2013-12-27 17:13:34

Bashkësia e Tezesë: në Strasburg të rinjtë e mbarë Evropës


Më se 20 mijë të rinj nga mbarë Evropa, e edhe nga kontinentet e tjera, do të arrijnë më 28 dhjetor në Strasburg, për etapën e 36-të të shtegtimit të besimit, organizuar nga Bashkësia e Tezesë. Ndërmjet të rinjve, 4500 janë polakë, 2600 ukrainas, 1400 italianë, 1200 kroatë, 1000 biellorusë… Së bashku me të rinjtë e Alsasës e të zonës gjermane të Ortenaos, që do t’i mikpresin, do të jenë 30 mijë të rinj, pjesëmarrës në këtë takim të paharrueshëm rinor. Së bashku, nga mbarë bota, djem e vajza në lule të rinisë, për të kremtuar me lutje e hare rinore, Vitin e Ri 2014.
Përmes katër propozimeve për 2014-tën, që do t’i marrin sapo të arrijnë, vëllai Alois, i pari i Tezesë, u kujton:
“Ata, që e duan Krishtin në mbarë botën, formojnë një bashkësi të madhe miqësie. Mund të japin një kontribut të pallogaritshëm, për të shëruar plagët e njerëzimit. Pa dashur t’i detyrojmë, mund të favorizojnë solidaritetin botëror, që nuk përjashton asnjë popull, asnjë njeri”.
Çdo mëngjes, kujtohet në faqen e internetit të Bashkësisë së Tezesë, të rinjtë do të mblidhen në më se dyqind famulli mikrpritëse, në të dy brigjet e Renit, në Francë e në Gjermani, për një çast lutjeje, gëzimi, jete të përbashkët.
Sipas programit, nesër, 28 dhjetor, do të arrijnë pjesëmarrësit, të cilët do të mikpriten në familje e, në mbrëmje, do të mblidhen për një çast lutjeje të përbashkët në vende të caktuara. E diela do të hapet me meshë në famullitë mikpritëse, ndërsa pasdite, në pika të ndryshme të qytetit, do të mbahen takime kushtuar përshpirtërisë, temave shoqërore, historisë dhe artit në Evropë.
Në mbrëmje, një çast tjetër lutjesh të përbashkëta në parkun e Ekspozitave të Vaeken.
Të hënën, më 30 e të martën, më 31 dhjetor, programi parashikon çaste lutjesh për paqen dhe “festën e popujve”, që do të kremtohet në famullitë mikpritëse. Më 1 janar, pas drekës së fundit në familje, të rinjtë pjesëmarrës do të rikthehen në vendet e tyre, përplot me mbresat e takimit të Strasburgut, duke ëndërruar takimin e ardhshëm, të 37-tin, pas një viti, në një vend, që do ta njohin para se të nisin përsëri shtegtimin drejt viseve të tyre, me aromën e lutjes, të miqësisë, të vëllazërimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.