2013-12-31 15:51:32

Siri. Kryeipeshkvi i Halebit: Kisha i ndihmon të gjithë, pa dallim feje apo përkatësie


“Kisha është e pranishme në Haleb, pavarësisht nga bombat, uria dhe i ftohtit i këtyre javëve. Dëshirojmë të jetojmë e të mbajmë fenë, duke treguar solidaritetin tonë me të gjithë, pa dallim feje apo ndasie. Ky është misioni ynë, kjo është detyra jonë”. Kështu pohoi për agjencinë AsiaNews Imzot Antoine Audo, kryeipeshkvi kaldeas i Halebit, i cili përshkroi jetën e popullsisë së atjeshme në këto ditë Krishtlindjesh nën “shiun e bombave”, që kanë shkaktuar më shumë se 500 të vdekur. Nuk kanë munguar, megjithatë, gjestet e solidaritetit dhe të bashkimit ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Sipas ipeshkvit, thirrjet e vazhdueshme të Papës për paqe i kanë ndihmuar meshtarët, prelatët dhe laikët për të mos e humbur shpresën dhe për ta ruajtur besimin në Hyjin. “Më 25 dhjetor – tregon Imzot Audo – kanë rënë të paktën 12 bomba në lagje të ndryshme, kryesisht në lagjet e krishtera, dhe kanë shkaktuar shumë viktima”. Ipeshkvi thekson se gjendja është përmirësuar gjatë ditëve të fundit, por në qytet të varfrit janë shumë. Bombardimet e regjimit dhe të kryengritësve, i ftohtit dhe çmimi i lartë i ushqimeve shkaktojnë rritjen e urisë në popullsi. Edhe klasa e mesme është varfëruar: “Fatkeqësisht nuk ia shohim fundin kësaj dhune – shpjegon kryeipeshkvi – askush nuk e di kur do të përfundojë kjo luftë. Gjithçka mund të pranohet, por jo kjo rrëmujë, që nuk na lejon të shquajmë asnjë rreze ndryshimi”. Kjo gjendje nuk i pengo të krishterët dhe Kishën për të vijuar veprën e saj të bamirësisë dhe të lutjes për paqen në Siri. Pavarësisht nga shpërthimet dhe nga rreziku për vdekje, qindra vetë kanë marrë pjesë në dy meshat e kremtuara në katedralen kaldease më 24 dhjetor dhe në paraditen e 25 dhjetorit. Urrejtjet dhe ndasitë, që po e dërmojnë shoqërinë siriane, nuk e kanë ndalur ndihmën për të varfërit dhe për familjet e të shpërngulurve.
“Gjatë këtyre muajve – thotë Imzot Audo – mijëra familje të lagjeve dhe të fshatrave të periferisë së Alepos janë strehuar në qendrën e qytetit, veçanërisht në lagjet e krishtera. Kisha i pranon të gjithë, pa dallim, edhe pse nganjëherë disa të krishterë nuk e kuptojnë këtë hapje, që nuk bën dallime ndërmjet feve dhe grupimeve politike”. Çdo ditë në lokalet e Kishës kaldease Karitasi organizon një drekë dhe shpërndarjen e ushqimit për ët varfrit e të shpërngulurit e zonës, kryesisht myslimanë. “Para disa ditësh – tregon kryeipeshkvi – një mysliman i moshuar më ndiqte me vrap, duke më shprehur me zë të lartë mirënjohjen për punën që po bëjmë dhe duke pohuar se ari i vërtetë shihet kur ka vështirësi. Për myslimanët ky ar është dashuria bamirëse e të krishterëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.