2013-12-22 16:10:04

Papa në Engjëllin e Tënzot uron Krishtlindje shprese, drejtësie, vëllazërimi


“Urime të gjithëve. Ju uroj Krishtlindje shprese, drejtësie e vëllazërimi!”. Me këto fjalë e përfundoi sot Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, gati për festë. E ky Shesh sot u tund nga breshëria e duartrokitjeve, kur Françesku u bëri thirrje autoriteteve të të gjitha niveleve ta mbrojnë të drejtën e çdo familjeje për të pasur një strehë. E, pastaj, thirrja që, kush lufton për drejtësinë shoqërore, ta mposhtë tundimin e dhunës.
Mendimi shpirtëror, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, iu kushtua figurës së Shën Jozefit. Njeri i mirë, e quajti Papa, që e pranoi vullnetin e Zotit, pa e helmatisur shpirtin me dyshime e krenari.

Uroj që çdo familje të ketë një shtëpi. Që kjo, e të drejta të tjera themelore për jetën, të mbrohen, por pa përdorur kurrë dhunën. E edhe që Krishtlindja e afërt të jetë festë drejtësie, vëllazërimi, shprese.
Siç ndodh shpesh me Papën Françesku, fjala e tij prek drejtpërdrejt zemrat, posaçërisht kur lihet mënjanë teksti zyrtar. Kur Ati i Shenjtë nis t’u flasë pikërisht zemrave, nga zemra. E kjo ndodhi edhe sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e dhjetra mijëra njerëzve, mbledhur poshtë dritares së Papës për lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot, para Krishtlindjes.
Mendimi para lutjes mariane iu kushtua plotësisht Shën Jozefit, madhështisë së shpirtit të atij që, në çastin e parë, mendoi ta këpusë lidhjen me Marinë. Po pastaj e zgjeroi zemrën aq, sa të zërë misionin më të madh, që Zoti ia besoi njeriut. Atëherë, para së gjithash, bëri vullnetin e Zotit:
“Nuk ngulmoi ta vijonte jetën, ashtu si e kishte menduar, nuk lejoi që mllefi t’ia helmatiste shpirtin, por u tregua i gatshëm për ta pranuar të renë, të cilën e mori vesh në një mënyrë krejt pështjelluese. Po sa herë ne urrejtja, antipatia e deri mllefi na e helmatisin krejt shpirtin. E sa keq e ndjejmë veten. Të mos e lejojmë kurrë këtë, prandaj: Jozefi është shembull. Kështu ai u bë më i lirë, më i madh”.
Vlerësimi i Jozefit, i aftësisë së tij për të qenë njeri i drejtë, sipas Zotit, ishte gati-gati prolog i asaj, që tha Papa pas lutjes së Engjëllit të Tënzot. Shtytja e parë i erdhi nga një parullë e madhe, që lexohej edhe nga dritarja e tij:
“E lexoj atje, me shkronja të mëdha: 'Të varfërit nuk mund të presin'. E bukur! E kjo më bën të mendoj se Jezusi lindi në stallë, nuk lindi në shtëpi. E unë mendoj sot, edhe duke e lexuar këtë, për shumë familje pa shtëpi, sepse nuk e patën kurrë, ose e humbën për arsye nga më të ndryshmet. Familja e shtëpia shkojnë bashkë. Është tepër e vështirë ta mbash familjen, pa banuar nën një strehë. Këto ditë Krishtlindjeje, i ftoj të gjithë - njerëz, ente shoqërore, autoritete - të bëjnë ç’është e mundur, që çdo familje të ketë një shtëpi”.
Më pas, horizonti u zgjerua edhe më. Kronikat italiane të këtyre ditëve po flasin shumë për protesta e ndeshje në sheshe, ku manifestojnë njerëz në kërkim të punës e të sigurisë së përditshme, sepse edhe këto, njëlloj si shtëpia, janë të domosdoshme për të jetuar me dinjitet. Po kriza, që s’di të marrë fund, e la shumëkënd pa to. Një grup prej manifestuesve pati njoftuar se do të ishte i pranishëm edhe në Sheshin e Papës, e Ati i Shenjtë nuk mund t’i zhgënjejë shpresat e njerëzve, që kërkojnë të drejtat e veta:
“Atyre, që janë mbledhur sot në Itali për të manifestuar impenjimin shoqëror, u uroj të japin kontribut konstruktiv, duke i mposhtur tundimet, që çojnë në ndeshje e dhunë e duke ndjekur gjithnjë udhën e dialogut në mbrojtje të të drejtave”.
Edhe urimi përfundimtar i Papës Françesku u përshkua nga fryma e solidaritetit, në atmosferën, që ngjallin vetë Festat e mëdha:
“U uroj të gjithëve të diel të gëzuar e Krishtlindje shprese, drejtësie dhe vëllazërimi!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.