2013-12-17 15:29:41

Intervista e Papës Françesku me Atë Spadaron


A duhet të jemi optimistë?
Këto fjalë të Papës më kujtojnë disa përsiatje të tijat të së shkuarës, në të cilat kardinali i atëhershëm Bergoglio ka shkruar se Hyji jeton tashmë në qytet, i përfshirë gjallërisht mes të gjithëve dhe i bashkuar me secilin. Sipas meje kjo është një tjetër mënyrë për të thënë atë që Shën Injaci ka shkruar tek Ushtrimet Shpirtërore: pra, Hyji “punon dhe vepron” në botën tonë. Atëherë i bëj këtë pyetje: A duhet të jemi optimistë? Cilat janë shenjat e shpresës në botën e sotme? Si mund të jemi optimistë në një botë në krizë?”.
“Mua nuk më pëlqen përdorimi i fjalës ‘optimizëm’, sepse shpreh një gjendje psikologjike. Më pëlqen më shumë të përdor fjalën ‘shpresë’, sipas asaj që lexojmë në kapitullin 11 të Letrës drejtuar Hebrenjve, që citova më lart. E shpresa nuk zhgënjen, siç lexojmë në Letrën drejtuar Romakëve. Por, mendo gjëegjëzën e parë të Turandot-së së Puccinit”, më thotë Papa.
Aty për aty kujtova përmendësh vargjet e enigmës së princeshës, që ka si përgjigje shpresën: Në natën e zymtë flatron një hije e ylbertë. / Ngjitet e me krahë valëvitet / mbi njerëzinë e zezë pa fund. / Gjithë bota atë e thërret / e gjithë bota i përhitet, / por hija, me agun, davaritet, / e rilind n’një zemër t’dlirtë. / Për çdo natë ajo lind / e për çdo ditë jep shpirt! Këto vargje zbulojnë dëshirën e një shprese që këtu, megjithatë, është e ylbertë e zhduket me agimin.
“Ja – vijon Papa –, shpresa e krishterë nuk është një hije e nuk gënjen. Është një virtyt teologal e, prandaj, përfundimtar, një dhuratë e Hyjit, që nuk mund të rrudhet në optimizëm, i cili është vetëm njerëzor. Hyji nuk e përgënjeshtron shpresën, nuk mund ta mohojë vetveten. Hyji është i gjithi premtim”.
Arti dhe krijimtaria
Më bën përshtypje citimi i Turandot-së, për të folur për misterin e shpresës. Dëshiroj të kuptoj më mirë cilat janë referencat artistike dhe letrare të Papës Françesku. I kujtoj se në 2006 ai ka thënë se artistët e mëdhenj dinë t’i paraqesin bukur realitetet tragjike dhe të dhimbshme të jetës. E pyes, atëherë, cilët janë artistët dhe shkrimtarët që i pëlqejnë; a ka diçka të përbashkët mes tyre...
“Më kanë pëlqyer shumë autorë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Më pëlqejnë shumë Dostojevski dhe Hëlderlini (Hölderlin). Nga Hëlderlini dëshiroj të kujtoj atë lirikën për ditëlindjen e gjyshes, lirikë e një bukurie të rrallë e që mua më ka bërë shumë mirë shpirtërisht. Ajo që mbyllet me vargun e mbajttë i rrituri çfarë premtoi fëmijë. Më ka bërë shumë përshtypje, sepse kam dashur shumë gjyshen time Rozën dhe aty Hëlderlini e përafron gjyshen e vet me Marinë, e cila ka lindur Jezusin, që për të është miku i kësaj toke, i cili nuk e ka parë askënd si të huaj. Kam lexuar tri herë librin Të fejuarit dhe e kam edhe tani mbi tryezë, për ta rilexuar. Kam marrë shumë nga Manxoni. Gjyshja ime, kur isha fëmijë, ma ka mësuar përmendësh fillimin e këtij libri: “Ajo degë e liqenit të Komos, e drejtuar kah jugu, mes dy vargmalesh të pandërprera...”. Edhe Zherar Manli Hopkins (Gerard Manley Hopkins) më ka pëlqyer shumë”.
“Në pikturë admiroj Karavaxhon: pëlhurat e tij më thonë shumë. Por edhe Shagali (Chagal), me Kryqëzimin e bardhë...”
Në muzikë më pëlqen Mozarti, sigurisht. Ajo Et Incarnatus est e Meshës në Do është e patejkalueshme: të çon drejt e tek Hyji! Më pëlqen Mozarti i ekzekutuar nga Clara Haskil. Mozarti më mbush plot: nuk mund ta mendoj, duhet ta dëgjoj. Bethovenin më pëlqen ta dëgjoj, por në mënyrë prometeike. E interpretuesi më prometeik, sipas meje, është Furtwängler (Furtvengler). E pastaj Mundimet e Bahut. Pjesa e Bahut, që më pëlqen fort është Erbarme Dich (Ki mëshirë), vajtimi i Pjetrit në Mundimin sipas Mateut. Madhështor. Pastaj, në një tjetër nivel, jo aq intim, më pëlqen Wagneri. Më pëlqen ta dëgjoj, por jo gjithmonë. Tetralogjia e qengjit e luajtur nga Furtwängler në ’50 në Scala është më e mira, sipas meje. Por edhe Parsifal e luajtur në ’62 nga Knappertsbusch”.








All the contents on this site are copyrighted ©.