2014-01-03 13:49:34

Atë Lombardi: Papa u shfaqi jezuitëve ndjenjat e thella të vëllazërisë shpirtërore


Të shumtë jezuitët e pranishëm në meshën e kryesuar nga Papa Françesku në Kishën e Jezusit: mes tyre edhe eprori i përgjithshëm e Shoqërisë së Jezusit, Atë Adolfo Nicolàs. Rreth klimës në të cilën u kremtua mesha, Radio Vatikani foli me Atë Federico Lombardi-n, edhe ai jezuit, i pranishëm në këtë ngjarje:RealAudioMP3
Mesha u kremtua në një klimë jashtëzakonisht të çlirët, të qetë e të gëzueshme. Duhet të kujtojmë se është Festa e Emrit të Jezusit, domethënë festa e titullit të Shoqërisë, që i kushtohet pikërisht emrit të Jezusit, mundësia për ta përjetuar me Atin e Shenjtë e bëri edhe më të bukur. Aq më shumë tani, me rastin e shenjtërimit të Shën Pjetër Favrit para pak ditësh. Ai qe shoku i parë i Shën Injacit. Ja, pra, u ndjemë të ftuar të rijetonim frymëzimin fillestar të Shoqërisë së Jezusit, përkushtimin e saj ndaj apostullimit, ndaj atij apostullimi, që është i frymëzuar thellë nga dashuria personale për Krishtin.
Cilat janë fjalët e homelisë që ju kanë bërë më shumë përshtypje?
Dy ishin temat: ajo e Emrit të Jezusit në vetvete dhe ajo e figurës së Shën Pjetër Favrit, si njeri me dëshira të mëdha. Fryma e Shën Pjetër Favrit është fryma që ushqen dëshirën e zjarrtë për të bërë të ditur jo vetëm Emrin e Jezusit, por dashurinë e Hyjit për të gjithë, edhe në rrethana të vështira, siç ishin ato, në të cilat veproi ai, kur të krishterët ishin të ndarë, me ndjenja pajtimi dhe ëmbëlsie. Ky është një aspekt karakteristik i personalitetit të këtij shenjtori, i cili nuk ka bërë gjëra të mëdha nga pikëpamja e punëve të dukshme, por, nga pikëpamja e veprimtarisë shpirtërore, nga puna në zemrat e njerëzve, duke komunikuar dashurinë e Hyjit dhe duke pajtuar njerëzit e ndarë me forcën e kësaj dashurie, ka bërë gjëra të stërmëdha.
Papa e përkufizoi jezuitin si njeri të trazuar...
Sigurisht. Dinamizmi i përshpirtërisë së Shoqërisë së Jezusit është shumë karakteristik: kërkimi dhe gjetja e Zotit dhe e vullnetit të tij, jo për të ngelur në vend, por për ta kërkuar përsëri. Një herë që është gjetur Zoti, Zoti vetë të befason dhe të thërret përtej pikës në të cilën ke mbërritur. Ja, ky Hyj është plot me befasi, për të cilat Papa flet shpesh. Kjo njohje e Hyjit është karakteristike e përshpirtërisë dinamike, në ecje, siç është ajo e Shoqërisë së Jezusit dhe e Pjetër Favrit, që ishte një shtegtar në shërbim të Zotit, në Evropën e kohës së vet.
Pastaj Papa u ndal për të përshëndetur jezuitët: ishin më se 350 në Kishën e Jezuist...
Po, e dimë se kjo vëmendje dhe durimi për të përshëndetur të gjithë, një nga një, është karakteristike e Papës. Këtu ishin shumë sivëllezër të tijtë, të mbledhur në këtë rast të bukur: i përshëndeti të gjithë, për t’u treguar ndjenjat e thella të vëllazërisë shpirtërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.