2013-12-15 13:15:59

Kardinali Sodano: “Të njihet historia e martirëve të komunizmit, në Evropën Lindore”


Javës së kaluar, në Romë, Ambasada e Bullgarisë pranë Selisë së Shenjtë organizoi një simpozium me temë: “Kisha në Evropën Lindore gjatë komunizmit: ndërmjet martirëve e rezistencës së heshtur”. Historianë, gazetarë e rregulltarë folën mbi faqet më të errta të historisë së Kishës në Evropë, gjatë diktaturës komuniste, i njohën të pranishmit me përpjekjet e politikës ateiste për të kontrolluar të krishterët, katolikë e ortodoksë, për të futur agjentë në radhët e klerit, për t’i bërë laike festat e për të imponuar rite civile në vend të Sakramenteve. Faqe e errët, që shndritet nga qëndrimi heroik i Kishës e i besimtarëve, të cilët mbetën “besnikë të Zotit”, duke i dhënë krishterimit aradhe martirësh.
Qe dekani i kolegjit kardinalor, Anxhelo Sodano, ai që vuri në dukje se viktimat e Stalinit, sipas disa studimeve, arrijnë në 40 milion, ndër të cilët, shumë të persekutuar për fenë. “Historia – theksoi kardinali, që pati qenë Sekretar i Shtetit të Vatikanit gjatë papnisë së të Lumit Gjon Pali II, i cili u bënte thirrje popujve të mos kishin frikë e të shembnin muret – është mjeshtre e jetës. Prandaj, duhet të kontribuojmë për t’u bërë të njohur brezave të rinj një faqe të dhimbshme të popujve të Evropës Lindore, të privuar nga liria fetare e të dënuar të jetojnë përtej perdes së hekurt, që u ndalonte çdo lloj kontakti me vëllezër të tjerë në mbarë botën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.