2013-12-20 16:24:16

Papa: misteri i takimit tonë me Zotin kuptohet në heshtje, larg publicitetit


Vetëm heshtja e ruan misterin e udhës, që bën njeriu me Zotin. E pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës, kryesuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Zoti, shtoi Papa, na jep hirin ta duam heshtjen. E heshtja duhet ruajtur, larg çdo publiciteti.

Në historinë e shëlbimit, nuk janë zhurma, as dalja sheshit, por hija e heshtja “vendet” që zgjodhi Zoti, për t’iu dëftuar njeriut. Kufij të vagëlluar, ku misteri i tij mori herë pas here formë të dukshme, mori mish e gjak.
U frymëzua nga fragmenti i sotëm ungjillor i Lajmërimit të Zojës, Papa. Posaçërisht nga çasti, kur Engjëlli i kumton Marisë se fuqia e të Tejetlartit ‘do ta mbulonte me hijen e vet”. Gati-gati, kujtoi Papa, e njëgjëjtë, si hija, ishte edhe reja, me të cilën Zoti i mbrojti hebrenjtë në shkretëtirë:
“Zoti ka pasur gjithmonë kujdes për misterin, e ka mbuluar gjithnjë. Nuk ka bërë publicitet për misterin. Misteri, që bën publicitet për vete, nuk është i krishterë, nuk është mister i Hyjit: është mister i rremë! E kjo i ndodhi Zojës së Bekuar në çastin e lajmërimit, kur mori të Birin: misteri i amësisë së Saj virgjërore është i mbuluar. E mbuluar, gjithë jeta e Saj. E Ajo e dinte. Kjo hije e Zotit, në jetën tonë, na ndihmon të zbulojmë misterin; misterin e takimit me Zotin, misterin e ecjes sonë në udhët e jetës, me Zotin”.
Secili nga ne, pohoi Papa, e di sa misteriozisht vepron Zoti në zemrën tonë, në shpirtin tonë. E cila është, shtoi Ati i Shenjtë, reja, pushteti, stili, me të cilin e mbulon Shpirti Shenjt misterin tonë?”:
“Kjo re në ne, në jetën tonë, quhet heshtje: heshtja është pikërisht reja, që mbulon misterin e marrëdhënies sonë me Zotin, e shenjtërisë sonë, e mëkateve tona. E këtë mister nuk mund ta shpjegojmë. Por kur në jetën tonë thyhet heshtja, misteri humbet, zhduket. Misteri duhet ruajtur me heshtje. Kjo është reja, është pushteti i Zotit për ne, kjo është forca e Shpirtit Shenjt”.
Nëna e Krishtit ishte ikona e përkryer e heshtjes. Nga kumti i amësië së Saj e deri në Kalvar. Mendoj, vërejti Papa Françesku, sa herë iu desh të heshtë, e sa herë nuk e tha atë, që ndjente, për të ruajtur misterin e lidhjes së Saj me të Birin. Deri në heshtjen më zemërçjerrëse, tek këmbët e Kryqit:
Ungjilli nuk na thotë asgjë për këtë: nuk na tregon tha a nuk tha ndonjë fjalë … Heshti, po brenda zemrës së Saj sa fjalë u thanë! Sa gjatë foli me Zotin! ‘Ti, atë ditë, më pate premtuar se do të ishte i madh; më pate thënë se do t’i jepshe fronin e Davidit, atit të tij, se do të mbretëronte përgjithmonë. E tani, e shikoj atje!’. Zoja ishte njerëzore! E ndoshta-ndoshta kishte dëshirë të thoshte edhe: ‘Gënjeshtra! U mashtrova!”. Gjon Pali II e ka pohuar këtë, duke folur për ndjesitë e Zojës në këtë çast tragjik. Po ajo diti ta mbulojë misterin, që nuk e kuptonte, me heshtje, e me këtë heshtje e la këtë mister të rritej, të gjethonte e të çelte lule shprese”.
Heshtja e ruan misterin, prandaj misteri i lidhjes sonë me Zotin, i udhës sonë, i shëlbimit tonë, përsëriti Papa Françesku, nuk mund të nxirret në vitrinë, nuk mund të bëhet plaçkë publiciteti. Zoti na dhëntë hirin të duam në heshtje, ta ruajmë zemrën tonë të mbështjellë me renë e heshtjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.