Emri i Shenjtnueshëm i Jezusit është nderuar vazhdimisht në Kishë, duke nisur që nga
bashkësitë e para të krishtera, por kulti liturgjik i këtij Emri filloi vetëm në shekullin
XIV. Shën Bernardini, i ndihmuar nga sivëllezër të tjerë, posaçërisht nga i lumi Albert
prej Sarteano e nga Bernardini prej Feltre, e përhapi me zell të madh këtë devocion,
që më në fund u radhit në kalendar, si festë liturgjike. Në vitin 1530, papa Klementi
VII autorizoi Urdhërin françeskan të lexonte oficen e Emrit të Shenjtnueshëm të Jezusit.
Gjon Pali II e caktoi si ditë feste në kalendar, më 3 janar. Emrat kanë rëndësi
të madhe. Ata bëhen një me njeriun, ta kujtojnë atë, që e mban. E me që qysh nga lashtësia
ishin zakonisht emra perëndish apo heronjsh, të kujtonin edhe bëmat e atij, që e mbarti
emrin në zanafillë. Emri ka përmbajtje dinamike. Sapo e kujtojmë, na sjell ndër
mend vetë njeriun, pamjen, cilësitë e tij, të mirat e të metat. Në lashtësi përdoreshin
edhe emra, që zgjidheshin si urim për ardhmërinë e fëmijës, pasuar nga emri i vendit
të lindjes. Në perandorinë romake, emri përmbante edhe fisin prej nga vinte fëmija:
për shembull Julius, do të thoshte i ardhur nga fisi Julia. Vajzat zakonisht mbanin
emrin e zbutur të babait ose të ndonjërit nga meshkujt e fisit. E bija e Fabit, për
shembull, thirrej Fabiola. Në Bibël edhe Zoti ka një emër: quhet ‘Hyji i etërve’,
‘Hyji i Abrahamit, i Isakut e i Jakobit’ e sidomos ‘Iahvè’ që do të thotë ‘Ai është!’.
Hyji quhet edhe Atë, për të nënvizuar lidhjen e posaçme që ka me popullin e vet. Emri
Jezus: Gjatë jetës së Tij tokësore, Mesia u quajt me emrin Jezus, emër të cilin
ia ngjiti Shën Jozefi, pasi engjëlli i Zotit i u duk në ëndër e i tha: “Jozef, Bir
i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tënd, sepse foshnja që është
zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë një djalë e ti ngjitja
emrin Jezus, sepse ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve”( Mt. 1, 21-25). Prej
këndej, emri Jezus ka kuptimin shëlbues. Është emri më i fuqishëm në këtë botë:
duke e thirrur këtë emër, shërohen të sëmurët, dëbohen djajtë, bëhen mrekulli, që
mendja njerëzore nuk mund t’i përfshijë. Hyji Atë i dha Jezusit një emër, që është
mbi të gjithë emrat. Ky emër, themel i fesë së krishterë, kërkon nga besimtari të
dëshmojë me gojë e të besojë me zemër se Jezusi është Zot e se Hyji e ngjalli prej
të vdekurve. Të krishterët e parë janë pikërisht ata, që e njohin Jezusin si Zot.
Prej këndej edhe u thirren me emrin e Tij: të krishterë, njerëz që mblidhen në emër
të Krishtit, lavdërojnë Hyjin në këtë Emër, sillen në mënyrë të tillë, që emri i Tij
të lumnohet e janë gati edhe të derdhin gjakun, në emër të Krishtit!