2013-12-15 14:05:42

Shenjtorët e javës 16 – 22 dhjetor


Më 16 dhjetor përkujtohet Shën Adelajdja. Bija e mbretit të Burgonjës jetoi në shekullin X dhe u dallua për kujdesin ndaj të varfërve dhe të mënjanuarve. U lidh fort me lëvizjen për reformimin e manastirit benediktin të Klynisë, në Francë, i cili pati ndikim themelor për zhvillimet shpirtërore dhe kulturore të Evropës. Ndërtoi disa kisha e manastire. Themeloi, afër Strasburgut, manastirin e Peterlingenit, ku edhe kaloi vitet e fundit të jetës. Vdiq në vitin 999 dhe u shpall shenjtore në vitin 1097.
Më 17 dhjetor përkujtohen Anania, Misaeli e Azaria. Këto janë emrat e tre personazheve biblike të librit të Danielit, të njohur si Abdenego, Misak e Sidrak. Tre të rinjtë hebrenj, guvernatorë të Banilonisë, nuk pranuan të adhuronin një idhull pagan. U dënuan me djegie në furrë, por zjarri nuk i dëmtoi. Libriu i Danielit e përshkruan kështu ekzekutimin e tyre: “Shërbëtorët e mbretit, që i hodhën ata në furrë, nuk pushonin të hidhnin në të vaj toke, li, peshkve e rrozga. Flaka çohej përmbi furrë dyzet e nëntë kute.Shpërtheu e dogji edhe kaldenjtë që ishin përbri furrës. Ndërkaq, engjëlli i Zotit zbriti te Azaria e shokët e tij në furrë dhe e dëboi flakën e zjarrit nga furra e frynte në midis të furrës një freski vese. Zjarri aspak nuk i preku, as s’u shkaktoi dhimbje as trazim” (Dn 3,46-50).
Më 18 dhjetor përkujtohet Malakia profet. Libri i Malakisë mbyll Besëlidhjen e Vjetër me vargjet e fundit,që flasin për një lajmëtar të Zotit, i cili është dërguar për të rivendosur marrëdhëniet e drejta mes Hyjit dhe popullit të tij. Malakia jetoi në shekullin V para Krishtit, pas kthimit të izraelitëve nga shpërngulja babilonase. Rivendosja e riteve fetare pas rindërtimit të tempullit të Jerusalemit dukej shpesh e ftohtë dhe pa përmbajtje shpirtërore. Zëri i Malakisë denoncon cektësinë , largimin nga zoti dhe padrejtësinë. Ai shpall me forcë se rrugëdalja e vetme për popullin është përgatitja e takimit me Zotin. Mesazhi i tij është veçanërisht i përshtatshëm në këtë kohë të Ardhjes.
Më 19 dhjetor përkujtohet Shën Anastasi I, papë. Jetoi në Shekullin IV dhe luftoi herezitë donatiste në Afrikën veriore. U përfshi në diskutimet e gjalla teologjike të kohës së vet, por, nga letërkëmbimi i dendur me personalitete të spikatura, kanë mbetur vetëm pak shkrime.
Më 20 dhjetor përkujtohet Shën Liberati. Konsulli romak, nga familje fisnike, pasi njohu Krishtin, hoqi dorë nga karriera, nga politika dhe nga privilegjet e klasës së tij shoqërore, për të ndjekur jetën e re të dashurisë vëllazërore. U dënua me vdekje nën mbretërimin e perandorit Klaudi Gotik, nga fundi i shekullit III. Emri i tij latin do të thotë: “i liruar nga skllavëria”. Të krishterët e kanë interpretuar si liri nga skllavëria e mëkatit të paganizmit.
Më 21 dhjetor përkujtohet Shën Pjetër Kanizi, nga Nimega, Hollandë). U lind në familjen e kreut të qytetit të tij në 1951 dhe studioi të drejtë kishtare dhe civile në Këln. Shkon shpesh tek çertozinët e këtij qyteti dhe lexon ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit, që sapo ishin botuar. Këta e ndikojnë aq shumë, sa, pasi përfundon studimet dhe praktikën, hyn në Shoqërinë e Jezusit dhe është jezuiti i tetë që bën kushtet e përjetshme. Merr pjesë në Koncilin e Trentos ku, ndër të tjera, është edhe këshilltar i Papës. Papa Piu V i kërkon të bëhet kardinal, por Pjetër Kanizi i lutet të mos e ngarkojnë me një gjë të tillë. Pasi shërben në Itali e Gjermani, vdes në Zvicër më 21 dhjetor 1697.
Më 22 dhjetor është e diel, dita e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.