2013-12-31 14:47:18

Kamerun: lirohet misionari francez i rrëmbyer në nëntor


Presidenti francez François Hollande (Fransua Oland) lajmëroi sot paradite lirimin e priftit francez Georges Vandenbeusch, i cili qe rrëmbyer në mesin e nëntorit të kaluar në Kamerun. Në komunikatën e dhënë me këtë rast, kreu i shtetit francez falënderon “të gjithë ata që punuan pa pushim për këtë çështje, veçanërisht autoritetet e Kamerunit e të Nigerisë” dhe “posaçërisht presidentin Paul Biya (Pol Bija) për angazhimin e tij personal”. Ministri i jashtëm i Francës Laurent Fabius (Loran Fabius) udhëton sot për në Kamerun për ta pritur personalisht meshtarin e marrë peng e të liruar.
Qytetari francez 42 vjeçar Atë Georges Vandenbeusch u rrëmbye në natën ndërmjet 13-14 nëntorit 2013 në skajin verior të Kamerunit, në famullinë e tij të Ngueçuit (dioqeza Maroua-Moloko), 30 kilomentra nga kufiri me Nigerinë. Një grup prej rreth dhjetë njerëzish të armatosur rëndë e kanë zhvendosur pengun e tyre në Nigerinë e afërt dhe janë paraqitur si anëtarë të grupit islamist nigerian Boko Haram. Edhe autoritetet kameruneze e franceze kanë mbledhur prova në bazë të të cilave “është shumë e mundshme” të dilet në përfundimin se rrëmbimi është realizuar nga organizata në fjalë, por ipeshkvi i Maroua Makolo thotë se rrëmbyesit dukeshin “banditë të thjeshtë”, që flisnin anglisht dhe në dialektin e zonës hausa. Megjithatë, rrëmbyesit nuk kanë kërkuar një çmim për lirimin e famullitarit misionar.
Në një email dërguar miqve të tij pak kohë para rrëmbimit, Atë George kishte përshkruar gjendjen e zonës ku banonte dhe zhvillonte veprimtarinë e tij baritore. Ndër të tjera, në atë letër thoshte se Kameruni shërbente si vendstrehim i islamistëve të kërkuar në Nigeri, se këta nuk kishin mëtime as plane luftërash për momentin në Kamerun dhe denonconte “mundësinë për tensione me bazë fetare” në atë zonë, ku “pjesa më e madhe e refugjatëve nigerianë janë të krishterë, që në vendin e tyre të prejardhjes janë të detyruar të ndërrojnë fe, të vdesin ose të arratisen”.
Selia e Shenjtë shprehu sot kënaqësinë për lirimin e meshtarit francez. Atë Federico Lombardi drejtoi një thirrje për t’u lutur për të gjithë njerëzit që mbahen peng padrejtësisht në të gjithë botën.








All the contents on this site are copyrighted ©.