2013-12-21 17:32:05

Ati i Shenjtë të sëmurëve të vegjël të Spitalit të Krishtit Fëmijë: Jezusi është gjithnjë pranë jush, ka lidhje të veçantë me ju!


U prit me emocion e gëzim të madh, Papa Françesku, në Spitalin Pediatrik të Krishtit Fëmijë, mbi kodrën romake të Gjanikolos. Ishte një vizitë shumë e dëshiruar nga të sëmurët e vegjël, që do të zgjaste rreth 2 orë e 45 minuta. Papën e priti një grup fëmijësh me kombësi të ndryshme dhe autoritetet e Spitalit. Ndërmjet tyre, dukesha Maria Gracia Salviati, nga familja themeluese e spitalit që, më 1924, iu dhurua Selisë së Shenjtë. Të pranishëm, edhe imzot Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, si dhe paraardhësi i tij, kardinali Tarçizio Bertone. Ndërsa përjashta, rreth 4 mijë vetë.Fëmijët i dhuruan Papës një “zemër”, simbol i fushatës së Spitalit për përtëritjen e terapisë intensive kardiokirurgjike, një album me piktura bërë me duart e tyre dhe një buqetë me trëndafilë të bardhë, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Lulet u vendosën tek këmbët e Zojës, në pavionin e urgjencës e të pranimit. E Papa u tha fëmijëve:
“Posaçërisht me ju, fëmijët, Jezusi ka një lidhje të veçantë, është gjithnjë pranë jush”.
Rreth orës 17.00, pasi kishte bekuar ambulancën e re të rimëkëmbjes pediatrike, Ati i Shenjtë shkoi në Kapelë, ku e prisnin tridhjetë fëmijë me forma të ndryshme tumorale, të shoqëruar nga prindërit:
“Zoti është drita ime e shpëtimi im, nga kush do të druhem? Zoti është mbrojtja e jetës sime, nga kush do të kem frikë?”.
Shqiptuar nga një vajzë e vogël, kjo strofë e Psalmit 27, tingëlloi me një guxim, që mund të burojë vetëm nga feja. Ndërsa ëndrrat dhe shpresat e të sëmurëve të vegjël ishin mbledhur në një shportë, shkruar në letra fëminore, dhuratë për Papën. Ati i Shenjtë i falënderoi të sëmurët e vegjël për këtë dhuratë, kaq të pazakontë:
“Ju falënderoj për ëndrrat e lutjet tuaja, mbledhur në shportën, që më dhatë. Ju falënderoj nga zemra. T’ia paraqesim së bashku Jezusit: Ai i njeh më mirë se të gjithë. Ai njeh atë, që e kemi në fund të zemrës sonë”.
Pranë Kapelës ishin nënat e baballarët e grupit “Fëmijët në qiell”, që nuk i kanë më krijesat e tyre. Një nënë i dhuroi Papës një ëngjëll, simbol i fëmijëve, që kanë fluturuar në një botë më të mirë, ndërsa presidenti i Spitalit, Gjuzepe Profiti, i dhuroi Ipeshkvit të Romës një strukturë të re, një projekt për strehimin e nënave të fëmijëve nevojtarë, në bashkëpunim me Karitasin Dioqezan:
“Realizimi i këtij vendi është dhuratë për ju, këtë Krishtlindje të Shenjtë. E do të na pëlqente që, me bekimin tuaj, të quhej “Shtëpia Françesku”. E edhe që t’i paraprijë një serie të gjatë veprash të tjera”.
Për çudi të të gjithëve, Papa nuk e mbajti fjalimin e parashikuar. I pëlqeu më shumë të shkelë ngapak në të gjitha repartet e ndryshme të spitalit, ku u takua me fëmijët dhe familjet e tyre.
Ndërmjet vogëlushëve, të cilët i dolën para Papës, ishte dhe fëmija i parë në botë që mori, më 2010, në Spitalin e Krishtit Fëmijë, një zemër artificiale të përhershme.








All the contents on this site are copyrighted ©.