Vatikani do të organizojë një konferencë për Sirinë më 13 janar. Takimi me temë: “A
mund të jemi moskokëçarës?” do të zhvillohet në selinë e Akademisë Papnore të Shkencave,
pak ditë para bisedimeve që i paraprijnë mbledhjes së anëtarëve të qeverisë siriane
me përfaqësuesit e opozitës, e cila do të mbahen në Gjenevë më 22 janar. Synimi
kryesor i kësaj konference është arritja e armëpushimit, për të bërë të mundur hyrjen
e ndihmave humanitare. Janë ftuar të marrin pjesë tetë anëtarë, ndër të cilët ish-kryeministri
britanik Tony Blair, ish-zëvëndëskryeministri egjiptian Mohamed El Baradei dhe kryetari
i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran. Kjo seancë
punimesh synon të mbështesë edhe mbrojtjen e të krishterëve në vendet e Lindjes së
Mesme. Akademia Papnore e Shkencave ngulmon në kërkesën e ngutshme për t’i dhënë fund
përndjekjes së të krishterëve dhe inkurajon dialogun ndërfetar. Do të merret në shqyrtim
edhe formimi i një qeverie kalimtare të bashkuar, që do të ketë për detyrë të organizojë
zgjedhjet. Në fund do të flitet edhe për trafikun e qenieve njerëzore dhe për prostitucionin,
në këtë vend të rraskapitur nga lufta. Akademia ka përgatitur një dokument pune
prej tetë faqesh, në të cilin vlerësohen përpjekjet e presidentit rus Vladimir Putin
për të penguar sulmin ushtarak, që kishin kërkuar Shtetet e Bashkuara, por njëkohësisht
qorton ata që e kanë furnizuar regjimin me armatime të sofistikuara, sikurse edhe
ata që financojnë kryengritësit. Të shtunën e kaluar një delegacion i qeverisë
siriane u prit në Vatikan nga Sekretari i Shtetit, Imzot Pietro Parolin dhe nga Sekretari
për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Dominique Mamberti. Delegacioni kishte ardhur për
të dorëzuar një mesazh të presidentit Bashar al-Asad për Papën dhe për të shpjeguar
pozicionin e autoriteteve siriane.