2013-12-15 15:14:52

Papa të varfërve, një dhuratë të vogël Këshndellash


Këto ditë, me rastin e Krishtlindjes, Lëmoshtari papnor, imzot Konrad Krajevski, do t’u bëjë një dhuratë të varfërve, në emër të Papës. Do ta marrin kryesisht skamnorët, që janë takuar me Atin e Shenjtë, ose ata, që vetë Françesku i ndjek e i ndihmon personalisht. Është fjala për 2000 zarfa, që do të shpërndahen në vendet, ku murgeshat e Nënë Terezës ushqejnë, veshin e mbathin falas njerëz të pastrehë e të pabukë. Do t’i shpërndajnë vetë motrat e bamirësisë, të ndihmuara nga vullnetarët, në shërbim të të pastrehëve natën, udhëve. Ose nga vetë Lëmoshtari papnor. Çdo zarf ka brenda pullën e Vatikanit, gati për t’u përdorur për urimet e Festës drejtuar familjarëve a miqve; ikonën e Krishlindjes, nënshkruar nga Papa, karta telefonike e bileta ditore për metropolitanën. Drejtoria e Atac (Agjencia Komunale e Transporteve e Romës) ofroi 4000 bileta ditore për metropolitanën; Posta e Vatikanit, pullat; Tipografia vatikanase, zarfat.








All the contents on this site are copyrighted ©.