2014-01-03 13:49:21

Mesha në Kishën e Jezusit. Papa: jezuiti, njeri i shqetë, sepse i palodhshëm në kërkim të Zotit


Të mos kemi emër tjetër në jetë e të mos kryejmë asnjë veprim tjetër, që nuk ka lidhje të ngushtë me Krishtin. Me këtë porosi Papa Françesku e përfundoi, sot paradite, homelinë, në Meshën, kryesuar në Kishën e Jezusit, ditën kur Kisha kremton festën liturgjike të Emrit të Shenjtnueshëm të Jezusit, ‘titull’ i Urdhërit, themeluar nga Shën Injaci i Lojolës. Papa foli gjatë për figurën e Pjetër Favrit, model shenjtërie meshtarake në Shoqëri, shkruar në katalogun e shenjtorëve më 17 dhjetorin e kaluar.RealAudioMP3

“Të zbrazur”, sepse përplot me Zotin. Të shqetë, sepse të palodhshëm në kërkim të Hyjit. Të guximshëm, sepse të aftë për një besim, që ushqen ëndrra të mëdha, siç janë ëndrrat e Zotit. Me një fjalë, njerëz në tension të përhershëm për të qenë, secili, një Krisht tjetër mbi tokë. E nuk mund të jetë ndryshe për njerëzit që Shën Injaci i Lojolës mblodhi e mbledh në një Shoqëri, e cila mban emrin e vetë Jezusit. Papa Françesku reflektoi për dhantitë e urdhërit të tij, e këtë e bëri duke u përqendruar kryesisht mbi figurën e Pjetër Favrit, bashkëvëlla, sa i lashtë, aq edhe modern, shpallur shenjt dy javë më parë, sintezë e gjallë e tipareve shpirtërore e apostolike, që e bëjnë jezuitin, ashtu siç duhet të jetë. Duke nisur nga zemra, e zbrazët dhe e zbrazur për t’u mbushur me dashuri, si ishte vetë Zemra e Krishtit:
“Jemi të thirrur për këtë ulje: për të qenë të ‘zbrazur’. Për të qenë njerëz, që nuk duhet të jetojnë të përqendruar mbi vetveten, sepse qendra e Shoqërisë është Krishti e Kisha e Tij. E Zoti është Deus semper maior, Hyji, që na befason gjithnjë. E nëse Hyji i të papriturave nuk është në qendër, Shoqëria çorientohet. Prandaj të jesh jezuit, do të thotë të jesh njeri me mendim të pakryer, mendim të hapur, sepse mendon gjithnjë duke parë horizontin, që është lumnia e Hyjit, gjithnjë më e madhe, që na mahnit pambarimisht. E ky është shqetësimi i honit tonë. Ky shqetësim i shenjtë, e i bukur”.
Të shqetë, deri në ç’pikë? Vërtetimi, që propozon Papa, bazohet mbi një ballafaqim: një jezuit mund të pyesë nëse e ruan shqetësimin e kërkimit, apor është mpirë. Por për atë, që militon në Shoqërinë e Jezusit, nuk ka rrugë tjetër: “Duhet ta kërkojë Zotin, për ta gjetur, e ta gjejë, për ta kërkuar përsëri e përherë”:
Vetëm ky shqetësim i jep paqen zemrës së jezuitit, shqetësim edhe apostolik, që nuk lodhet kurrë duke kumtuar kerygmën, duke ungjillëzuar me guxim. Është shqetësim, që na përgatit të marrim dhuratën e frytit apostolik. Pa shqetësim, jemi të shterpët”.
E në këtë pikë, Papa solli shembullin e Pjetër Favrit. Ai ishte njeri i dëshirave të mëdha, shpirt i shqetë, i pavendosur, kurrë i kënaqur, i frymëzuar nga fryma e vërtetë, që të shtyn të jesh gjithnjë në lëvizje:
A kemi edhe ne vizione e hove të mëdha? Jemi të guximshëm? Ëndrra jonë fluturon lart? Zelli na grin përmbrenda? Apo jemi mediokër e kënaqemi me programimet tona apostolike të gatuara në laborator? Ta kujtojmë gjithnjë: forca e Kishës nuk banon në veten e në aftësitë e saj organizuese, por fshihet në ujërat e thella të Zotit”.
Pietër Favri, vijoi të kujtonte Papa, e shkriu gjithë jetën për të pasur familjaritet me Zotin, për të pasur një zemër, të bërë një me Zemrën e Krishtit. E me këto ndjesi i hapi rrugën dialogut në Evropën e përçarë nga Reforma e Luterit, me armën krejtësisht të krishterë të ëmbëlsisë:
Më shkon mendja tek tundimi, që ndoshta mund ta kemi edhe ne e që e kanë shumë të tjerë, për ta lidhur kumtimin e Ungjillit me kopaçet e inkuizicionit, të dënimit. Jo! Ungjilli kumtohet me ëmbëlsi, me vëllazëri, me dashuri”.
Prej këndej, premtimi përfundimtar i të parit Papë jezuit në histori, në emër të mbarë Shoqërisë, për të ndjekur shembullin e të parit meshtar jezuit në histori, vëllait Pjetër që, nën ndikimin e joshjes së Krishtit, bëri ‘marrëzi’ të mirëfillta apostolike:“Ne jemi të vegjël, jemi mëkatarë, por duam të militojmë nën flamurin e Kryqit, në Shoqërinë, që mban emrin e Jezusit. Edhe ne, që jemi egoistë, megjithatë duam të jetojmë një jetë të trazuar nga dëshira të mëdha. Ta përsërisim, atëherë, mblatimin tonë ndaj Zotit të Amshuar të universit që, me ndihmën e Nënës të tij të Lumnueshme, të duam, të dëshirojmë e të jetojmë ndjenjat e Krishtit, i cili e zbrazi vetveten, për dashuri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.