Introvinje: persekutimet e të krishterëve vijojnë; të paktën 70 mijë të vrarë gjatë
vitit 2013
Sot Kisha përkujton Shën Shtjefnin, martirin e parë, që e mbytën me gurë, nësa i lutej
Zotit të mos i dënonte vrasësit e tij për këtë krim kaq të shëmtuar. Të duket sikur
flitet për ngjarje tashmë të perënduara. Ndërsa historia na kujton se persekutimi
vijon. Se jo vetëm në shekujt e kaluar, por edhe sot, shumë të krishterë vriten për
shkak të fesë. Në relacionin e vitit 2012 u fol për rreth 100 mijë të krishterë të
vrarë. Për t’u njohur me ‘shifrat’ e martirizimit gjatë vitit 2013, ftuam, në mikrofonin
tonë, koordinatorin e Vëzhguesit për lirinë fetare në Itali, Masimo Introvinje:
Përgjigje:
- Statistika është mjaft e diskutueshme. Pati edhe polemikë ndërmjet Todd Xhonsonit,
ndoshta më i miri specialist i statistikave fetare në botë, e Bbc-së. Gjithçka varet
nga disa situata afrikane, posaçërisht në Kongo, e tani edhe në Sudanin e Jugut, si
dhe nga pyetja sa nga ata, që humbën jetën në këto situata, mund të quhen të mbytur
për shkak të fesë së tyre, në atë që Xhonson e quan ‘situatë dëshmie’. Të dhënat e
përfundimtare për vitin 2013, do të njihen në muajt e parë të vitit 2014, por është
e mundur edhe që, me uljen e numrit të të krishterëve të vrarë në Afrikë, shifra të
zbresë nga 100 mijë, në 70-80 mijë.
Pyetje: - Raporti vjetor i 2013-tës
i Komisionit të SHBA mbi lirinë fetare ndërkombëtare, sinjalizon tetë vende, që ngjallin
shqetësim të posaçëm. Janë: Birmania, Kina, Eritrea, Irani, Koreja e Veriut, Arabia
Saudite, Sudani e Uzbekistani. Situata e cilit nga këto vende të prek më shumë?
Përgjigje:
- Besoj se të gjithë i prek situata në Korenë e Veriut; jo vetëm sepse këtu vijon
vrasja e të krishterëve, por sidomos sepse të krishterët vijojnë të jenë, nuk janë
zhdukur nga persekutimet e pamëshirshme të mëparshme. E prej këndej, duket qartë se
edhe në një situatë tejet të vështirë, në një vend, që e kufizon në kulm lidhjen me
botën e jashtme, ka njerëz, e edhe të rinj, të cilët nuk njohin tjetër, veç edukatës
së regjimit, që e dëshmojnë në një farë mënyre fenë e tyre, vijojnë të kthehen në
kristianizëm, të mbyllen në kampet e shfarosjes e edhe të vriten. Natyrisht, ato që
përfshihen në listën e SHBA nuk janë të vetmet vende, që ngjallin shqetësim, sepse
ka edhe më. Kemi një yjësi vendesh, në të cilat kalohet nga dhuna e përhapur, në format
e dhunës ligjore. Nuk duhet t’i harrojmë kurrë, për shembull, ligjet që dënojnë blasfeminë
në Pakistan, përdorimin e të cilave si mjet kundër të krishterëve e njohim shumë
mirë, siç na e tregon edhe rasti i Asia Bibit.
Pyetje: - Nigeria,
për shembull, është një vend tjetër, që shkakton shqetësim…
Përgjigje: -
Po. Veç duhet sqaruar se këtu problemi nuk krijohet nga qeveria nigeriane, por nga
disa lëvizje fanatikësh të ultrafondamentalizmit islamik, posaçërisht nga njëri, i
njohur me emërin Boko Haram. Prej këndej, duke parë përtej numrave, ka rëndësi të
themi se këta të krishterë nuk u vranë të gjithë nga ndjekësit e feve të tjera. Natyrisht,
sapo cituam Nigerinë, ekziston problemi i lëvizjeve islamike ultrafondamentaliste,
pa harruar këtu, dy elemente: i pari, lidhet me regjimet komuniste, që ekzistojnë
akoma e janë tejet të ashpra. E shikojmë këtë në Korenë e Veriut. I dyti ka të bëjë
me ndeshjet ndërmjet fiseve. E, në këtë rast, është shumë e vështirë të sqarohet nëse
të krishterët u vranë për fenë e tyre, apo sepse i përkisnin fisit “të gabuar”.
Pyetje:
- Është, pastaj, Evropa, ku, natyrisht, nuk ka forma dhune të këtij niveli kundër
të krishterëve, por nuk mungojnë edhe këtu, rastet e kufizimeve e të diskriminimeve
ndaj tyre…
Përgjigje: - Po. Ndaj të krishterëve e ndaj njerëzve që besojnë,
në përgjithësi. Mendoj se e thotë si s’ka ku të vejë më mirë në Evangelii gaudium,
Papa Françesku, kur na kujton se ka një mendësi, e cila do të dëshironte ta mbyllte
plotësisht fenë në sferën private, t’i mbyllte besimtarët në kisha, në sinagoga, në
xhami. Për derisa janë të mbyllur aty e të luten, sipas kësaj mendësie, gjithçka shkon
fare mirë. Por kur përpiqen ta manifestojnë publikisht fenë e tyre në arenën shoqërore
e politike, fillojnë diskriminimet, për të mos thënë persekutimet e mirëfillta. Më
preku thellë Papa Françesku, kur citoi një libër të vjetër që, siç tha, i bëri shumë
mirë. Është fjala për librin “Padroni i botës’, i shkrimtarit anglez Robert Hugh Benson,
i cili përshkruan pikërisht një situatë ku të krishterët persekutohen e edhe vriten,
kur kërkojnë të japin dëshmi publike të fesë së tyre, edhe në arenën shoqërore e politike.
Papa tha: “Po ju ndoshta besoni se këto gjëra ndodhin vetëm në romane, ose se ndodhnin
vite më parë? Jo! Ndodhin edhe sot e kësaj dite!