2013-12-27 17:12:24

Atë Lombardi: Papa Françesku e vuri me forcë Kishën në lëvizje


Dorëheqja e Benediktit XVI, zgjedhja e Papës Françesku. 2013-ta ishte vit vërtet i jashtëzakoshëm për Kishën. Për një bilanc, duke nisur nga gjesti profetik i Papës Benedikti, intervistuam atë Federiko Lombardin, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit dhe i Radios sonë:

Përgjigje: - Është vendim, që la gjurmë mbi këtë vit, e do të lërë edhe mbi epokat e ardhshme të Kishës. Mendoj se do të ketë pasoja edhe për papnitë e ardhshme. Është hapje e një udhe, krijim i një mundësie që, siç thoshte Benedikti XVI, pikërisht duke shpjeguar shkakun e dorëheqjes, lidhet ngushtë me kohët, në të cilat jetojmë. Nuk lidhet aq me gjendjen personale, sa me vendosjen e ngjarjeve në kohë e me problemet, që krijojnë. E këtë Papa e pa me shumë qartësi, e edhe me shumë përvujtëri, duke dashur pikërisht t’i japë Kishës një prijës me forca të reja, siç e quajti ai vetë.

Pyetje: - Papa Françesku u bë, në pak kohë, figurë tejet familjare në nivel botëror, gjë që i prek shumë jo vetëm të krishterët. A është e mundur të na bëni një bilanc të këtyre nëntë muajve të Papnisë së Françeskut?

Përgjigje: - Natyrisht përputhja e gjesteve dhe fjalëve të Papës Françesku lë mbresa absolutisht të thella në botën e sotme. Mendoj se i përgjigjen dëshirave të mbarë njerëzimit, që ka nevojë për dashuri, për sjellje njerëzore, për falje, për marrëdhënie të sinqerta, ngushëllim e inkurajim. Pra, diçka që preku kordat më të ndjeshme të zemrave e të personalitetit njerëzor në përgjithësi, gjë që ndikoi mbi të gjitha kontinentet, mbi të gjitha vendet, mbi të gjitha situatat e ndryshme të jetës së burrave e të grave të kohës sonë. Besoj se themelor është kumtimi i dashurisë së Zotit, mëshirës, afërsisë me të gjithë, i dëshirës për të bërë mirë e për t’i parë të shëlbuar të gjitha krijesat e Tij. Është diçka, që u kuptua përmes gjesteve efikase e fjalëve të thjeshta, me të cilat u përcoll kumtimi. Shembja e mureve ndërmjet Papës e njerëzve që takoi, u kuptua drejtpërdrejt nga të gjithë. Papa u përgjigjet të gjithëve, sepse kumton me fryt dashurinë e Hyjit Atë për të gjitha krijesat e veta.

Pyetje: - Që nga gjestet dhe fjalët e para, Papa Françesku ngjalli interes të jashtëzakonshëm në mjediset kishtare, e jo vetëm. Ç’mund të presim vitin e ardhshëm, duke menduar edhe për takimet e rëndësishme të Këshillit të të tetëve?

Përgjigje: - Besoj se duhet të presim e të shpresojmë se ky impuls i madh përtëritjeje, ky fryt i kumtit të mesazhit të krishterë, që po arrin Papa Françesku, do të mund të përhapet në mbarë Kishën, sepse sot për sot është diçka që ne e shikojmë në Romë e që është shumë e përqendruar rreth tij, edhe pse e dimë që ndikimet mbi botën janë të ndjeshme; njerëzit po rikthehen në rrëfyestore, po marrin pjesë në funksionet liturgjike. Shikojmë, prandaj, si përhapet valë-valë efekti i afërsisë e i dashurisë së Zotit, përmes Kishës. E në këtë drejtim, Papa Françesku është model i vërtetë bariu. Por baritoria e tij duhet të përhapet, të bëhet stil i veprimtarisë në të gjithë Kishën. Modifikimet strukturore, reformat, për të cilat flitet aq shumë, duhen e vlejnë, parë gjithnjë në shërbim të frymës e të kumtimit të Ungjillit, misionit të Kishës për ta kumtuar Ungjillin deri në skajet më të fundme të tokës. Atëherë duhet të shpresojmë se Këshilli i tetë kardinajve ose këshille të tjera, do të mund t’i realizojnë. Po mua ky më duket aspekt i dorës së dytë. Në rend të parë është gjithnjë kumtimi i Ungjillit e misioni i Kishës.

Pyetje: - Françesku është i pari papë jezuit në histori…

Përgjigje: - Shikoj një përkim të thellë ndërmjet përshpirtërisë së Papës e mënyrës si e drejton Kishën, me përshpirtërinë injaciane, posaçërisht në kuptimin e qenies gjithnjë për udhë, duke e kërkuar e duke e gjetur ditë për ditë vullnetin e Zotit, për t’i shërbyer sa më mirë e për të realizuar atë, që jezuitët e quajnë “për lavdinë më të madhe të Tij”. Atëhere fakti i ecjes gjithnjë përpara, i përpjekjes për të kërkuar e për të gjetur gjithnjë gjëra të reja, të cilat Zoti i do nga ne, në jetën tonë, është diçka që e karakterizon thellësisht, më duket, mënyrën si qeveris Papa. Kemi hyrë në një situatë, në të cilën Kisha është vënë për udhë. Nuk paraqiten objektiva të përcaktuara, figura të sakta si do të organizohet Kisha nesër, për t’i arritur këto objektiva. Duhet të vihemi për udhë, duhet të bëjmë kthesë, duhet t’i mirëpresim të papriturat, që sjell Zoti në jetën tonë e të kuptojmë për ku po na thërret. Në situatat e realitetet, në të cilat ndodhemi. Prej këndej, kuptimi i Kishës në lëvizje, i Kishës në shtegtim, Kishës shtegtare, në përpjekjen për të kryer misionin e saj, më duket se është një nga aspektet shpirtërisht më karakteristike të kësaj papnie.









All the contents on this site are copyrighted ©.