2013-12-15 13:15:07

U paraqit Mesazhi i Papës për paqen. Imzot Tozo: vëllazërimi, sfidë për pollitikën e për të mirën e përbashkët


Të enjten, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit Meshazi i Papës Françesku për Ditën Botërore të paqes. Ndër temat, që u prekën nga të pranishmit: paqja në Siri, tensionet në Ukrainë dhe mbipopullimi i burgjeve.
“Pa vëllazërim – shkruan Ati i Shenjtë – bëhet i vështirë harmonizimi i dallimeve të ligjshme, falja e pajtimi; bëhet e vështirë edhe lufta kundër korrupsionit, evazionit fiskal egoist, mënjanimit dhe pabarazisë. Demokracia duhet të bazohet mbi vëllazërimin. Ai është pikë referimi edhe për skenarët aktualë të konflikteve dhe tensioneve”. Sekretari i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, imzot Mario Tozo dha menjëherë një shembull konkret. Nëse në janar 2014, në Konferencën e Gjenevës për paqen në Siri, palët do të flasin me gjuhën e vëllazërimit, ka shpresë për arritjen e zgjidhjes:
“Vëllazërimi na detyron pra, të kuptojmë se e mira, realizimi njerëzor i të tjerëve, është themelor edhe për mua. Është themelor. Prandaj, edhe në të gjitha konfliktet politike, nëse ngulet këmbë tepër në një këndvështrim të veçantë e nuk merret parasysh çfarë bashkon… ekziston rreziku që të mos arrihet kurrë e mira e përbashkët”.
Vëllazërimi bën të mundur kapërcimin e ndarjes së thellë, që vihet re shpesh ndërmjet klasës drejtuese dhe qytetarëve të thjeshtë. Por të gjithë janë të thirrur të kontribuojnë për të mirën e përbashkët, nënvizoi imzot Tozo, duke pasur parasysh situatën aktuale në Ukrainë, ku vazhdojnë tensionet ndërmjet qeverisë pro ruse dhe protestuesve filoevropianë:
“Parimi i vëllazërimit, si parim arkitektonik i jetës shoqërore, duhet të na nxisë të zbulojmë parimin e vetëvendosjes. Çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes e, si duhet zbatuar ky parim? Përmes dhunës? Më mirë me referendum. Ata, që mbushin sheshet, a do të kenë forcë, aftësi për të propozuar një referendum, në mënyrë që të zbatohet parimi i vetëvendosjes?”
Në zanafillën e varfërisë materiale, shpjegoi më tej imzot Tozo, qëndron varfëria e marrëdhënieve njerëzore. Është familja, qeliza e shoqërisë, burimi kryesor i vëllazërimit. Por dëshira e njerëzve për të qenë vëllezër, sado e zjarrtë të jetë, duhet të bazohet në Krishtin. Vërtet, nëse privohet nga transhendenca, i mungojnë themelet, pasi jemi vëllezër, sepse bij të të njëjtit Zot:
“Përgjegjësia për njëri-tjetrin bëhet më konkrete nëse jemi përgjegjës për tjetrin si për vëllain, për një person, që i përket të njëjtit njerëzim, si një që duhet ruajtur e duke e mbrojtur, bëhem më i mirë unë vetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.