2013-12-17 09:49:24

Portret i Jorge Mario Bergoglio, në 77-vjetorin e ditëlindjes: të varfërit, në krye të vendit, parë me sytë e Krishtit


Horhe Mario Bergolio, ish-kardinal-kryeipeshkëv i Buenos Ajres, Papa i parë jezuit e i pari Papë, që erdhi nga Amerika Latine, mbushi sot 77 vjeç. Zgjodhi emrin Françesk. Moton ipeshkvnore “Miserando atque eligendo”, që përmbledh ngjarjen ungjillore të thirrjes së publikanit mëkatar, Mateut: “E pa me mëshirë dhe e zgjodhi”. e mori nga një Homeli e Shën Bedës së Nderuar. Stema, përveç motos, ka në qendër, mbi fushën blu, monogramin e Krishtit, paraqitur në formën tipike të jezuitëve.
“Si do t’i përgjigjeshit pyetjes: ‘Kush jeni ju?”, i pati thënë një gazetar Papës Françesku dy vjet më parë. E ai “Horhe Mario Bergolio, meshtar”. Kjo përgjigje flet shumë për personalitetin e Papës Françesku. Njeri i përvuajtur e i thjeshtë. Gjithnjë, në çdo vend, në çdo kohë, në çdo pozitë. Dje, si meshtar e ipeshkëv; sot, si Pasardhës i Shën Pjetrit.

Horhe Mario Bergolio lindi në Buenos Ajres më 17 dhjetor 1936, në një familje me origjinë piemonteze. I ati, Mario, ishte nëpunës hekurudhash; e ëma, Rexhina, shtëpijake. Që në moshë të re, Papa i ardhshëm u dallua për thjeshtësi ungjillore, natyrë të ëmbël e sjellje të përzemërt me të gjithë.

Horhe studioi e u diplomua si teknik kimik, por pastaj zgjodhi rrugën e meshtarisë e hyri në Seminarin e Vilës Devoto. Prej këndej, bëri noviciatin në Shoqërinë e Jezuitëve. Kreu studimet në shkencat klasike, në Kili e, më 1963, duke u kthyer në Buenos Ajres, mori laurën në filozofi, në Kolegjin e Madh “San Hosè” të San Miguel.
Nga gjysma e viteve ’60, studioi edhe në Gjermani e, pastaj, dha mësim në Kolegjin e Zojës së Papërlyer në Santa Fè. Mësimin e të njëjtave lëndë e dha edhe në Kolegjin e Shëlbuesit, në Buenos Ajres.
Si argjentinas i mirë, i pëlqen shumë tangoja e futbolli: edhe sot e kësaj dite është tifoz i Shën Lorencit, një nga klubet e kryeqytetit.

Në dhjetor 1969 u shugurua meshtar; katër vjet më pas, bëri kushtet e përjetshme. Në korrik të të njëjtit vit, vetëm 37 vjeç, Papa Françesku u zgjodh Provincial i Jezuitëve të Argjentinës, detyrë që e kreu për shtatë vjet. I impenjuar në dialogun ekumenik, dashuronjës i kulturës e, sidomos, i letërsisë klasike, i kushtoi vëmendje të veçantë emigrantëve, grave e fëmijëve, posaçërisht atyre, që janë më nevojtarë.
Në vitin 1992, një nga çastet më të rëndësishme të jetës së tij: Papa Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv–ndihmës të Buenos Ajres. Prelati fitoi menjëherë admirimin dhe dashurinë e besimtarëve, për thjeshtësinë e jashtëzakonshme të jetës dhe risinë e misionit. I pëlqen të dialogojë, deri me fëmijët, siç po e shikojmë ditë për ditë.
Më 28 shkurt 1998, Papa Françesku u bë kryeipeshkëv i kryeqytetit të Argjentinës e do të ishte, më pas, për disa vjet, kryetar i episkopatit argjentinas. I lumi Vojtila e krijoi kardinal në vitin 2001, me titullin e Robert Belarminit.
Ndryshojnë veshjet, ndryshon ngjyra e kësulës, po ai nuk ndryshon. Mbetet bariu i njerëzve të varfër, zë i atyre, që nuk kanë zë; fytyrë e atyre, që nuk kanë fytyrë. Shkon në punë me mjete publike, i vë të varfërit në krye të vendit, rrëfen në katedrale, si të ishte prift i thjeshtë, i panjohur, ndërsa njerëzit e njohin gjithnjë më shumë, e kërkojnë gjithnjë më tepër. Si ipeshkëv, e edhe si kardinal, nuk ka frikë t’i përballojë institucionet, kur bëhet fjalë për të mbrojtur dinjitetin njerëzor: e ngre fort zërin kundër abortit, shfrytëzimit të grave, kundër korrupsionit e dhunës. Njëkohësisht nënvizon se Kisha nuk duhet të joshet kurrë nga madhështia. Një figurë, që e përmbledh gjithë këtë e që është skalitur në zemrën e shumëkujt, e paraqet Horhe Mario Bergolion në gjunjë, duke puthur këmbët e një vajze, të sëmurë nga kanceri. Sivjet e pamë duke u puthur këmbët dymbëdhjetë vetëve, gjatë kremtimit të së Enjtes së Madhe.
Papa Françesku e dëshmoi përvujtërinë e tij ungjillore në çdo rast, në çdo vend!
E këtë përvujtëri e solli me vete edhe në Vatikan, kur ishte relator i përgjithshëm në Sinodin e vitit 2001, e ku pohoi me forcë se ipeshkvi është i thirrur të jetë shenjt e nuk duhet t’ia ndajë kurrë sytë Krishtit. Ose kur, nëntë vjet më parë, mori pjesë në Konklavin, që zgjodhi Benediktin XVI. Për Papën Françesku, ungjillëzimi duhet të jetë burim shprese, siç nënvizoi në një intervistë, para pesë vjetësh:
“L’evangelización de Jesús, dar esperanza …
Ungjilli i Jezusit duhet t’i japë shpresë kësaj bote, kaq të mbyllur në vetvete. Duhet t’i japë shumë shpresë, sepse ka vërtet nevojë. T’ia çosh Jezu Krishtin botës, me të vërtetën e tij. Sfida e mirëfilltë është të predikosh Ungjillin”.
Në bazë të jetës së tij, të veprimtarisë së tij si Bari, siç do të rrëfejë ai vetë në një intervistë dhënë ndonjë vit më parë, ashtu si në bazë të të gjithë përvojës së krishterë, nuk është një ideologji. Është mrekullimi i takimit me Jezusin, mrekullia e Vetjes së Tij. Njeri me përshpirtëri të thellë, duke folur me një gazetar për mrekullitë, pati pohuar: “Jam njëmendjeje me Manzonin, që thotë: “Nuk kam gjetur askund që Zoti të ketë nisur një mrekulli, e të mos e ketë përfunduar mirë”.
Një frazë, që tani tingëllon gati si urim për ditëlindjen e Atij, që e shpalosi menjëherë programin: “Ec, ndërto, dëshmo!”. “Kush nuk i lutet Zotit, i lutet djallit, sepse kur nuk dëshmohet Krishti, dëshmohen dredhitë tokësore të djallit, dredhitë e Demonit”.
Që në takimin e parë me gazetarët, të shtunën, më 16. 03. 2013, Papa Bergolio shpjegoi pse e zgjodhi emrin Françesk: “Sepse do të desha një Kishë për të varfërit, që të mbrojë paqen e të jetë plot vëmendje për Krijesën”- nënvizoi.
Ky, pra është Papa Françesku, të cilin një rregulltare e thjeshtë e Zojës Ngushëlluese, e pikturoi veshur me zhgunin e zemrës, me përparësen e zemrës, të vënë në shërbim të të gjithëve, për një Kishë që shërben, mbi të gjitha; një Kishë që nuk e ka për turp t’i ndotë duart, nuk ka frikë të thotë të vërtetën, edhe atëherë kur kjo e vërtetë i godet në zemër njerëzit e pushtetshëm, që shikojnë vetëm përfitimin e tyre, vetëm të drejtat e tyre, të cilat i mbrojnë fort, duke shkelur pa turp e pa frikë mbi të drejtat e të tjerëve! Mendoj se kjo zgjedhje ishte shembull i madh për mbarë njerëzimin, edhe për ata, që janë thirrur të qeverisin, në ndonjë farë mënyre. Shoqëria jonë nuk ndryshohet me forcë, nuk nënshtrohet me dhunë. Nuk është dhuna, ajo që e bën më njerëzore, më të drejtë. Shoqëria bëhet më njerëzore vetëm me dashuri, me shërbim, me dhurim të vetvetes! Gëzuar ditëlindjen, Atë i Shenjtë! Njëqind vjet për Ju janë pak!







All the contents on this site are copyrighted ©.