2013-12-27 17:15:54

Flut’rojnë engjëjt në viset tona: historia, teksti, muzika


Titullohet “Les anges dans nos campagnes”, një nga këngët më të kënduara të Krishtlindjes. Tingujt e saj, bashkë me fjalët, fluturojnë mbi viset e mbarë botës. Jehona e këngës gazmore tund kodra e male. Barinjtë pyesin: “Kush kthen ngadhënjimtar nga beteja me himne kaq gazmore?”. E si marrin gjegje, nisen së bashku me grigjët e tyre, kah Shpella e Betlehemit. Ka ardhur koha aq e pritur! Krishti, Mesia, Zoti-me-ne, ka zbritur prej qiellit, i rrethuar prej koreve qiellore.
Këtë atmosferë krijon kënga, teksti e muzika e së cilës lindën në Francën e shekullit XVIII, në një natë të papërcaktuar Këshndellash. E panjohur, kisha ku u këndua së pari. E panjohur, koha. E i panjohur edhe autori i tekstit e i muzikës, në të cilën ndjehet fort frymëzimi i himneve të Mesjetës, që këndoheshin gjatë kremtimeve për lindjen e Jezusit. Në këngë bashkojnë zërat engjëj e barinj e grigjë, e himni i krijimit të ri fluturon mbi botën mbarë. Prej këndej, bota mbarë e këndon himnin e lashtë francez “Les anges dans nos campagnes”, të përkthyer në një mori gjuhësh. Madje kënga shpesh këndohet me strofa të përkthyera në gjuhë të ndryshme, duke krijuar kështu frymën e vëllazërimit universal, që i kapërcen edhe kufijtë e gjuhëve.
Kështu e këndojmë edhe ne, redaktorët e Radio Vatikanit, ku flitet me 40 gjuhë, kur mblidhemi së bashku në Kapelën e Zojës Nunciatë për Meshën e Krishtlindjes, pas një viti pune, ngarkuar me shqetësimet e mbarë botës. E këndojmë një strofë frëngjisht, një anglisht, një spanjisht e madje edhe një polonisht. E ne, shqiptarët, nën zë, me tekst në gjuhën shqipe. Provoni ta këndoni edhe ju, duke ndjekur melodinë e saj tejet të njohur:

Flut’rojnë Engjëjt në viset tona,
E këndojnë himne qiellore.
Tunden malet nga jehona,
E kësaj kënge kaq gazmore!

Lumni Zotit i qoftë në qiell!
Lumni Zotit i qoftë në qiell!

Barinjtë pyesin kush kremton?
Kush i këndon këngët e reja?
Kush fitoren po feston,
Duke kthyer nga beteja?

Lumni Zotit i qoftë në qiell!
Lumni Zotit i qoftë në qiell!

O barinj erdh çasti i lum,
Sot Mesisë ne t’i këndojmë,
Zbardhi dita pritë aq shumë,
Shpëtimtarin të adhurojmë.

Lumni Zotit i qoftë në qiell!
Lumni Zotit i qoftë në qiell!

Më poshtë, teksti në gjuhën frënge:
Les anges dans nos campagnes
ont entonné l'hymne des cieux;
et l'echo de nos montagnes
redit ce chant melodieux.
Gloria in excelsis Deo!
Gloria in excelsis Deo!
Bergers, pour qui cette fête?
Quel est l'objet de tous ces chants?
Quel vainqueur, quelle conquête
mérite ces cris triomphants?
Gloria in excelsis Deo!
Gloria in excelsis Deo!
Ils annoncent la naissance
du libérateur d'Israël;
et pleins de reconnaissance
chantent en ce jour solemnel.
Gloria in excelsis Deo!
Gloria in excelsis Deo!







All the contents on this site are copyrighted ©.