të madh të Benediktit XVI për përballimin e rasteve të shpërdorimeve
të klerit mbi të miturit, rëndësia e karizmave, sfidat më të ngutshme, marrëdhëniet
ndërmjet rregulltarëve e ipeshkvijve, nevoja e frymës së dashurisë, aftësia për
‘t’i ledhatuar’ konfliktet’ e, sidomos, nevoja për një shkundje të tillë, që ta zgjojë
nga gjumi botën tonë të trullosur”.
Tema e prekur që në krye të bisedës, ishte
identiteti dhe misioni i rregulltarëve. Përkushtimi i plotë ndaj Ungjillit nuk është
tipar, që u takon vetëm rregulltarëve, vëren Papa. U takon të gjithëve. Megjithatë
duhet pranuar se rregulltarët e ndjekin Zotin në një mënyrë krejt të veçantë, në mënyrë
profetike. E kjo është dëshmia, që pret Papa Françesku. Rregulltarët, kujton, duhet
të jenë burra e gra të afta për të zgjuar botën. Jeta, vijoi, është e ndërlikuar,
me hir e mëkat. Nëse ndokush nuk mëkaton, s’ është njeri. Rregulltari, që e ndjen
veten të ligshtë e mëkatar, nuk i kundërvihet dëshmisë, që është i thirrur të japë,
përkundrazi, e forcon. Papa Françesku kërkon të shmangë fondamentalizmin e të ndriçojë
të ardhmen. E, ripohon bindjen se ndryshimet e mëdha të historisë u realizuan, kur
realiteti nuk u vërejt nga qendra, por nga periferia. Të rrish në periferi, shtoi,
të ndihmon t’i shikosh gjërat më mirë e t’i kuptosh më thellë, të bësh analiza më
të drejta të realitetit, duke u larguar nga centralizmi dhe nga përçapjet ideologjike.
Papa
Françesku kujton përvojën e tij si jezuit. Për të kuptuar, vëren, duhet të vendosesh
në vendin e duhur, ta shikosh realitetin nga këndvështrime të ndryshme. Duhet të mësohemi
të mendojmë! Papa kujton një letër të atë Arrupes, për të pohuar se rregulltari duhet
ta njohë me të vërtetë realitetin dhe mënyrën si jetojnë njerëzit. Nëse kjo nuk ndodh,
na kërcënon rreziku të kthehemi në ideologë abstraktë ose fondamentalistë. E kjo nuk
është e shëndetshme. Papa ngulmon posaçërisht tek apostullimi i të rinjve. Kush punon
me të rinjtë, kujton, nuk mund të mjaftohet me porosi tepër të rregullta e të hartuara
si traktate, sepse këto gjëra nuk e tërheqin me të vërtetë vëmendjen e të rinjve.
Duhet folur me një gjuhë të re. Këtë na kërkon sot Zoti: të dalim nga foleja, për
të shkuar ndërmjet njerëzve, si të dërguar.
Po cila është, atëherë, përparsia
në jetën rregulltare? Profecia e Mbretërisë, përgjigjet Papa, që nuk mund të tregtohet.
Një profeci, që bën zhurmë, që ka dhantinë të bëhet tharm. Papa u tërheq vëmendjen
rregulltarëve ta shmangin tundimin e lojës për t’u dukur si profetë, pa qenë të tillë.
E i inkurajon të kërkojnë gjithnjë rrugë të reja, që karizma të mos bëhet shterpë.
Lidhur me shtimin e thirrjeve në kishat e reja dhe inkulturimin e karizmave, Papa
Françesku nënvizon se karizma nuk është shishe me ujë të distiluar. Duhet jetuar me
energji, duke e rilexuar edhe kulturalisht. Por kështu, pohon Papa në dialogun me
eprorët e përgjithshëm të rregulltarëve, ekziston rreziku të gabohet. Është e rrezikshme,
ripon Ati i Shenjtë. Bëjmë gjithnjë gabime, pa dyshim. Por kjo nuk duhet të na frenojë.
Duhet të kërkojmë gjithnjë falje e t’i shikojmë me turp të madh dështimet apostolike
të shkaktuara nga mungesa e guximit. E më pas Papa vë theksin mbi nevojën për të zgjedhur
në drejtim të urdhërave e të kongregatave, njerëz të kulturave të ndryshme, që e jetojnë
karizmën në mënyra të ndryshme. Nga ana tjetër, shpjegon, të inkulturosh karizmën,
është themelore e kjo nuk do të thotë kurrë ta relativizosh.
Papa Françesku
njofton edhe se ka kërkuar nga Kongregata për Jetën Rregulltare të rimarrë në dorë
dy dokumente; i pari, mbi thirrjet e rregulltarëve, që nuk janë meshtarë. I dyti,
që po rishikohet, është Mutuae relationes mbi marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve
e rregulltarëve në Kishat vendase. Ne, ipeshkvijtë, pohoi Papa, duhet të kuptojmë
se njerëzit e shuguruar nuk janë material ndihmës, por dhanti, që pasurojnë dioqezat.
Gjatë bisedës, kujton atë Spadaro, iu kushtua vëmendje e veçantë temës së formimit
dhe përparësive të saj. Fantazma, që duhet luftuar, vëren Papa, është përfytyrimi
i jetës rregulltare si strehë e ngushëllim, përballë botës së jashtme, të vështirë
e të ndërlikuar. Papa tërheq përsëri vëmendjen për të qëndruar larg hipokrizisë e
klerikalizmit, që mund t’i minojnë vitet e noviciatit. Nuk zgjidhen problemet vetëm
duke i ndaluar novicët për të bërë këtë, ose atë. Duhet dialog, shumë, e ballafaqim.
Nuk duhet harruar se hipokrizia është një nga të këqiat më të tmerrshme nënvizon,
e më pas kujton vendimin e madh të Benediktit XVI për përballimin e rasteve të shpërdorimeve.
Ky, vëren, duhet të shërbejë si shembull për formimin personal, që duhet të shikohet
si sfidë serioze, duke menduar gjithnjë për Popullin e Zotit.
Formimi, rikujton
Papa, duhet orientuar jo vetëm në drejtim të zhvillimit vetjak, por kryesisht në drejtim
të Popullit të Zotit, në drejtim të atyre, tek të cilët do të dërgohen njerëzit, që
kemi formuar. Të mendojmë për ata rregulltarë, që e kanë zemrën të thartë, si uthulla,
vëren, e që nuk janë bërë për popullin. E shton: “Nuk duhen formuar administratorë,
drejtues, por etër, vëllezër, shokë udhe”. Formimi është vepër mjeshtrore, jo policore.
Katër bazat kryesore të formimit janë: shpirtërore, intelektuale, komunitare dhe apostolike.
Baza, nënvizon, që duhet të ndërveprojnë qysh ditën e parë të hyrjes në noviciat. Papa
dhe eprorët e përgjithshëm u ndaluan edhe tek tema e vëllazërisë e tek rreziku i individualizmit,
që shpesh e bën folenë në bashkësi. Nganjëherë, vëren Ati i Shenjtë, është e vështirë
të jetosh në bashkësi me frymën e vëllazërisë. Por nëse nuk e jeton, nuk jep fryt.
Edhe puna apostolike, për Papën, mund të rrezikohet nga ikja prej jetës vëllazërore.
Kush nuk mund ta jetojë vëllazërimin, nuk mund ta jetojë jetën rregulltare. Konflikti
është i pashmangshëm, vijon, por duhet pranuar, nuk duhet injoruar. Nëse mbulohet,
krijon presion e më pas shpërthen. Nganjëherë, vijon Papa, jemi tepër mizorë. Tundohemi
të kritikojmë për kënaqësi personale ose për të siguruar përfitime personale. Nganjëherë,
vijon akoma, krizat e vëllazërimit shkaktohen nga brishtësia e personalitetit, e në
këtë rast duhet kërkuar ndihma e profesionistëve, e ndonjë psikologu. Nuk duhet pasur
frikë nga kjo. Por kurrë nuk duhet të sillemi si administratorë përballë konfliktit
të një vëllai. Duhet ta ndjekim me zemër. Papa kërkon edhe një herë që konfliktet
‘të ledhatohen’ me ‘dhimbsurinë eukaristike’. Dhimbsuria eukaristike, ripohon, nuk
e mbulon konfliktin, por ndihmon për ta përballuar burrërisht. Së fundi, Papa Françesku
flet për temën e tij të dashur të “kufijve të ungjillëzimit”, duke theksuar se nuk
janë vetëm gjeografikë, por edhe simbolikë, se nuk janë të paracaktuar e të njëllojtë
për të gjithë. Papa flet përsëri për përparësinë e realitetit të përjashtimit, ku
duhen dërguar njerëzit më të mirë, më të përgatitur. Vija e kufirit kulturor dhe
edukativ në shkolla e në universitete, përfundon, është mision kyç. Fjalë, kjo, të
cilën e përsërit tri herë. Mision që, kujton Papa, kërkon të kumtohet Krishti, duke
përballuar situata familjare të panjohura e të ndërlikuara.