2014-01-02 16:24:40

Riatdhesohet meshtari francez i rrëmbyer në Kamerun


Don Georges Vandenbeusch (Zhorzh Vandenbësh), meshtari misionar i rrëmbyer në Kamerun nëntorin e shkuar, u kthye në Francë dje paradite me një avion ushtarak nga Jaunde, ku e kishte pritur ministri i jashtëm francez Laurent Fafius (Loran Fabius). Në aeroportin ushtarak në afërsi të Parisit e pritën prindërit e tij adoptues, vetë presidenti i Francës François Hollande (Fransua Holond), si edhe disa miq meshtarë e përfaqësues të dioqezës së tij. “E shoh mirë sa me fat jam – komentoi meshtari. – Ka pengje që mbesin të tillë për një kohë tmerrësisht shumë të gjatë”.
Don Vandenbeusch-in e kishin rrëmbyer natën e 13-14 nëntorit, në veri të Kamerunit, njerëzit e armatosur të grupit ekstremist islamik nigerian Boko Haram. “Kam ndenjur nën një pemë për një muaj e gjysmë – tha për gazetarët – shtatë javë do të thotë shumë orë, kur je i marrë peng e nuk bën dot asgjë, nuk lexon dot, nuk flet me askënd. Është tmerrësisht e mërzitshme, e trishtueshme dhe hidhëruese”. Meshtari francez konfirmoi se është mbajtur në truallin nigerian, në një zonë, e cila, gjatë Krishtlindjeve, është goditur nga bombardimet.
Për lirimin e tij Radio Vatikani intervistoi përgjegjësin e meshtarëve Fidei donum të Francës Atë Jean Forgeat (Zhan Forzha):
“Ky është një lehtësim e një gëzim i pafund. Vjen vërtet prej Hyjit, sepse shumë vetë janë lutur për këtë lirim. Kemi shpresuar shumë, unë personalisht kam shpresuar shumë që mund të ndodhte për Krishtlindje. Krishtlindjet kanë kaluar, por prapë kjo është një dhuratë shumë e bukur. Dhurata e paçmueshme e një viti të mbarë, që na është dhënë në përfundim të 2013-tës, i cili qe dhe mbetet një vit i shënjuar nga ngjarje të dhimbshme e nga sprova që kanë goditur shumë njerëz, veçanërisht në kontinentin afrikan, por jo vetëm. Megjithatë, dëshiroj të them se në mes të këtyre sprovave kemi këtë rreze drite: është drita e Krishtlindjes, që vijon të shkëlqejë përmes këtij lajmi. Kjo është e mrekullueshme!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.