2013-12-20 16:41:51

Atë Kantalamesa: t’i thyejmë ‘qelqet e dyfishta” të indiferencës e të kujtohemi për të varfërit


Misteri i mishërimit, parë me sytë e Shën Françeskut të Asizit, ishte në qendër të vëmendjes në predikimin e fundit të Kohës së Ardhjes, mbajtur sot paradite në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në praninë e Papës e të Kuries Romake. E mbajti, si zakonisht, predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa.

“Nuk e pranon plotësisht Krishtin, ai që nuk është i gatshëm ta pranojë të varfërin, me të cilin u njëjtësua vetë Zoti”. Iu kushtua varfërisë, parë përmes misterit të Mishërimit, reflektimi i Atë Kantalamesës. Nuk ka rëndësi vetëm të dish se Zoti u bë njeri, tha predikatari, rëndësi ka, sidomos, të kuptosh ç’tip njeriu u bë. Për Shën Françeskun, Krishti u bë i varfër. Fjala Hyjnore e pranoi të varfërin, të përvuajturin, të munduarin deri në atë pikë, sa të njëjtësohej me të:
“Të varfërit janë këmbët e Jezusit. I varfëri është, edhe ai, një ‘mëkëmbës i Krishtit”, zëvëndës i Krishtit. Mëkëmbësi kuptohet në mënyrë pasive, jo aktive. Jo në kuptimin se çka bën i varfëri, është si ta bënte Krishti, por në kuptimin se atë që ia bën të varfërit, është njëlloj si t’ia bësh Krishtit”.
Nuk është e rastit, prandaj, theksoi kapuçini, që Gjoni XXIII, me rastin e Koncilit II të Vatikanit, përdori shprehjen “Kisha e të varfërve”. Kishë, së cilës i përkasin të gjithë të varfërit e botës, të pagëzuar a të papagëzuar. Varfëria, vuajtja, mundimi, është pagëzimi i tyre, pagëzim gjaku. Prandaj, Kisha e Krishtit është shumë më e madhe, sesa e paraqesin statistikat:
“Prej këndej rrjedh se Papa, mëkëmbës i Krishtit, është vërtet atë i të varfërve, bari i kësaj grigje të panumërt; e është gëzim e nxitje për mbarë popullin e krishterë, kur shikon sesi papët e fundit e kanë marrë me gjithë zemër këtë rol, me letrat e shumta shoqërore; e në mënyrë të posaçme Bariu, që është ulur sot në katedrën e Pjetrit”.
Pikërisht Papën Françesku dhe Nxitjen e tij Apostolike “Evangelii Gaudium”, kujtoi Predikatari i Shtëpisë Papnore, duke krijuar më pas figurën qelqeve të dyfishta:
“I shikojmë të varfërit duke lëvizur, duke u sticuar, duke uluritur pas ekraneve televizive, ose në faqet e revistave misionare, me sytë, që flasin, që thonë gjithçka. Po britma e tyre arrin në veshët tanë nga larg, shumë larg. Nuk na depërton në zemër. E ndjej këtë brenda shpirit tim dhe e them me shqetësim e turp. Fjala ‘të varfërit’ ose ‘ekstrakomunitarët” në vendet e pasura shkaktojnë atë ndjesi, që u shkaktonte romakëve të lashtë britma ‘barbarët, barbarët!’; shkaktojnë shqetësim, panik”.
Ashtu siç qahemi e protestojmë, e me të drejtë, për fëmijët, që nuk lejohen të dalin në dritë, për pleqtë, të gjymtët, që mbyten me eutanazi, ashtu duhet të bëjmë edhe për fëmijët, që lindin, për të vdekur pa hedhur mirë shtat, nga uria e nga sëmundjet, për fëmijët e detyruar të rrokin armët, të vrasin e të vriten, për interesa, të cilat i njohim fare mirë ne, njerëzit e vendeve të pasura. Ose për pleqtë, që vdesin të etur e të uritur, që shuhen nën dëborë e akull, që braktisen në fatin e tyre. Ne, të krishterët, nuk mund të rrimë duarkryq e të presim t’i shpëtojë shteti, me ligjet e veta, duke ndryshuar zakonet e njerëzve:
“Gjëja e parë, që duhet bërë për të varfërit, është t’i thyejmë qelqet e dyfishta, t’i japim fund indiferencës, pandjeshmërisë. Të na shqetësojë prania e tyre mes nesh. Edhe kjo diçka do të ishte. Ajo, që duhet bërë konkretisht për të varfërit, mund të përmblidhet në tri fjalë: t’i duam, t’i ndihmojmë, t’i ungjillëzojmë”.
Por të varfërit, vijoi predikatari, nuk meritojnë vetëm mëshirën tonë; meritojnë edhe admirimin tonë, janë kampionë të vërtetë humaniteti. Janë, siç na mëson Papa Françesku, vëllezërit tanë:
“Pikërisht vëllazërimi është kontributi i posaçëm, që mund të japë feja e krishterë për të forcuar paqen e luftën kundër varfërisë, gjë që na e kujton tema e Ditës së ardhshme botërore të paqes; ‘Vëllazërimi, themel e udhë për paqen!”.
Pas detyrës për t’i respektuar të varfërit, vjen detyra tjetër, më e rëndësishmja: t’i ndihmojmë. Por sot nuk mjafton më lëmosha. Problemi i varfërisë është bërë planetar:
“Ta zhdukësh ose ta ngushtosh hendekun shkandullues ndërmjet të pasurve e të varfërve është detyra më urgjente, që mijëvjeçari i dytë ia la trashëgim të tretit; shpresojmë se i treti nuk do t’ia lërë përsëri këtë barrë të rëndë mbi shpinë, mijëvjeçarit, që do të vijë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.