2013-12-30 13:13:36

Mesazhi i Krishtlindjes i imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës


“Krishtlindja na mëson që ta refuzojmë mënyrën njerëzore të besimit në pushtetin dhe forcën e njeriut”. Kështu shkruan ipeshkvi i Lezhës, imzot Ottavio Vitale, në mesazhin e tij për Këshndellat. Ta dëgjojmë...RealAudioMP3

Fort të dashur Vëllezër e Motra,
Si çdo vit tjetër, ja ku mbërriti Krishtlindja. Kjo ngjarje i zbulon botës mënyrën e të menduarit të Hyjit. Shenja që iu dha barinjve për ta njohur Jezusin fëmijë është befasuese. Atyre nuk iu tha se do të gjenin një fëmijë të mbështjellë me dritë, me fytyrë engjëlli, me një aureolë në kokë, të rrethuar nga një trupë qiellore. Asgjë nga këto! Ata do të gjenin atje një fëmijë absolutisht normal me vetëm një karakteristikë të veçantë: ai është i varfri mes të varfërve.
Kjo lindje zbulon që prej fillimit, në mënyrë të qartë, mënyrën e të menduarit të Hyjit. Disa njerëz priren të mendojnë se fuqia e të keqit mund të kapërcehet duke i përdorur armët e tij: paranë, mashtrimin dhe korrupsionin. Ata madje mendojnë se dhuna mund të zhduket me dhunë më të madhe dhe se luftërat e përgjakshme mund të ndalen vetëm me luftëra të tjera të përgjakshme. Përkundrazi, porosia e natës së Krishtlindjes na flet për një Hyj që zgjedh varfërinë dhe dobësinë dhe na mëson që ta refuzojmë mënyrën njerëzore të besimit në pushtetin dhe forcën njerëzore. Një lloj logjike që edhe ne të krishterët mund të tundohemi ta injorojmë dhe të mos arrijmë ta pranojmë.
Për këtë arsye, që prej lindjes së tij, Jezusi ka zgjedhur të jetë në mesin e atyre që jetojnë në shtresat më të ulëta të shoqërisë: mëkatarët, të lënët pas dore, ata që pësojnë vuajtje të mëdha dhe ata që nuk kanë asgjë. Janë ata, jo “të drejtët”, që e presin me ankth Fjalën shëlbuese dhe çliruese të Hyjit. Jezusi vazhdon të mbesë përkrah këtyre njerëzve, duke iu drejtuar atyre me një gjuhë të thjeshtë, duke përdorur shëmbëlltyrat e tyre. Ai bashkëndan gëzimet dhe vuajtjet e tyre; qëndron në anën e tyre kundër kujtdo që kërkon t’i izolojë nga shoqëria. Të varfrit, të paditurit, të përçmuarit e njohin menjëherë dhe e pranojnë me gëzim, pasi Jezusi vjen që t’i shndërrojë e për ta përmirësuar gjendjen e tyre.
Nga ana tjetër janë ata që kanë pushtet: të pasurit, të fuqishmit, zotërinjtë e luftës, ata që jetojnë në pallatet e tyre larg nga njerëzit e nga problemet e tyre, të bindur se dinë gjithçka dhe se zotërojnë gjithçka që është e nevojshme për ta lumturuar vetveten; e nganjëherë rrezikojnë të mendojnë se janë të vetëmjaftueshëm. Këta njerëz kanë vështirësi t’i shohin nevojat e atyre që nuk kanë. Edhe për këtë kategori njerëzish vjen Jezusi, për t’i ndihmuar që të mësojnë të gëzojnë në bashkëndarjen e asaj që kanë.
Le të lutemi që zjarri i dashurisë dhe pasioni për drejtësi të na vënë në lëvizje për të kërkuar një solidaritet të vërtetë me një veprim më të madh në dashurinë vëllazërore, duke iu afruar më shumë atyre që kanë nevojë.
Të gjithëve, ju uroj Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri!

† At. Ottavio Vitale, rcj








All the contents on this site are copyrighted ©.