2013-12-31 14:47:38

Koreja e Jugut: Kisha lutet për Korenë e Veriut


Katolikët e Koresë së Jugut “duhet të luten në mënyrë të veçantë për vëllezërit dhe motrat e Veriut, që Zoti t’i bekojë me begati, t’u japë dashuri, përdëllim e hir”. Kështu shkruan Kryeipeshkvi i Seulit, Imzot Andrea Jeom Su-Jung, në mesazhin drejtuar besimtarëve me rastin e Vitit të Ri: “Të dashur vëllezër e motra, t’i urojmë mirëseardhjen 2014-ës me shpresë e me shumë ëndrra. Zoti ju ndenjtë pranë çdo ditë të këtij vitit të ri!”. Në tekstin e shpërndarë nga agjencia AsiaNews, prelati shkruan: “Të gjithë shpresojnë për një jetë të lumtur, por lumturia e vërtetë ndodhet brenda gjendjes shpirtërore të secilit. Nëse jemi mirënjohës për çfarë kemi dhe nëse e ndajmë me të tjerët, mund ta gjejmë lumturinë fare lehtë: duke jetuar me dashurinë për të tjerët”. Megjithatë, shton Kryeipeshkvi i Seulit, “shumë njerëz e kanë të vështirë të jenë të lumtur, sepse janë tepër të babëzitur e të përqendruar tek vetvetja. Për këtë arsye Krishti ka përkufizuar të ‘lumë të varfrit në shpirt’. Duhet të jetojmë një jetë të përvuajtur e duhet ta vëmë në duart e Hyjit. Kjo është e vërteta, çelësi i lumturisë, që nuk duhet ta harrojmë kurrë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.