Rruga per me shkue në Vorrezat e Rrëmajit në Shkoder, mbas dates 4 Nandor të vitit
1990 nuk merrej vesh ma a asht “pjacë shetitje” apo rrugë vorrezash... Vizitorë nga
të gjitha anët e vendit drejtimin e kishin nga vorrezat katolike, ata nuk largoheshin
pa u ndalue tek Çinarët e Rrëmajit... Edhe muri kufizues nga Zalli i Kirit ishte rrëzue!
Vorrezat vazhdonin deri tek Penda e Kirit, aty ku shenjat e plumbave nder gurë
ishin per sa vite mbas 1944, plumba që kishin rrëzue perdhe mija Atdhetarë... Filloi
tragjedia e pergjakëshme Shqiptare me 25 Mars 1945, dhe vazhdoi deri në vrasjet mizore
të demokratëve Shkodranë me 2 Prillit 1991... E kur, u duheshin shkrepë “gotat” me
gjakun e Rinisë Shqiptare, Ramiz Alia i mbushte ato nder piramidat e kufinit... Me
24 Dhjetor 1990, Naten e Këshndellave drejtë Rrëmajit ishin drejtue prap si me 11
Nandor njerëz nga të kater anët e Shqipnisë. Nuk besoj se mujte kush me tregue se
sa mijë vetë mund të ishin atë natë nder Vorre. Vetem ardhja e një Heroi ishte që
sillte heshtjen e plotë! Vetem gjurmët e Tij në zhavorin e rrugës mes selvijave ndiheshin
kur vinte mes djelmëve trima që e shoqnonin...E kur vazhdonte ecjen burrnore me atë
gjoks luani perpara, plasnin duertrokitjet e pershëndetjet pa u kuptue as nga vetë
Populli... Ishte Don Simon Jubani! Kleriku Katolik Shqiptar i Shkodres së Lirë...
Bash i asaj Shkoder, që me 11 Nandor 1990, Ai i kishte këputë pergjithmonë vargojt
e prangave të robnisë ma të përgjakuna komuniste të anadollakëve terroristë Enver
Hoxha e Ramiz Alia, dy nga diktatorët ma barbar që ka provue per 47 vjetë Shkodra
e Shqipnia Martire. Dritat e ndezuna festive nga të kater anët dhe vargjet e
tyne të varuna nder të gjitha selvijat, qira e kandila vaji nder të gjitha Vorrezat
apo fëtyrat e gzueme dhe të qeshuna të të gjithë të pranishemëve, e banin atë ambjent
të bukur, një Natë Feste! Shumë shumë vite kishte kalue Shkodra pa mujtë me u
afrue tek dyertë e Kishës apo, pa ndigjue tingujt e bukur të kumbonëve në mesnatë
që lajmonin se ka lé Mesia! Gati ishte harrue kanga tradicionale e Këshndellave: “O
e qeta Natë!...” Fëmijët kishte kohë që nuk mendonin me zbukurue Betlemin e vogel
që sillte festen në shtëpijat e të gjithë besimtarëve bashkë me buzmin pranë vatres
Shkodrane, ku dikur, rreth saj nuk i mungonte as ma fukarasë vargu i fiqëve të thatë,
arrat, bukfikja e gota e venës... Gjithë qyteti i Shkodres dukej si një “Betlem”...dikund,
aty brijë Cukalit... Shkodra e dhunueme në pranga festonte prap Krishtlindjen... Selvijat
e vorreve të zbukurueme me drita ndriçonin rrugen mes tyne, ku grumbuj të rinjshë
e pleqësh pothuej kishin harrue se Kryqat perrreth edhe veshtrojnë...e sejcili, pyeste
veten: “A thue me të vertetë mori fund terrori komunist edhe në Shqipni?” O Zot,
sa vetë janë nder vorrezat e Shqipnisë, që vdiqën tue pritë këte ditë! Shikoheshim
me sy të perlotun e uronim njenitjetrin... “Per shumë mot!...” Asht e vertetë
që brezi ynë mujti me mbijetue në një nga qendrat ma të egra dhe të pashpresë shpetimi
nga kthetrat e diktaturës së mnershme komuniste, po humbjet dhe zhdukjet që nuk mujtën
me lanë as gjurmët e veta janë kenë shumë të mëdha. Humbjen e tregon ma shumë
se gjithshka mungesa e theksueme e lirisë fjalës dhe mendimit, dhe kryesisht, tek
trashigimtarët e mija e mija të persekutuemëve politik të cilët, nuk kanë mujtë me
ruejtë asgja nga kujtimet e paraardhësve të vet. Diktatura tek né ishte e pakrahasueshme
me vendet tjera komuniste... Nuk mund të ruhej një foto, një fletore me shenime kujtimesh,
dhe as nuk bahet fjalë per dorshkrime librash... Ajo që e ban Shkodren me mendue
ma shumë asht vransina e mbramjes në një kand të largët të malit Taraboshit, që quhet
Rumija e Krajës...Aty ku dy rê në darkë, i sjellin Shkoderloces së nesermën shtergaten
e rrebeshin që shoqnojnë fortunen... Qyteti kje i permbytun mbi 47 vjet nen robni
e terror... Janë pikrisht rêtë e zeza shoqnue me rrufé që sivjet u dukën diten
e 29 nandorit, nder vorrezat e Deshmorëve të Tiranës,..gati më shkoj goja me thanë
Tiranës së “kuqe”! Fatkeqësi... *** Don Simon Jubani nuk jeton ma! Kështu,
kujtojnë “disa” që nuk perkujtojnë as Veprat e Tija të Mëdha, tue fillue nga Heroizmi
e vuejtja në Burgun e Burrelit... Don Simon Jubani nuk zehet me gojë kur flitet
per thyemjen e Perdes së Hekurit në Rrëmaji të Shkodres, me daten 4 e 11 Nandor 1990... Don
Simon Jubani nuk mund të kujtohet vetem se, guxoi me shpreh të Verteten që parashikonte
nga larg...se do të ngjasin shumë afer, dhe pikrisht me 29 nandor 2013, diten e vdekjes
së Lirisë së Popullit Shqiptar, në vitin fatzi të robnisë sllave të 1944... Don
Simon Jubanit, ashtu si të gjithë Atyne Burra e Gra Shkodrane që dhanë jeten per Liri
dhe Demokraci, nuk besoj se i kanë vue as tek dera e Vorrezave të Rrëmajit një pllakë
perkujtimore, në shenjë mirnjohje... po, edhe kujtese ndaj vepres së Tij! Don
Simon Jubani solli në Shkoder Lirinë e Fesë! Kurrë mos harroni, se edhe Gurtë
e thëmelit të Asaj Pendë Kirit, janë të zhytun në Gjakun e Martirëve të Shkodres,
që dhane jeten per Një Shqipni të Lirë e Demokratike! E Demokracia, gjithmonë
asht fryt i Lirisë dhe i Drejtësisë... Shkodranë, mos kujtesa sjellë harresen
dhe... Harresa, sjellë edhe “persëritjen” e Historisë... Jo, Vllazen e Motra
Shqiptarë, mbas 47 vjetësh Gjenocid komunist... Né, nuk e harruem urimin... Per
shumë mot Krishtlindjen!