Krishtlindja, në kryevepra proze. Shën Niketa: “Te Deum”(Emisioni XXVII)
Emisioni XXVII i rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze” i kushtohet himnores
të ditës së fundit të vitit, titulluar “Te Deum”, himn i krishterë, shkruar në prozë,
ndoshta nga Shën Niketa, ilir. Në Kishën katolike ‘Te Deum’ lidhet me kremtimet e
falënderimit. Sipas traditës, këndohet mbrëmjen e 31 dhjetorit, si falënderim lartuar
Zotit për vitin, që numëron ditën e fundit. Këndohet edhe në Kapelën Sikstine, kur
zgjidhet papa, në përfundim të ndonjë Koncili e në raste të tjera të kësaj natyre. Të
shumtë, autorët, të cilët kujtohen, kur bëhet fjalë për atësinë e këtij Himni. Në
fillim mendohej të ishte krijuar nga Shën Çipriani i Kartagjenës; më pas, nga Shën
Ambrozi, në vitin 386, në ditën kur u pagëzua. Por sot pothuajse të gjithë studiuesit
janë të një mendjeje se autori i tekstit dhe i muzikës së këtij himni të famshëm,
që u bëri ballë shekujve, është Shenjti ilir, Niketa. Shën Niketa (tek sllavët:
"sveti Nikita"), lindur rreth vitit 335, vdekur pas vitit 414, ipeshkëv i Remesianës
(sot Bela Palanka, pranë Nishit) nga viti 366, jetoi në shekullin IV, pak a shumë
në të njëjtën kohë me Shën Jeronimin. I njohur edhe me emrin "shën Niketa i Dardanisë",
qe teolog, autor homelish, shkrimesh katekistike (me rëndësi, vepra De explanatione
symboli), traktatesh e, ka shumë mundësi, edhe i himnores së mirënjohur "Te Deum,
laudeamus" - "Ty, o Zot, të lavdërojmë". Të paktën që nga fillimi i shekullit të kaluar,
kur britaniku A. E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë "Niceta of Remessiana",
dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botës iliro-shqiptare. Vetë Shën Niketa shkruan
me dorën e tij: "Dardanus sum" - jam Dardan. Himni ka tri pjesë: e para, deri tek
Paraclitum Spiritum, është lavd trinitar drejtuar Atit; pjesa e dytë, nga Tu
rex Gloriae, lavd për Krishtin Shëlbues; e treta, nga Salvum fax, vijim
lutjesh e versetesh, shkëputur nga libri i Psalmeve. Himni u muzikua disa herë,
nga autorë të ndryshëm, si Palestrina, de Viktoria, Händel, Bruckner, Berlioz, Mendelssohn,
Mozart, Haydn, Verdi, Puccini e të tjerë, më pak të njohur. Preludi i Te Deum
H. 146 i Charpentier, u përdor si sigël për fillimin dhe përfundimin e transmetimeve
në Eurovizion.
Ja edhe Himni, që këndohet sonte në të gjitha Kishat katolike
të botës, me tekst në gjuhën shqipe:
Ne të lavdërojmë, o Hy, Të shpallim
Zot. O Atë i amshuar, toka mbarë të adhuron. Ty të këndojnë Engjëjt, E mbarë
Pushtetet qiellore: Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti Hyji i gjithësisë. Qielli
e toka janë plot me lumni tënde. Të brohoret kori i Apostujve, Radha e ndritshme
e martirëve, Profetët njëzëri të lavdërojnë, E Kisha Shenjte shpall lumninë
tënde, Birin tënd të vetëm adhuron E Shpirtin Shenjt ngushëllues. O Krisht,
mbret i lumturisë, Bir i amshuar i Atit, Ti linde nga Virgjëra Nënë për shëlbim
të njeriut. Ngadhënjyes mbi vdekjen, Ia hape portat e qiellit besimtarëve. Ti
rri në të djathën e Atit, Do të vish të gjykosh botën në fundin e kohëve. Ndihmoi
bijtë e tu, o Zot, Që i shpërbleve me gjakun tënd të çmuar. Pranoi në lumninë
tënde, Në tubimin e shenjtorëve. Shpëtoje popullin tënd, o Zot, Priji e mbroji
bijtë tu. Çdo ditë të bekojmë, Lavdërojmë përgjithmonë emrin tënd. Denjohu,
o Zot, Të na ruash pa mëkat. Me ne qoftë gjithmonë mëshira jote: Në ty shpresuam. Mëshirë,
o Zot, mëshirë për ne. Ti je shpresa jonë S’ do të jemi të pështjelluar në amshim!
Latinisht
Te Deum laudámus: te Dóminum confitémur. Te ætérnum Patrem, omnis
terra venerátur. Tibi omnes ángeli, tibi cæli et univérsæ potestátes:
tibi chérubim et séraphim incessábili voce proclámant: Sanctus, Sanctus,
Sanctus, Dóminus Deus Sábaoth. Pleni sunt cæli et terra maiestátis glóriæ
tuæ. Te gloriósus apostolòrum chorus, te prophetárum laudábilis númerus,
te mártyrum candidátus laudat exércitus. Te per orbem terrárum sancta
confitétur Ecclésia, Patrem imménsæ maiestátis; venerándum tuum verum et
únicum Fílium; Sanctum quoque Paráclitum Spíritum.
Tu rex glóriæ,
Christe. Tu Patris sempitérnus es Filius. Tu, ad liberándum susceptúrus hóminem,
non horrúisti Virginis úterum. Tu, devícto mortis acúleo, aperuísti credéntibus
regna cælórum. Tu ad déxteram Dei sedes, in glória Patris. Iudex créderis
esse ventúrus. Te ergo quǽsumus, tuis fámulis súbveni, quos pretióso sánguine
redemísti. Ætérna fac cum sanctis tuis in glória numerári.
Salvum
fac pópulum tuum, Dómine, et bénedic hereditáti tuæ. Et rege eos, et extólle
illos usque in ætérnum. Per síngulos dies benedícimus te; et laudámus
nomen tuum in sǽculum, et in sǽculum sǽculi. Dignáre, Dómine, die isto
sine peccáto nos custodíre. Miserére nostri, Dómine, miserére nostri. Fiat
misericórdia tua, Dómine, super nos, quemádmodum sperávimus in te. In
te, Dómine, sperávi: non confúndar in ætérnum.