2013-12-30 18:36:17

Ipeshkvinjtë e Filipineve japin mesazhin e paqes


Disa javë pas tufanit Hajan, në mesazhin e Vitit të Ri, kryetari i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Filipineve i ftoi besimtarët ta shmangin dhunën, që po kërcënon shoqërinë :
“Lutemi që të marrin fund rrëmbimet, lutemi që të ndalet dhuna. Kërkojmë të marrë fund terrorizmi dhe të pendohen të kurruptuarit, tha në mesazhin e tij me titullin “T’ia nisim nga fillimi” kryeipeshkvi Sokrates Vilegas:
“Lutemi për paqen në Siri, për shërimin e çdo zemre të trazuar. Lutemi për viktimat e tufanit, që të rimëkëmbën sa më shpejt e të rifillojnë jetën”.
“Sot – thuhet gjithashtu në mesazh – është festa e paqes, që të gjithë të jetojnë të bashkuar. Lutemi që të marrë fund lufta e të mos ketë më uri. Lutemi që sundimi i terrorit dhe pushteti i armëve të shkrihen nga mëshira e Hyjit, falë gjakut të Birit të tij të vetëm”.
Kryeipeshkvi Vilegas thekson nevojën për ndjenja pozitive për vitin që po vjen, duke u mbështetur në Hyjin e risive: “Ja, Zoti i bën të reja të gjitha gjërat, Hyji i fillimit të ri... E vështrojmë vitin, që po lëmë pas, me mirënjohje për bekimet e tij. Vështrojmë me padurim drejt vitit të ri, me shpresën se më e mira duhet ende të vijë. Ne besojmë në dashurinë e tij plot butësi, të sigurt në përqafimin e Birit të tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.