2013-12-29 12:51:24

Festa e Familjes Shenjte nëpër botë, së bashku me Papën Françesku


Sot, në festën e Familjes Shenjte, Papa Françesku tha lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, duke ia kushtuar pikërisht Ditës së festës, e cila është kremtuar në të gjithë botën. Papa kishte shkruar edhe një lutje të veçantë për këtë qëllim, të cilën ia lartoi Zotit së bashku me besimtarët e shumtë të pranishëm në shesh. Në lidhje video me Vatikanin, besimtarët e Madridit, të Loretos, të Nazaretit e të Barcelonës, qytete, ku festa e familjes ka pasur jehonë të madhe dhe është shoqëruar me veprimtari, që kanë filluar që të premten.
Sot, në Loreto, në Shenjtëroren e Shtëpisë Shenjte, Delegati papnor, imzot Xhovani Tonuçi, kremtoi meshën, në përgatitje të Asamblesë së përgjithshme të jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë “Sfidat baritore të familjes në kuadrin e ungjillëzimit”. Kujtojmë se asambleja do të mbahet në tetor të vitit 2014, por Kisha Katolike fillon të lutet për mbarëvajtjen e saj që tani.
Ndërkaq, në Tokën e Shenjtë, në Nazaret, në Bazilikën e Lajmërimit të Zojës, ishte pikërisht Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, imzot Lorenco Baldiseri, ai që e kremtoi meshën kushtuar familjes.
Në Madrid të Spanjës, veprimtaritë kanë filluar që të premten. Në Sheshin Colòn, janë mbledhur këtyre ditëve mijëra familje nga e gjithë Evropa për të kremtuar festën e Familjes Shenjtë. Motoja e zgjedhur për këtë Ditë ishte “Familja, vend i privilegjuar”, frazë e zgjedhur pikërisht nga fjalët e Papës Françesku drejtuar të rinjve në Ditën Botërore të Rinisë së Rio-de-Zhanejro. Tri ditë festë, që u kurorëzuan sot, me lidhjen në video me Atin e Shenjtë e me meshën e kremtuar nga kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Antonio Maria Ruoko Varela. Ditën e sotme të Familjes Shenjte, Konferenca Ipeshkvnore Spanjolle e festoi me temën “Dhëndërr e nuse, baba e nënë për hirin e Tënzot”. Ipeshkvijtë kërkojnë që në legjislacionin spanjoll të hyjnë sa më shpejt terma themelore si “baba, nënë, bashkëshort, bashkëshorte”, për të kuptuar më mirë se kemi të bëjmë me sekse të ndryshme. Deri tani, termat e përdorura janë “prindër e bashkëshortë”, pa specifikime.
Në Panama, me rastin e Festës së Familjes Shenjte, Konferenca Ipeshkvnore organizoi një Marrshim për Familjen. Në orën 8.00, u transmetua në televizion Mesha e kremtuar nga Nunci Apostolik, imzot Andrés Karraskoza Kozo. Më pas, nga të gjitha dioqezat, besimtarët u nisën në marrshim për të dëshmuar vlerat e familjes tradicionale.







All the contents on this site are copyrighted ©.