2013-12-17 09:48:46

Papa Françesku kremton 77 vjetorin e ditëlindjes. Intervistë e atë Ortiz


Sot Papa Françesku kremtoi për të 77-tën herë, ditëlindjen. 77 vjet. Shtegtim i gjatë, kaluar më shumë në radhët e Shoqërisë së Jezuitëve, kryesisht në Argjentinë, ku formoi shumë rregulltarë të rinj, në gjurmët e Shën Injacit të Lojolës. Ata, që e patën në vend të babës gjatë viteve jo të lehta të formimit, nuk e harrojnë kurrë. Njëri prej tyre, nxënës, bashkëpunëtor e mik i Françeskut, sot është përgjegjës i programit spanjoll të Radio Vatikanit. Quhet atë E ftuam në mikrofonin tonë, për një njohje më intime të Horhe Mario Bergolios, kur nuk ishte ende Papë:

Përgjigje: - Natyrisht, ditëlindja është ditë, e cila ka në qendër të vëmendjes atë, që e kremton. Por një nga parimet shpirtërore të Papës Bergolio është pikërisht të mos jetë në qendër të vëmendjes, kurrë. Por nëse, për shembull, mund të përfitojë për të festuar me fëmijët, atëherë ndjehet i lum. E ky bëhet parim baritor. Nuk është thjesht prirje për të mos u dukur, siç bënte ndonjë vit më parë, kur nuk dëshironte të dukej në fotografi. Papa Françesku nuk dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes, edhe kur bëhet fjalë për veprimtari, që i mbështet. I pëlqen të punojë në heshtje, pa u dukur dora e tij. E kështu edhe për projekte të mëdha baritore. Tani këto gjëra njihen vetëm sepse për ta kanë folur të tjerët, që ishin me të, po nga goja e tij nuk kemi dëgjuar kurrë të flasë për veten, aq më pak, të krenohet. Kurrë!

Pyetje: - Pamë, të shtunën e kaluar, në takimin me fëmijët e dispanserisë së Shën Martës, një Papë të lumtur, pikërisht si fëmijë. I ndrinte fytyra mes fëmijëve, siç i ndrin gjithnjë, edhe kur duan të luajnë me të, kur ia marrin kësulën a kur e tërheqin fort për dore, siç bëjnë të gjithë fëmijët, që nuk dinë ç’ do të thotë të shtiresh...

Përgjigje: - Sigurisht, më vinë në mendje shumë gjëra, por sidomos, përvoja ime me të si famullitar. Papën Françesku e pata provincial, kur kërkova të hyj në Shoqërinë e Jezusit e, menjëherë pas kësaj, ai u bë formues. Në Kolegjin e Madh (me shtrirje 10 hektarë), hapi portën, për të dalë drejt e në lagjet përqark. Me të, si famullitar, shkuam në këto lagje, për të takuar njerëzit. Kishim një ‘porosi’ të posaçme: “T’i bënim fëmijët të lumtur”, t’i kërkonim për katekizëm e të vizitonim edhe të sëmurët e lagjes. Secili nga ne kishte hapësirën e vet për të punuar me njerëzit e këtyre lagjeve popullore, ku shumica e banorëve ishin punëtorë. Papa Bergolio thoshte: “Këtë vit t’ia kushtojmë ‘Besojmës’ apo ’Urdhërimeve të Tënzot?”. E kështu me radhë, pa harruar kurrë se sfida kryesore baritore ishte t’i bënim njerëzit, e sidomos fëmijët, të lumtur. Për këtë organizuam një kamp shkollor për fëmijët, lojëra të veçanta në Ditën e fëmijës, që kremtohet nga pak kudo. Ishte diçka e jashtëzakonshme, sepse fëmijët që merrnin pjesë ishin 5 mijë, e kishin ushqim e lojëra; kishim edhe teatrin. Bënim gjëra të mëdha, duke punuar së bashku – e kjo ishte motoja e rëndësishme, nën udhëheqjen e famullitarit. Kujtoj disa fotografi: ai vinte me ne, kur lëviznim nga një vend, në tjetrin. Në Kolegjin e Madh, që ishte shumë i hapët, atë e gjeje gjithnjë mes të rinjve. E ishte i lumtur, kur i bënte të lumtur. Ishim studentë; mësuam shumë jo vetëm gjatë leksioneve të filozofisë ose të teologjisë në universitet, por edhe e sidomos, në famulli, që ishte shkollë e vërtetë. Një mrekulli!

Pyetje: - Kërkues e i mëshirshëm: baba. Ja si e shikojnë tani të gjithë në Romë e në botë. A ishte kështu edhe 40 vjet më parë?

Përgjigje: - Kjo është figura, që kam në kujtesë. Është diçka personale e dua ta tregoj pikërisht si përvojë personale në formimin tim: ai, që njoha, është burrë i vërtetë; shumë njerëzor, me një ndjenjë të jashtëzakonshme atësie, sepse ishte formues, edukator. Formimi ishte provë për të njohur Shoqërinë e për të kuptuar nëse ishim të aftë për rregulltarë jezuitë. Ai ishte tejet kërkues, vërtet! Po nuk më braktisi kurrë. Nuk kishte frikë të kërkonte, si bëjnë shumë prindër, ose si shumë priftërinj, që thonë: “Nëse kërkoj gjë nga ky njeri, druhem se do ta humbas miqësinë e tij, ose dashurinë e tij”. Ai nuk e kishte këtë frikë, ishte pranë teje, e nuk të linte në baltë në orën e provës. Vinte me ty. E një sjellje të tillë nuk mund të mos e lavdëroja e ta ndjeja fort në shpirt. Ai, që shikoja më parë, ashtu si të gjithë njerëzit, ishte atë. E kështu e shikoja, si atë. Tani e shikoj si Papë. E falënderoj për gjithçka bëri për mua, e për tërë të tjerët e dëshiroj të jetë përherë e më shumë atë i të gjithëve, t’u dhurojë të gjithëve dashurinë e Hyjit Atë, përmes dashurisë së tij. E falënderoj shumë Papën Françesku në emër të punonjësve të Radios. E falënderoj sepse, përmes figurës së tij, dëgjojmë thirrjen e shikojmë dashurinë, mëshirën, dhimbsurinë e vetë Zotit.









All the contents on this site are copyrighted ©.