2013-12-26 13:47:50

Papa: të krishterët diskriminohen edhe në vendet, që e mbrojnë lirinë; të denoncohet kjo padrejtësi!


Gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, në festën e Shën Shtjefnit, martir i parë i krishterimit, Papa Françesku i nxiti gjithë të krishterët të luten për ata, që persekutohen nga shkaku i besimit në Jezusin. Papa kujtoi se persekutimet janë rast për ta dëshmuar fenë. Por megjithatë, theksoi, kjo padrejtësi duhet denoncuar e duhet zhdukur. Më pas vërejti se edhe në vendet, që e mbrojnë lirinë, të krishterët ndeshen me kufizime e diskriminime.RealAudioMP3

Në atmosferën gazmore të Krishtlindjes, një përkujtim, që duket sikur e ndërpret harenë: ai i Shën Shtjefnit, martirit të parë të Kishës. Ky përkujtim, vërejti Papa Françesku, mund të duket krejt pa vend. Krishtlindja është festa e jetës, festa, që ngjall ndjenjat e prehjes e të paqes. Pse, atëhere, pyeti Papa, ta trazojmë mahnitjen me kujtimin e një dhune kaq mizore? Në të vërtetë, shpjegoi, në këndvështrimin e fesë, festa e Shën Shtjefnit është në përkim të plotë me domethënien e Krishtlindjes:
“Në martirizim, dhuna mundet nga dashuria, vdekja nga jeta. Kisha shikon në flijimin e martirëve ‘lindjen e tyre për qiell’. Ta kremtojmë, pra, sot ‘lindjen’ e Shën Shtjefnit, që buron nga thellësia e Lindjes së Krishtit. Jezusi e shndërron vdekjen e atyre, që e duan, në agim të jetës së re”.
Në martirizimin e Shtjefnit, shtoi Ati i Shenjtë, riduket ballafaqimi ndërmjet së mirës e së keqes, urrejtjes e faljes, butësisë e dhunës, që arriti kulmin e vet në Kryqin e Krishtit:
Kujtimi i martirit të parë vjen, kështu, menjëherë, për ta zhdukur figurën e Krishtlindjes: figurën përrallore e të sheqerosur, që në Ungjill nuk ekziston. Liturgjia na çon tek kuptimi i vërtetë i mishërimit, duke e lidhur ngushtë Betlehemin me Kalvarin e duke na kujtuar se shpëtimi hyjnor kërkon luftën kundër mëkatit, kalon përmes portës së ngushtë të Kryqit”.
Kjo, nënvizoi Papa, është udha, që Jezusi ua tregoi qartë dishepujve të vet, siç na e vërteton Ungjilli i sotëm: “Do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Po kush do të qëndrojë deri në fund të fundit, do të shëlbohet”. Prandaj Papa, në vijim, u bëri thirrje besimtarëve të bashkojnë me të zërat në lutjen për të krishterët, që pësojnë diskriminime për shkak të dëshmimit të Jezu Krishtit e të Ungjillit të Tij:
Jemi pranë këtyre vëllezërve e motrave që, si Shën Shtjefni, akuzohen padrejtësisht e i nënshtrohen tipeve të ndryshme të dhunës. Jam i sigurt se, për fat të keq, janë më të shumtë sot, se në kohët e para të Kishës, janë shumë! Kjo ndodh posaçërisht atje, ku liria fetare nuk garantohet ende, ose nuk është realizuar plotësisht”.
Gjithsesi, vijoi të reflektonte Papa, edhe në vendet e mjediset që, në letër, i mbrojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut, të krishterët ndeshen vazhdimisht me kufizime e dikriminime. Papa u kërkoi besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit të luten në heshtje për gjithë të krishterët, viktima të persekutimeve:
Për të krishterin kjo nuk është ndonjë çudi, sepse Jezusi e paralajmëroi si rast i përshtashëm për të dhënë dëshmi. Gjithsesi, në planin civil, padrejtësia duhet denoncuar e duhet zhdukur. Maria, Mbretëresha e Martirëve, na ndihmoftë ta jetojmë Krishtlindjen me atë zjarr feje e dashurie, që pasqyrohet në Shën Shtjefnin e në të gjithë martirërt e Kishës”.
Ndalesa pranë Shpellës së Betlehemit, përfundoi Papa, mund të ngjallë në shpirtin e të gjithëve impenjimin e fisëm për ta dashur njëri-tjetrin; e të ndihmojë që në familje e në bashkësitë e ndryshme të jetohet kjo atmosferë e ngarkuar me frymën e vëllazërimit, e cila i shërben aq shumë së mirës së përbashkët.











All the contents on this site are copyrighted ©.