2013-12-17 09:49:49

Krishtlindja, në kryevepra proze: “Gjithçka mund të ndryshojë” (XV)


Sot në rubrikën “Krishtlindja, në kryevepra proze”, ftesa për të ëndërruar së bashku një botë të re, ku do të pushojë Shpirti i Zotit, Shpirti i urtisë e i dijes, Shpirti i këshillave dhe i forcës, Shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Nga kjo botë mërgohet e keqja e lind dita e re, e shpresuar nga njerëzimi në shekuj. Nuk është botë përrallore. Është bota e përshkruar nga Izaia; është vegimi i Profetit, që paraflet ardhmërinë e fisit të Judës e të Jeruzalemit, në faqet e Biblës:
Atë ditë një filiz ka për të shpërthye në trung të Jeses: një pinjuell ka për të mugullue nga rrâjët e tija. Mbi tê ka për të pushue shpirti i Zotit, shpirti i dijes e i kuptimit, shpirti i këshillit e i qindresës, shpirti i njohjes e i frigës së Zotit. Ka për t’u mbushë me frymën e frigës së Zotit. Nuk ka për të gjykue simbas dukës e s’ka për të marrë vendime simbas fjalëve që ka ndie; por ka për të gjykue me drejtësí të vorfënt e ka për të marrë vendime të drejta për ata që janë të shtypun nga banorët e vendit. Fjala e tij ka për të kenë porsi shkop që ka për të goditë njeriun e pashpirtë: fryma e buzëve të tija ka për ta mbytë të mbrapshtin. Brezi i shtatit të tij ka për të kenë drejtësia, rrypi i ijeve të tija ka për të kenë besnikia.
Ujku ka për të jetue me kingj, pantera ka për t’u shtrî bri edhit; viçi e këlyshët e luanit kanë për të kullotë së bashkut e një fëmijë ka për t’u pri. Lopa e harusha kanë për të kullotë bashkë; bashkë ka për t’u shtrî pjella e tyne. Luani ka për t’u ushqye me sanë, sikursè kau. Kërthini ka për t’u argëtue në bira të shlligave; fëmija ka për të shtî dorën në vrimë të gjarpijve të helmatisun. Nuk kanë për të krye punë të padrejta as s’kanë për të plaçkitë ma në tanë malin shenjt temin, përsè urtia e Zotit ka për të mbushë vendin, ashtu si ujnat mbulojnë detin.
Në atë ditë rrâja e Jeses ka për t’u ngritë porsi flamur për popuj, fiset kanë për ta kërkue me të dhanun: trolli i sajë ka për të kenë i lumnueshëm”.
(Is. 11, 1-10)

Profeti i Besëlidhjes së Vjetër na kujton, kështu,
se gjithçka mund të ndryshojë.
E të ndryshojë për mirë.
Eja, prandaj, të ëndërrosh,
duke ecur me ne shtigjeve të Krishtlindjes.
Eja të shikojmë ëndrra me sy hapur,
ashtu si Profeti i Biblës.
Të ëndërrojmë se njeriu më s’egërsohet
për padrejtësitë, si gjarpëri.
Se tanket tashmë
janë kthyer në plore parmendash.
Skifterët e pëllumbat pushojnë
në degët e të njëjtit ulli,
si roje frymëmira të tokës.
Mjaft më me muret e turpit,
mjaft me raketa
që mbjellin farën e vdekjes,
që fluturojnë në qiell e vrasin yjet.
Veç ëndrrat s’mund t’i vrasin,
dhe pse kushtojnë tepër shtrenjt,
kur, qoftë dhe nëpër ëndrra,
sulmon drejt lartësish.
Sulm i rrezikshëm, që shpesh
paguhet me çmimin e jetës.
Por, mos ki frikë
dita do të vijë,
e ndoshta edhe ka ardhur,
kur të bardhë e të zinj do të jenë të barabartë,
e ndërsa dje këtë s’ mund as ta ëndërroje
sot ëndrra bëhet zhgjëndërr.
E Bota gojëhapur shikon
Zezakun në krye të kombit më të madh
e më të fuqishëm të tokës.
Pak kohë më parë kjo ish
veç regëtimë zemre,
ish e pamundur, dje .
E sot është realitet.
Eja t’ravgojmë pas ëndrrash:
në një botë ku gjithçka mund të ndryshojë!

Të ndërtojmë mbi shkëmb, natyrisht,
por të mos harrojmë
kokën ta ngrejmë dhe lart,
në qiellin pa fund e pa anë,
mbjellur me yje;
me galaksi, që të mahnitin
duke vallëzuar në gjithësi,
për lumni të Zotit!









All the contents on this site are copyrighted ©.