2013-12-27 17:15:32

Krishtlindja, në kryevepra proze. Angjelilo d’Ambrozio:“Delja e zezë”(Emisioni XXIV)


Në emisionin XXIV të rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”, rrëfimi “Delja e zezë”, shkruar nga Gjuzepe d’Ambrozio Angjelili. Autori, i lindur në Akuaviva delle Fonti, 57 vjeç, është shkrimtar, artist i penelit, titullar i Shtëpisë Botuese Akuaviva, quajtur kështu për nder të vendlindjes. Jeton në Milano e njihet kryesisht për tregimet e tij të shkurtërta. Kur e pyetën sa faqe ka botuar deri më sot, dha përgjigjen proverbiale: “Nëse ia nis të numërosh faqet, jepi fund krijimtarisë”.
Tregimi i sotëm bie erë grazhd. Lidhet ngushtë me botën baritore. Sepse na çon pikërisht në një mjedis mrizesh, ku një ditë prej ditësh, pikërisht pak para se të ulej Krishti prej Parrizit, lindi një dele e pazakontë: krejt e zezë. Simbolike, figura e deles. Që nuk e donte askush. Mëkatare, veç pse e zezë. E po aq simbolik, takimi i saj me Krishtin Fëmijë...

Na ishte një herë një dele, që ndryshonte nga të gjitha të tjerat. Delet, e dinë të gjithë, janë të bardha. Ndërsa ajo ishte krejt e zezë. E zezë pisë.
Kur kulloste livadhesh, të gjithë talleshin me të, sepse, në mes të grigjës, dukej si njollë boje mbi një çarçaf të bardhë.
- Shih, shih, një dele e zezë! Ç’kafshë e çuditshme!- thoshte kushdo që e shihte. Edhe shoqet i viheshin mbrapa, duke e përgojuar: “E kujt i duhet një dele si ti? Krejt ndryshe nga të tjerat? E zezë? Në një botë, ku dihet se delet duhet të jenë të gjitha njësoj, të bardha!”. Talleshin e talleshin me të aq, sa ia sollën në majë të hundës. S’mundi t’i duronte më e vendosi të ikte në bjeshkë, vetëm. Atje do të kulloste në paqë në lëndinat barnjoma e do të pushonte pa e trazuar kush, nën hijen e çetinave.
Por as në bjeshkë nuk gjeti paqe. E ç’jetë është kjo? Jetë qeni. Vetëm qyqe - thoshte me vete, kur perëndonte dielli e mbi male binte nata e zezë, si leshi i saj. E ushtonin grykat, nga ulurimat e ujqërve të uritur.
Një natë, me lot në sy, pa diku larg një shpellë, të ndriçuar nga një dritë e zbehtë. “Do të flej aty”, mendoj e u nis me të katra. Vraponte, si ta ndiqte kush prapa. “Kush je?”, e pyeti një zë, sapo vuri këmbët brenda.
“Jam një dele, që nuk e do askush: dele e zezë! E dëbuar nga grigja!”.
“E njëjta gjë na ndodhi edhe ne! Nuk na pranuan në hotel, ku flen gjithë bota! Na u desh të strehohemi këtu, unë Jozefi e fati im, Maria. Pikërisht këtu erdhi ndër ne ky fëmijë i bukur. Ja ku është!
Delja mend fluturoi nga gëzimi. Ajo, e zeza, e dëbuara, e pa Krishtin Fëmijë para të gjitha deleve të tjera.
“Do të ketë ngrirë, tha. Më lini t’i afrohem e ta ngroh!”.
Maria e Jozefi iu përgjigjen me një buzagaz. Delja iu afrua fort ferishtes e nisi ta ledhatojë me leshin e saj të butë, të ngrohtë.
Jezusi u zgjua e i pëshpëriti në vesh: “Pikërisht për ty erdha: për delen e humbur!”.Delja nisi të blegëronte nga lumturia. Ndërsa engjëjt, nga qielli, i këndonin në kor Foshnjës së Betlehemit, këngën e Lavdisë!







All the contents on this site are copyrighted ©.