Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Paqes: Korrupsioni dhe krimi i organizuar, armiq
të vëllazërimit
“Vëllazërimi, themel e rrugë për paqen”, titullohet mesazhi. E kjo është edhe
tema kryesore e tij, në këto kohë, kur zjarret e luftës ndizen e shuhen në të katër
anët e Planetit, që më kot pohon se që nga Lufta II Botërore, bota nuk ka parë më
luftë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, domethënë, kasaphanë. Një mori pyetjesh
i drejton Papa njerëzimit, duke nisur nga pyetja, që i pati bërë Zoti Kainit, kur
u krye vëllavrasja e parë, hapi i parë i ndeshjeve gjakatare ndërmjet vëllezërish.
E pra mbi tokë asokohe, sipas rrëfimit të Shkrimit Shenjt, ishin vetëm dy e megjithatë
njëri vëlla e mbyti tjetrin. I shtyrë nga zilia e keqe. Për t’u ndjekur, pastaj, në
çdo hap, nga syri ndëshkues i Zotit, që vijon ta pyesë vëllavrasësin, dënuar për
t’u endur mbi tokë deri në mbarim të kohëve: “Ku është yt vëlla?”(Zan 4,9). “Ku
është...?”, vijon ta pyesë Zoti në shekuj njeriun e njerëzimin. E, pas pyetjes
biblike, vjen pyetja e dytë, që i prin kreut të tretë të Mesazhit papnor, shkëputur
nga Ungjilli sipas Mateut (Mt 23,8): “E ju, a jeni vëllezër?”. Nuk mund të
mos ia drejtojmë vetes këtë pyetje: “A jemi vëllezër?”. Për të qenë vëlla i vërtetë,
nuk duhet ta harrosh kurrë se “vendi” ku hidhet themeli i vëllazërimit, është Kryqi
i Krishtit. E se vëllazërimi, pastaj, është themel i udhës për paqen, siç titullohet
kreu i katërt i Kumtit papnor. E është edhe “Kusht paraprak për të fituar mbi varfërinë”,
që kërkon “Rizbulimin e vëllazërimit në ekonomi”, “Vëllazërim që shuan zjarret e luftërave”(tituj
të kreut të katërt, të pestë e të gjashtë). Arrijmë, kështu, tek një nga nëntemat
më të rëndësishme të mesazhit, që trondit njerëzimin e kohëve tona. Korrupsioni
dhe krimi i organizuar, për Papën, janë kundërshtarët kryesorë të vëllazërimit
ndërmjet njerëzve e popujve. Është kreu i tetë i mesazhit. Horizonti
i vëllazërimit synon zhvillimin e gjithanshën të çdo burri e të çdo gruaje. Ambiciet
e drejta të njeriut, posaçërisht të të rinjve, nuk duhet të zhgënjehen e as të fyhen.
Nuk duhet t’ua rrëmbejmë të rinjve shpresën për t’i vënë në jetë ëndrrat rinore. Gjithsesi,
ambicia nuk duhet ngatërruar me shpërdorimet. Përkundrazi, duhet hyrë në garë, kur
është fjala për të respektuar njëri tjetrin (cfr Rom 12,10). Edhe në debatet,
aspekt i pashmangshëm i jetës, duhet të mos harrojmë kurrë se jemi vëllezër, e, prej
këndej, të edukojmë e të edukohemi për të mos e shikuar të afërmin si armik e si kundërshtar,
që duhet zhdukur! Nga vëllazërimi lind paqja shoqërore, sepse krijohet drejtpeshim
ndërmjet lirisë e drejtësisë, përgjegjësisë personale e solidariteit, së mirës së
individëve e asaj të përgjithshme. Bashkësia politike duhet, prandaj, të veprojë me
transparencë e përgjegjësi për ta favorizuar këtë atmosferë. Qytetarët duhet ta
ndjejnë veten të përfaqësuar nga pushteti publik, që duhet ta respektojë plotësisht
lirinë e tyre. Ndërsa shpesh, ndërmjet qytetarit e institucionit ndërhyjnë interesa
të njëanshme, që e deformojnë këtë marrëdhënie, duke krijuar një frymë të përhershme
konflikti.
Fryma e vërtetë e vëllazërimit fiton mbi egoizmin individual, që
i kundërvihet mundësisë së njerëzve për të jetuar në liri e harmoni. Ky egoizëm, në
këndvështrimin shoqëror, gjen shprehjen e vet në format e ndryshme të korrupsionit,
sot jashtëzakonisht i përhapur: në formimin e organizatave kriminale, duke nisur nga
grupet e vogla, deri tek grupet e organizuara në shkallë globale që, duke tjetërsuar
në thellësi ligjshmërinë e drejtësinë, e godasin në zemër dinjitetin e njeriut. Këto
organizata tejet të dëmshme, aq më tepër kur janë me ngjyrime fetare, e fyejnë rëndë
Zotin, dëmtojnë vëllezërit e rrënojnë gjithësinë. Mendoj për dramën e rëndë të
drogës që, duke synuar vetëm fitimin, nuk përfill ligje morale as civile; për shpërdorimin
e burimeve natyrore e ndotjen e mjedisit, që vijon; tragjedinë e shfrytëzimit të punës;
mendoj për trafikun e paligjshëm të parasë; për spekulimet financiare, shpesh me karakter
grabitçar e dëmtues për mbarë sistemet ekonomike e shoqërore, që katandisin në varfëri
miliona burra e gra; mendoj për prostitucionin, që shkakton çdo ditë viktima të pafajshme,
posaçërisht në radhët e të rinjve, të cilëve u rrëmben ardhmërinë; mendoj për turpin
e trafikut të qenieve njerëzore, për krimet dhe shpërdorimet kundër të miturve, për
skllavërinë, që edhe sot e kësaj dite vijon, me tmerr, në të katër anët e botës; tragjedinë,
shpesh herë të papërfillur, të emigrantëve klandestinë, mbi të cilët spekulohet padenjësisht.
Pati shkruar për këto plagë Gjoni XXIII: “Bashkëjetesa, e bazuar vetëm mbi forcën,
nuk është njerëzore”. Në një formë të tillë bashkëjetese, është e pashmangshme që
njerëzit të detyrohen ose të shtypen, në vend që të lehtësohen e të nxiten për t’u
zhvilluar në mënyrë të gjithanshme e për t’u përsosur. Duke pasur parasysh se njeriu
mund të shndërrohet. Prandaj nuk duhet të stepemi kurrë para mundësisë për të ndryshuar
rrugë, për të nisur një jetë të re. Dëshiroj që ky të jetë mesazh shprese për të gjithë,
edhe për ata, që kanë kryer krime të urryera, sepse Zoti nuk e do vdekjen e mëkatarit.
Zoti dëshiron që ai të kthehet e të jetojë (cfr Ez 18,23).
Në kontekstin
e gjërë të shoqërizimit njerëzor, duke kujtuar krimin e ndëshkimin, nuk mund të mos
mendosh edhe për kushtet çnjerëzore të jetës në burgje, ku njeriu katandiset shpesh
të jetojë në një gjendje të padenjë për njeriun, fyhet në dinjitetin e tij, e humbet
çdo dëshirë për të hequr dorë nga rruga e gabuar. Kisha bën shumë në këto mjedise,
shpesh herë në heshtje. E nxis dhe i jap zemër të bëjë gjithnjë më shumë, me shpresë
se veprimtari të tilla, të vëna në jetë nga shumë burra e gra guximtare, mund të mbështeten
gjithnjë më shumë ligjërisht e ndershmërisht edhe nga pushtetet civile”.
Në përfundim të Mesazhit, Papa i kujton mbarë njerëzimit se Krishti e rrok njeriun
me shpirt e me korp. Dëshiron ta shpëtojë, jo ta dënojë. Hyji e dërgoi Birin e tij
në botë jo për ta dënuar botën, por që bota të shpëtonte, përmes Tij” (Gjn 3,17).
E këtë e bën pa shtypur, pa detyruar askënd t’ia hapë portën e zemrës e të mendjes.
“Kush është mes jush më i madhi, të bëhet më i vogli e kush qeveris, të bëhet si ai,
që shërben!”- thotë Jezusi - “Unë jam ndërmjet jush, si ai, që shërben” (Lk 22,26-27).
Atëhere çdo veprimtari duhet të ketë frymën e shërbimit. T’u shërbejë të gjithë njerëzve,
posaçërisht atyre, që janë më të largët e më të panjohur. Shërbimi është shpirti i
këtij vëllazërimi, mbi të cilin ngrihet paqja. Maria, Nëna e Jezusit, na ndihmoftë
ta kuptojmë e ta jetojmë ditë për ditë vëllazërimin, që gurron nga zemra e Birit të
saj, për të sjellë paqe në shpirtin e çdo njeriu, mbi tokën tonë të dashur!”.