2013-12-31 17:39:44

Papa gjatë Mbrëmësoreve të Nënës së Zotit e Te Deum: solidaritet ndaj njerëzve të varfër, të mjerë, të vuajtur


Në frymën e mesazhit për Ditën Botërore të Paqes, me temë “Vëllazërimi, themel e udhë për paqen!” e të nxitjes së tij apostolike “Evagelii Gaudium” sonte, duke nisur nga ora 17.00, Papa Françesku kryesoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit Uratët e para mbrëmësore të së Shenjtnueshmes Nënës së Zotit si dhe "Te Deum", falënderimin drejtuar Hyjit në fund të vitit. Te Deum u kremtua në të gjitha katedralet e kishat famullitare të botës katolike në frymën e lutjes e të meditimit për një vit që kaloi e një tjetër vit që vjen, ngarkuar me ditët e veta ende të pajetuara.
E sonte, pas kremtimit të lutjeve të para mbrëmësore, kushtuar së Shenjtnueshmes Nënës së Zotit, Françesku lartoi për herë të parë, në bazilikën e Shën Pjetrit, në emër të Kishës universale, Te Deum, falënderim Zotit, në përfundim të një viti të pasur me hire, pa harruar kobet e shkaktuara nga episodet e rënda të luftës e të dhunës.
Papa e nisi homelinë me fjalët e Shën Gjonit “Arriti ora e fundit” (1Gjn 2,18), nga liturgjia e Meshës së 31 dhjetorit. Duke shpjeguar, menjëherë pas, se me ardhjen e Zotit në histori, jemi tashmë në kohët “e fundme”, pas të cilave do të kalohet në ardhjen e dytë e përfundimtare të Krishtit. Flitet për cilësinë e kohës, jo për sasinë, sqaroi Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh se me Jezusin, u plotësua koha, u plotësua kuptimi, u plotësua shëlbimi. E nuk do të ketë më zbulesë, por manifestim të plotë të asaj, që na zbuloi Krishti. Ky është edhe kuptimi i orës së fundit, sqaroi Ati i Shenjtë. Çdo çast i jetës sonë është i fundmi e çdo veprim, përplot me amshimin. Përgjigjja dhënë sot Zotit, që na do në Jezu Krishtin, ndikon fuqimisht mbi ardhmërinë tonë.
Nuk është ciklik, po linear, vizioni biblik e i krishterë i kohës, vijoi Papa, është udhë, që shkon drejt përmbushjes. Viti i kaluar nuk na çon drejt një realiteti, që përfundon, por drejt një realiteti, që kryhet; është hap i ri drej cakut, që kemi përpara; cak shprese e lumturie, sepse do të takojmë Zotin, arsye e shpresës sonë e burim i gëzimit tonë.
Ndërsa viti numëron orët e fundit, Papa u drejtoi besimtarëve ftesën:
T’i mbledhim, si në një shportë, ditët, javët, muajtë, që jetuam, për t’ia dhuruar të gjitha Zotit. E ta pyesim veten; si e jetuam kohën, që Ai na e dhuroi? E përdorëm kryesisht për vetveten, për interesat tona, apo ditëm ta shkrijmë edhe për të tjerët? E sidomos, për Zotin? Sa kohë ruajtëm për të ndenjur me Të, në lutje, në heshtje?”.
Më pas, mendimi i Papës kaloi në Romë, dioqeza e tij. E përshkroi si një mozaik, gurët e të cilit janë pikërisht banorët. Secili me përgjegjësinë e vet në ngjarjet e vitit të kaluar e të atij, që do të vijë; në cilësinë e jetës e të qytetarisë. Gjithçka varet nga ne të gjithë, kujtoi Ati i Shenjtë, e jo vetëm nga autoritetet:
Roma është qytet me bukuri të pashoqe, me pasuri shpirtërore e kulturore të jashtëzakonshme. E megjithatë edhe në Romë ka plot njerëz, që jetojnë në mjerim të thellë material e moral, të varfër, të palumtur, shpresëhumbur. Gjendja e tyre duhet të prekë jo vetëm ndërgjegjen e drejtuesve publikë, por edhe të çdo qytetari. Në Romë ndoshta ndjehet fuqimisht kontrasti ndërmjet mjedisit madhështor, ngarkuar me bukuri artistike, e mjerimit shoqëror”.
Pa harruar asnjë nga banorët e Qytetit të Amshuar, duke nisur nga turistët, për të kaluar tek refugjatët e tek të papunët, që detyrohen të dërmohen për një pagë të padenjë, Papa kërkoi për të gjithë, drejtësi e barazi, sepse secili ka dinjitetin e vet njerëzor.
Një meditim, pastaj, për këtë ditë të jashtëzakonshme të vitit:
“Është dita e fundit e vitit. Ç’do të bëjmë, si do të sillemi vitin e ardhshëm, për ta bërë pakëz më të mirë, më human, më mikpritës qytetin tonë?”.
Papa u kërkoi të gjithëve të jenë më të vëmendshëm, më bujarë, të bashkëpunojnë me fymë solidare, për të mirën e përbashkët.
Roma e vitit të ardhshëm do të jetë më e mirë, vijoi Papa, nëse njerëzit nuk do ta shikojnë vetëm nga larg, vetëm nga ’ballkoni’, pa u marrë fare me problemet e shumta njerëzore, problemet e burrave e të grave që, duam s’duam, janë vëllezërit tanë:
“Në këtë perspektivë, Kisha e Romës e ndjen veten gjithnjë të impenjuar për të dhënë kontributin e vet në jetën e ardhmërinë e qytetit; për ta frymëzuar me tharmin e Ungjillit, për të qenë shenjë e mjet i mëshirës së Zotit”.
Më pas, falënderimi drejtuar Zotit për gjithë vitin e kaluar:
“Sonte pëfundojmë Vitin e Zotit 2013, duke e falënderuar e duke i lypur falje. E falënderojmë për të gjitha të mirat, që na dhuroi, e posaçërisht për durimin e besnikërinë e Tij, që duken në rrjedhën e kohës e sidomos, në përmbushjen e saj, kur Hyji dërgoi Birin e Tij, të lindur nga gruaja (Gal 4,4)”.
Nëna e Zotit, në emër të së cilës nesër do të bëjmë një hap të ri në shtegtimin tonë tokësor, na mësoftë ta mirëpresim Hyjin e bërë njeri, që çdo vit, çdo muaj, çdo ditë, të jetë përplot me dashurinë e tij të amshuar”, përfundoi Papa.
Në këtë liturgji të fundvitit, lavdërimi e falënderimi drejtuar Zotit, shoqërohet edhe me një rrëmim të sinqertë të ndërgjegjes personale e komunitare. Të gjithë i kërkojmë falje Zotit për mungesat e për fajet, të sigurt se Hyji, i pasur me mëshirë, është pafundësisht më i madh se mëkatet tona. E pikërisht “mëshira” është fjala që kemi dëgjuar më dendur në këto muaj papnie.
E sonte, duke iu drejtuar besimtarëve të dioqezës së tij të Romës, që mbushnin përplot Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku kremtoi “Te Deum”, Himn i falënderimit drejtuar Hyjit për vitin 2013-të, që po perëndon e për 2014-tën që duket në horizontin e jetëve tona.
Në përfundim të Mbrëmësores, Ati i Shenjtë doli nga Bazilika e shkoi për të viztuar Shpellën monumentale të Betlehemit, në Sheshin e Shën Pjetrit.
Kujtojmë se sivjet Shpella e Betlehemit, e vendosur si zakonisht tek këmbët e Obeliskut, në kornizën e shkëlqyer të Kolonatit berninian, titullohet: “Françesku 1223-Françesku 2013”. Hera e parë që Sheshi i Shën Pjetrit shikon një Shpellë Betlehemi napoletane. E, duke u nisur nga atmosfera e kësaj Shpelle, Papa Françesku i drejtoi sonte botës edhe urimet për Vitin e Ri 2014.
Nesër, më 1 janar, Ati i Shenjtë do të kryesojë Meshën e Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit, po në Bazilikën e Shën Pjetrit, prej nga do të përhapet në mbarë botën mesazhi papnor për Ditën Botërore të Paqes 2014. Është një ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjatë tërë vitin, e prandaj Ati i Shenjtë i fton të gjithë ta lexojnë mesazhin e të thellohen në kuptimin e fjalëve që përbëjnë titullin e tij: “Vëllazërimi, themel e udhë për paqen!”.










All the contents on this site are copyrighted ©.