2014-01-01 17:02:44

Mesazhi i Papës për paqen, një ftesë për të kapërcyer kufirin


Nga Vincenzo Bertolone - Osservatore Romano
Kufijtë nuk i lënë përjashta të tjerët: shërbejnë vetëm për vetëpërmbajtje. Mund të shkohet dëm jeta duke i caktuar ato, ose mund të merret vendimi për të jetuar duke i kapërcyer, edhe kur kjo mund të duket jo fort e këshillueshme. Megjithatë, pasi të gjendet forca për t’i shkelur, pa nënvlerësuar rrezikun, mund ta pikasim lehtë se jeta përtej kufirit është i mahnitshëm. Kjo është ndjesia, që ta përshkon gjithë trupin, si një drithërimë, duke lexuar Mesazhin e Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes 2014: ta mbyllësh atë vetëm brenda kufijve ekonomikë, ose ta vështrosh sipas perspektivave vetëm shoqërore, do të ishte një qasje e pjesshme ndaj një përmbajtjeje që, përkundër, e ka forcën e vet shpërthyese tek ftesa e largpamëse që drejton: me shkapërcye kufirin.
E pra, vija kufitare nuk është tjetër veçse shenjë konvencionale, e caktuar shpesh herë, gjatë shekujve të fundit, nga qeniet njerëzore vetëm në letrat e pronësisë, mbi hartat topografike e gjeografike, për të përcaktuar e më shpesh për të imponuar çfarë është e jotja e çfarë është e imja, pronën tuaj e pronën tonë, ose shtetin, ose kombin, ose detin. Po, kufiri, i kuptuar si akt pronësie ose mbizotërimi, duhet shkelur.
Në rrafshin ekonomik dhe ekologjik filloi të flitej për kufirin e zhvillimit në vitet shtatëdhjetë të shekullit XX, me sugjerime dhe kushtrim mbi gjendjen e parashikueshme që do të paraqitej brenda një kohe të shkurtër në lidhje me popullsinë njerëzore dhe burimet energjetike e natyrore, po të ishin tejkaluar disa kufij të shpenzimeve dhe të konsumit. Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve, sa kufij janë shkelur në mënyrë të rrezikshme, deri në atë pikë sa skenarët mbarëbotërorë të dyzet vjetëve në vijim pandehet se do të jenë mbartës të tejkalimeve të tjera, që mund të shkaktojnë dëme të dukshme për biosferën dhe për vetë gjininë njerëzore. Për sa i përket Magjisterit (Mësuesisë së Kishës), mund të thuhet sa vijon: Gjoni XXIII, në Mater et Magistra, vinte në pah, për shoqëritë e kamura, rrezikun e përparimit të nxituar, që ndjek ritme të cilët “i tejkalojnë kufijtë e lejuar nga drejtësia dhe nga njerëzia” (n.56). Populorum Progressio e Palit VI, duke kujtuar kufijtë e moralit dhe të drejtësisë, që lidhen me ligjin liberalist të tregut, pohonte në mënyrë të thukët: “Nuk kërkojmë, as dëshirojmë mohimin e tregut të bazuar mbi konkurrencën: duam vetëm të themi se është e nevojshme ta mbajmë brenda kufijve, që e bëjnë të drejtë e moral dhe, për këtë arsye, njerëzor” (n. 61).
Që kur Jorge Mario Bergoglio është zgjedhur Papë, fjala që ka tingëlluar fuqishëm, në pothuaj çdo fjalim apo përsiatje të tij, ka qenë: “Guxim!”. Si një variacion mbi temën “mos kinin frikë!”, të shpallur me zë të lartë nga Gjon Pali II. Guxim për të kumtuar. Guxim për të vijuar udhën, edhe kur është e rrëpirë. Guxim për të gjetur mënyrat për t’u takuar. Por, mbi të gjitha, guxim për të shkapërcyer pragun e atij caku, i cili, në domethënien që i ka dhënë Papa Françesku, është pika e thyerjes, kufiri i pakapërcyeshëm, muri qëndrestar i mbrojtjes. Kufiri ka shumë emra: pabarazi ekonomike, dhunë, mujshi, nënshtrim, dallime shoqërore. Ai mbart me vete dëshirën për mbyllje, për t’u ndryrë në brenda mendimeve vetjake dhe për t’u mbështetur mbi siguritë vetjake, duke u përpjekur për të bindur veten e të tjerët për vlerën universale të opinioneve vetjake, gjë që shpie edhe një herë tek caktimi i kufijve të pronësisë. Shpesh herë është dera, që mbyllet përmbi egoizmin vetjak, në vend të kapërcimit të pragut të shpresës, për t’u hapur ndaj të tjerëve.
Rrjedhojat rrënimtare të vështrimit të kufijve si pengesa, që duhen shkapërcyer, po të jetë nevoja edhe duke shkelur mbi të tjerët, merren me mend kollaj. Historia e Kainit dhe Abelit, me të cilën hapet mesazhi i Papës, është modeli i qartë biblik për leximin e dyfishtë të kufirit. Tregimi biblik e rrëfen atë histori si shfaqjen e parë të gjendjes së mbrapshtë (perverse) të shkaktuar nga mëkati fillestar. Dy vëllezërit janë të tillë sepse, pasi kanë ndarë bashkë mitrën e nënës, ndajnë të njëjtin oikos, janë gjymtyrë të së njëjtës strukturë familjare, njëri me tjetrin dhe për tjetrin. Megjithatë, kufiri i hollë, që i ndan – i cili do të duhej të shërbente vetëm për të përcaktuar identitetin e ndryshëm të tyre – bëhet mur i pashkapërcyeshëm për Kainin. Ai nuk është i prirur të ndajë me të tjerët, por udhëhiqet nga vizioni egocentrik, kërkon jetesën egoiste. Fara e vrasjes së parë, e vëllavrasjes, që fshihet brenda çdo njeriu, fara e njeriut që nuk e pranon tjetrin “si veten”, ka prodhuar, dhe ende prodhon, rrjedhoja të parrëfyeshme. Ajo farë ka kurdisur një reagim zinxhir mujshie e dhune dhe ka krijuar klimën e konfliktit të pashtershëm që nga bërthama e parë shoqërore, që është familja, deri tek shoqëria njerëzore, shoqëria që e shikon tjetrin si “të huaj” e jo si “vëlla”, si zhvatës e jo si “kufitarë”. Rrjedhojë e gjithë kësaj, thotë Papa Bergoglio, janë mungesa e kujdestarisë ndaj botës së krijuar, korrupsioni, krimi, dhuna, luftërat pa fund, veprimtaritë kriminale me natyrë të ndryshme.
Përballë kësaj gjendjeje, në vijimësi të plotë me paraardhësit e tij, Papa bën thirrje për të ndjekur e për të mishëruar lumninë e përhershme: “Lum paqëtuesit!”. Që nga mesazhi i parë i shpalljes së Ditës Botërore për Paqen, të vendosur nga Pali VI më 8 dhjetor 1967, udha është plot me nxitje për të qenë ndërtues të paqes, duke u nisur nga një koncept fare i qartë: vëllazëria. Të gjithë, por veçanërisht ata që besojnë në forcën e Ungjillit, shkruante Pali VI, mund e duhet t’i ngulitin thellë idetë e fuqishme parimore “si ajo e vëllazërisë së paprekshme universale të të gjithë njerëzve, që burn prej atësisë të vetme, sovrane dhe tejet të dashur të Hyjit”. Papa Montini shtonte: “Paqja e vërtetë duhet themeluar mbi drejtësinë, mbi ndjenjën e dinjitetit të paprekshëm njerëzor, mbi pranimin e barazisë së pashlyeshme dhe të lumtur mes njerëzve, mbi dogmën themelore të vëllazërisë njerëzore. Pra, mbi respektin dhe dashurinë ndaj çdo njeriu, vetëm sepse është njeri. Shpërthen fjala fitimtare: sepse vëlla. Vëllai im, vëllai ynë”.
E don Tonino Bello nënvizonte: Paqja nuk është një e dhënë, por një fitore. (...) Nuk është një mall konsumi, por fryti i një angazhimi. Nuk është shiriti i pikënisjes, por parulla e arritjes. Paqja lyp luftim, vuajtje, qëndresë. Kërkon çmimin e lartë të moskuptimit e të flijimit. E do të jetë i lum, si punëtor i paqes, jo ai që mendon se gjendet në pikëmbërritje pa u nisur kurrë, por kush niset”.
Paqja kërkon sot, madje thërret me zë të lartë: drejtësi, dinjitet, barazi, vëllazëri. Këto janë kryeurat jo vetëm të modernitetit të vërtetë, por të paqes së vërtetë. Ajo paqe që e bën cakun jo një prag për t’u kapërcyer, për të zhvatur e për të vrarë, por për t’u tejkaluar për të vrapuar në respektimin e dinjitetit të të tjerëve. Paqja që nuk shqetëson, nuk nguc, nuk bën thirrje, nuk jep shtysa, nuk trazon, nuk mund të na bëjë të kujtohemi kurrë për të tjerët, për ata që janë përtej kufirit. Tjetër gjë është paqja drejt të cilës duhet të priremi me guxim. Të kapërcesh cakun që është pjesë përbërëse e qenies sonë njerëzore do të thotë ta shikosh veten me sy dhe zemër të ndryshuar.
Siç e thekson Papa Françesku, “ideologjitë e reja, të karakterizuara nga individualizmi i përhapur gjithandej, nga egocentrizmi dhe konsumizmi materialist, i dobësojnë lidhjet shoqërore, ushqejnë mendësinë e mbeturinave, që çon drejt përçmimit dhe braktisjes së më të dobëtëve, të atyre që konsiderohen të padobishëm. Kështu bashkëjetesa njerëzore bëhet gjithnjë e më e ngjashme me një do ut des pragmatik dhe egoist”.
Ta analizosh veten në dritën e paradigmës së bujarisë do të thotë ta mendosh e ta ndjesh veten si i thirrur dhe i shtyrë për të qenë bujar.
Është e mundur, është e detyrueshme: të kapërcesh cakun do të thotë të shembësh pengesën e “vetvetes” për të ndërtuar qytetin e “ne-së”: civitas – qytetërimin njerëzor, atë që shërben, atë që dramatikisht ende nuk e kemi. Dhe që pret Krishti, paqja jonë, dhe, pas tij, ndërtuesit e paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.