“Jezusi është dhuratë e Hyjit”: simbolet e Krishtlindjes
Krishtlindja, kremte e dhuratës. Hyji ua bën gjithë banorëve të tokës, qëgëzimi i tyre të ndrisë, si drita në mes terrinave të natës. Hyji na dhuron
një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më të bukur:
Birin e tij të dashur. Jezu Krishti është dhantia e Hyjit! E edhe prova
më e madhe e dashurisë së Atit tonë qiellor për ne.
Betlehemi ndodhet
në malësitë e Judesë. Është qyteti, ku lindi Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej
mbreti i madh i Izraelit. Qytet i etërve të Jozefit. Ndryshon shumë nga Jeruzalemi,
kryeqyteti krenar, 7 kilometra më në veri të vendit.
Shpëtimtari, është
fjalë që përdorej dendur në kohën e Jezusit. E do të përdorej edhe më shumë në kohët,
që do të vinin, në ditët tona e në ditët, që nuk kanë aguar akoma, për të dëbuar errërirën.
Njerëzit kërkonin, kërkojnë e do të kërkojnë një shpëtimtar, sepse kanë gjithnjë nevojë
për shpëtim. Por, duhet dalluar shpëtimtari nga Shpëtimtari: të mos harrojmë. Asokohe
edhe perandori romak quhej ‘shpëtimtar’. Po Jezusi nuk është perandor. Nuk është
shpëtimtar njerëzor. Ai është Mesia! Është Zoti!
Grazhdin e dijnë të
gjithë ç’do të thotë; është vendi ku vihet ushqimi për gjënë e gjallë. Në një grazhd
do ta pushonte shtatin Jezusi i posalindur, sepse për Të nuk u gjend asnjë vend tjetër
në gjithë qytezën e Betlehemit. Barinjve u jepet pikërisht kjo shenjë, që të mund
ta njohin Zotin: “Do të gjeni një foshnjë, të vënë mbi një grazhd”.
Barinjtë
atëherë u nisën dhe e gjetën të vënë mbi kashtën e një grazhdi. Po sot, ku ndodhet,
që të shkojmë ta takojmë edhe ne, ta adhurojmë, bashkë me barinjtë e lashtë? Miq,
afrojuni e shikoni! Dhantia e Hyjit u duk përsëri mbi një grazhd! Ja, Biri i Hyjit,
i lindur në varfëri. Ejani, miq, të këndojmë këngën e lumnisë!