2013-12-23 17:46:20

Betlehemi në festë


Qyteti i vogël, ku lindi Krishti, tashmë është plot me shtegtarë nga të katër anët e botës. Asnjë vend i lirë në bujtina. Ashtu si në Natën e Shenjtë, më se dymijë vjet më parë. Dyndje, pra, e jo vetëm këto netë festive. Betlehemi priti e përcolli gjatë vitit në kalim, më se dy milionë e gjysëm shtegtarë, 18% më shumë se në vitin 2012.
Ky qytet ka një forcë të pakundërshtueshme tërheqëse aq, sa edhe në kohë të papërshtatshme, vala e shtegtarëve vijon të drejtohet nga Bazilika e ngritur mbi Shpellën e Varfër, ku në një natë të acartë erdhi ndër ne Shëlbuesi i botës. Ndonëse vijojnë kufizimet, sepse vijon edhe pamundësia për sigurimin e masës së njerëzve, të cilët dëshirojnë të shkelin këto ditë mbi atë tokë, që u shenjtërua nga Jezusi. E, që kur UNESCO e përfshiu Bazilikën e Lindjes së Krishtit në trashëgiminë e vet, duke e konsideruar, me të drejtë, pasuri të njerëzimit mbarë, shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë. Kryesorja, restaurimi i Bazilikës, ndërtuar në shekullin IV, rregullimi i Rrugës së Yllit, ku ecën Zoja e Jozefi për të arritur tek shpella, tani e ndriçuar me drita ngjyra-ngjyra. Më se 300 dyqane zejtarie i ftojnë shtegtarët të ndalohen para krijimeve të artizanatit artistik, kujtime të kësaj vizite krejt të jashtëzakonshme në Sheshin e Grazhdit, stolisë këto ditë me një bredh të gjatë 15 metra, ardhur nga Kina.







All the contents on this site are copyrighted ©.