Mesazhi i Papës Françesku për Takimin evropian të të rinjve të Tezesë në Strasburg
Papa Françesku u dërgon një mesazh të rinjve të Tezesë, të mbledhur në Strasburg për
Takimin e 36-të evropian, duke u siguruar afërsinë e tij e duke u kujtuar takimin
e bukur të vitit të kaluar në Romë. Tokat e Alsasës dhe të Ortënosë, ku zhvillohet
takimi i këtij viti, shkruan Ati i Shenjtë, pavarësisht se kanë përjetuar konflikte
të tmerrshme, janë shndërruar në simbole shprese, pasi aty lindi familja evropiane.
Papa e quan fortësisht simbolik, takimin e sivjetëm, që zhvillohet njëkohësisht në
dy vende të ndryshme, në Francë e në Gjermani, karakteristikë e Strasburgut, ku kalon
kufiri ndërmjet tyre. Evropa, nënvizon Ati i Shenjtë, ka nevojë për impenjimin, guximin
e fenë tuaj. Duke kujtuar temën e Taizé-së për vitin e ardhshëm, në kërkim të
bashkimit të dukshëm ndërmjet atyre që e duan Krishtin, Papa Françesku vëren se të
rinjtë janë të vetëdijshëm që ndarja ndërmjet të krishterëve është pengesë e madhe
në misionin e Kishës dhe në besueshmërinë e mesazhit të krishterë. Është e mundur
të mësojmë nga të tjerët, nënvizon Ati i Shenjtë, duke hyrë kështu në frymën e bashkësisë,
e cila mbledh të krishterët e konfesioneve të ndryshme. Në fund, Papa Bergolio
u jep të gjithëve bekimin e tij apostolik e uron që fryma e paqes dhe e Ungjillit,
që mbizotëron në takimet e Taizé-së, të përhapet ndërmjet të gjithë bashkëkohësve.