2013-12-18 15:40:47

Papa në audiencën e përgjithshme: kush kapardiset e nuk ulet për t’u shërbyer vëllezërve, është pagan


Në atmoferën e ndritshme të Krishtlindjes, që tashmë troket në porta, Papa Françesku na kujton se Zoti ulet në Tokë, në botën reale, për të banuar në historinë tonë, me dramat e veta, e për të na ngritur përsëri në këmbë, nga mjerimet, vështirësitë, mëkatet. Edhe sot, me mijëra besimtarë e turistë, ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, për audiencën e fundme të përgjithshme të vitit 2013, viti i parë i papnisë së Françeskut.

Lindja e Jezusit, në qendër të vëmendjes. Parë si festë e besimit, festë e shpresës, që e mposht paqartësinë e pesimizmin, pohoi Papa, e shtoi:
“Zoti është me ne e vijon të na besojë. Bujar, Hyu Atë, apo jo? Zoti vjen të banojë me njerëzit, zgjedh tokën si banesë, për të ndenjur bashkë me njeriun e për të hyrë në jetën e tij, atje ku i kalon ditët me gaze e me helme”.
Por ka diçka edhe më mahnitëse:
“Prania e Hyjit në mes të njerëzimit nuk realizohet në një botë ideale, por në botën reale, me ngjarje të mira e të këqija, me përçarje, ligësi, varfëri, prepotencë e luftë. Ai zgjodhi për banesë historinë tonë, kështu, siç është, me gjithë barrën e kufizimeve të veta e të dramave të veta”.
Hyji është përkrah nesh:
Jezusi është Hyu-me-ne; gjithnjë e përgjithmonë me ne, në vuajtje e dhimbje të historisë. Lindja e Jezusit është dëftim. Tregon se Zoti u radhit një herë e përgjithmonë përkrah nesh, për të na shpëtuar, për të na ngritur përsëri në këmbë nga pluhuri i mjerimit tonë, i vështirësive tona, mëkateve tona”.
Ja, pra, dhurata më e madhe e Krishtit Fëmijë...:
energjia shpirtërore; na e sjell Ai; energji, që na ndihmon të mos mbytemi në detin e mundimeve të përditshme, në dëshpërimet tona, në trishtimet tona, sepse energjia e ngroh, e shndërron zemrën”.
E Papa Françesku vijon të rrezatojë shpresë, nësa flet për festën e madhe. Zoti, pohon, dëftohet jo si dikush, që rri lart e sundon universin. Ai ulet, zbret mbi tokë, i vogël e i varfër e, prej këndej, në se duam të jemi si Ai, nuk duhet ta vëmë veten përmbi të tjerët:
Sepse është gjë e keqe kur shikon se një i krishterë nuk do të ulet, nuk dëshiron të shërbejë, kur një i krishterë kapardiset kudo shkel: e shëmtuar kjo, apo jo? Ky nuk është i krishterë. Është pagan!”.
E nëse Hyji, përmes Jezusit e deshi njeriun aq, sa të bëhej një nga ne ...:
“... do të thotë se çdo gjë që ia bën vëllait a motrës, ia ke bërë Atij”.
Në përfundim të audiencës, Papën, që posa kishte përqafuar disa njerëz të gjymtë, e përshëndeti grupi Musical Viva la gente, përbërë nga të rinj nga mbarë bota. Të rinjtë intonuan “Happy birthday”- “Gëzuar ditëlindjen”, me rastin e 77-vjetëve, që Papa i mbushi dje. Ati i Shenjtë mori, pastaj, prej delegacionit austriak, kryesuar nga ipeshkvi i Lincit, imzot Ludvig Shvarc, një fener, “Dritën e paqes”, ndezur në Shpellën e Betlehemit. Dhurata tjetër ishte nga Argjentina e tij. Një grup shtegtarësh, ardhur nga atdheu i largët, i dhuruan një shishe me “mate”, pije tradicionale argjentinase. Së fundi, priti edhe skuadrën e tij të zemrës, futbollistët e Shën Lorencit, që sivjet fituan Kupën. Natyrisht edhe ata me një dhuratë simbolike: fanellën kuq e blu, ku shkruhej; “Francisco Campeon”. Vërtet simbolike kjo dhuratë.








All the contents on this site are copyrighted ©.