Papa: nuk i shërbejmë Ungjillit për fitim personal. Gjithçka kemi është për të varfërit
Në Kishë, të gjithë duhet të mësojnë se Ungjillit i shërbehet pa kërkuar lavdi e fitime
personale. Një nga shtyllat, mbi të cilat mbështetet magjisteri i Papës Françesku,
spikat ndërmjet rreshtave të Mesazhit të gjatë, që Ati i Shenjtë i dërgoi sot Urdhërit
të së Shenjtnueshmes Trini, në 800-vjetorin e vdekjes së themeluesit, shën Huan de
Mata dhe, në 400-vjetorin e vdekjes së reformatorit, shën Gjon Baptisti i Zojës së
Papërlyer. Të dy, protagonistë të një jete të qetë e të sigurtë, pasi pranuan thirrjen
e Zotit, e ndryshuan krejtësisht ekzistencën, në favor të nevojtarëve. Për Papën Françesku,
ky është shembull për t’u imituar: të dy shenjtorët, shkruan, ditën ta përballonin
sfidën, që u shtrohej përpara, ditën ta mohojnë vetveten, ta marrin mbi supe Kryqin
e Krishtit e ta lenë veten krejtësisht në duart e Zotit, që Ai t’i udhëhiqte. Si ata,
vazhdon Ati i Shenjtë, të gjithë jemi të thirrur ta provojmë gëzimin, që rrjedh nga
takimi me Jezusin, duke kapërcyer egoizmin e duke shkuar me guxim në të gjitha anët,
ku ndjehet nevoja e dritës së Ungjillit. Papa kujton se si, në shekuj, Urdhëri
i së Shenjtnueshmes Trini ka qenë “shtëpi e të varfërve, vend ku shëroheshin plagët
e trupit e të shpirtit, së pari me lutje e pastaj me impenjimin pa kushte dhe me shërbimin
pa interes e plot dashuri. Trinitarët, shkruan Ati i Shenjtë, e kanë të qartë se në
Kishë, çdo përgjegjësi apo autoritet duhet jetuar si shërbim. Prandaj, puna jonë,
thekson Papa Françesku, duhet zhveshur nga çdo dëshirë për fitim personal, duke i
përdorur talentet e dhuruara prej Zotit për të ndihmuar të varfërit. Këta janë shumë,
vazhdon Papa, i shohim çdo ditë e nuk mund ta kthejmë kryet nga ana tjetër, duke u
mjaftuar vetëm me fjalën e mirë. Krishti nuk pati bërë kështu. Mesazhi mbyllet me
kërkesën për lutje. Kur të luteni për Ipeshkvin e Romës, u thotë Ati i Shenjtë trinitarëve,
vendoseni emrin tim pranë të varfërve, që të mos i harroj, ashtu si nuk i harroi Jezu
Krishti, i cili i mbante thellë në zemër. I dërguar për t’u kumtuar atyre Lajmin e
Mirë, përmes varfërisë së Tij, na pasuroi të gjithëve.