2014-01-01 18:57:21

Sot pasdite Papa Françesku u lut në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe


Sot, dita e parë e Vitit të Ri 2014, Papa Françesku shkoi, në formë private, në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. U gjunjëzua rreth 20 minuta para Nënës së Zotit, që nderohet me titullin Shpëtimi i Popujve Romakë. Sot ishte festa liturgjike e amësisë hyjnore e, në homelinë e paradites, Papa kujtoi edhe Bazilikën e Shën Marisë së Madhe dhe këtë ikonë, për të cilën ka devocion të thellë. Nuk është hera e parë që e shikojmë Atin e Shenjtë të gjunjëzuar para Shpëtimi i Popujve Romakë. Përkundrazi, ka shkuar shumë herë, duke nisur nga vizita që i bëri Nënës së Zotit vetëm pak orë pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Sot, kur arriti Papa, në Bazilikë ishin shumë besimtarë, sidomos, të rinj, që u çuditën dhe u gëzuan pa masë, kur panë papritmas Atin e Shenjtë, por pa e shqetësuar lutjen e Tij në Kapelën e Zojës së Bekuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.