2013-12-15 14:57:55

Botohet libri i Atë Zef Pllumit, me parathënie nga Berluskoni.


Parathënia e librit “Rrno për me tregue” botuar në italisht.
Nën titullin “Il Sangue di Abele – Vivi per testimoniare”, një nga librat më tronditës mbi diktaturën është përkthyer edhe në gjuhën italiane. Bëhet fjalë për “Rrno vetëm për me tregue”, i At Zef Pllumit, i cili i jepet publikut italian falë përkthimit të Keda Kacelit dhe botimeve “Diana”.
Libri paraprihet nga një parathënie e njërit prej figurave më të rëndësishme të politikës italiane, Silvio Berluskoni. Në këtë ftesë që ai i bën lexuesit, e vlerëson librin e At Zef Pllumit, si një vepër që nuk duhet t’i mungojë asnjë biblioteke, që shërben për t’u mësuar të rinjve se çfarë është komunizmit dhe se nëpër ç’kalvar vuajtjesh i është dashur të kalojë populli shqiptar, nën diktaturën e Enver Hoxhës.

Por, duket se lidhja e Berluskonit me emrin e At Zef Pllumit do të vijojë edhe më tej. Organizatorët e çmimit letrar “At Zef Pllumi”, që ndahet nga komuna e Shëngjinit, e kanë ftuar në Shqipëri. Qëllimi është pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi në fund të këtij muaji. Me gjithë përpjekjet e organizatorëve, pjesëmarrja ende nuk është konfirmuar nga ana e Berluskonit. Çmimi letrar “At Zef Pllumi” u nda për herë të parë më 19 dhjetor të vitit 2012. Të parët që merituan këtë trofe ishin Ismail Kadare, Spartak Ngjela, Rudolf Marku e Zija Çela.

Nga SILVIO BERLUSKONI
Ky libër i françeskanit shqiptar At Zef Pllumi është zbulesa e një bote të panjohur, por që na përket nga afër. Është e përlyer me gjak dhe lot, dhe shihet si urrejtja është në gjendje për më të keqen, përtej çdo imagjinate. Por, në fund është e pafuqishme; nuk arrin ta ndalojë dashurinë e jetuar deri në heroizëm. Nuk arrin të shuajë dëshirën për liri që ndjehet në faqet e këtij libri.

Sa varre duhet akoma të gërmojmë në kujtesën e popujve, për të gjetur të gjitha viktimat e komunizmit? Ky vëllim shumë domethënës që në titull “Rrno vetëm për me tregue” me thjeshtësinë e tij u jep zë të vdekurve, në vazhdën e të madhit Aleksandr Solzhenicyn. At Zef Pllumi thyen vitet e heshtjes dhe të vdekjes në kampet e internimit shqiptar me kurajën e atyre që e duan lirinë dhe luftojnë në emër të saj.

Ai hap zemrën tonë, zbrazëtinë tashmë të njohur, e rimbush me mallëngjim dhe indinjatë po pastaj – si të gjitha gjërat e vërteta – na prin drejt ndërtimit të diçkaje, udhëheq për të ndërtuar mirësinë dhe të drejtën. E vërteta është se dashuria është shumë më e fortë se urrejtja. Ky libër jo vetëm që duhet të jetë në të gjitha bibliotekat dhe të bëhet film, por duhet madje të rekomandohet për t’u lexuar në të gjitha shkollat italiane, në mënyrë që të rinjtë të arrijnë të kuptojnë disa të vërteta historike: çfarë është komunizmi që shihet në këtë vepër, si e merr pushtetin dhe si e administron në mënyrë të tmerrshme; çfarë vuajtjesh ka hequr populli shqiptar, në çfarë humnere gënjeshtrash dhe dhune ka qenë i zhytur; por edhe sa të fortë kanë qenë gratë dhe burrat që nuk e kanë ulur kurrë kokën, pavarësisht nga torturat që duruan mbi kurriz. Është e mundur të rezistohet.

Komunistët besuan se në pak vite i shkatërruan të gjitha besimet. Shqipëria e lidhur ngushtë me marksizëmleninizmit mbylli të gjitha kishat, duke u kthyer në një shtet ateist që dënonte me vdekje çdokënd që guxonte të pagëzonte fëmijët dhe t’u mësonte lutjet. Asnjëherë në historinë e Kishës nuk ishte parë diçka e ngjashme. Më vonë, por shumë më vonë, e njëjta gjë ndodhi në Kamboxhian e Pol Pot-it. E njëjta skemë, e njëjta dhunë çnjerëzore. Të ballafaquar me këtë turp, komunistët italianë kanë parë për shumë vite me simpati shokët ‘skiptarë’; qe një aleancë e trishtë pikërisht në muajt dhe vitet, në të cilat vrasësit në shërbim të tiranit Enver Hoxha tërhiqnin nëntë gramë plumb kokës gjithkujt që ishte i dyshuar. Ose, siç rrëfehet në libër, gratë i fusnin në një thes me mace të uritura, dhe pasi i mbyllnin grykën pësonin vdekje të tmerrshme mes të qeshurave të torturuesve komunistë. Disa mijëra shqiptarë ama, fshehurazi të admiruar nga shumëkush që heshturazi gjente veten tek ata, kanë guxuar t’i thonë “jo” despotizmit. Qëndresa e tyre me koston e torturave dhe vdekjes, është prova që nevoja për liri është e pandalshme. Kur despoti mendon se është tashmë pa kundërshtarë dhe duhet edhe një milimetër që të mbyllet kapaku me ulërimën metalike mbi çdo shpresë, ja që në mënyrë të mistershme forcat shpirtërore shkatërrojnë me dëshmitë e tyre perandorinë e errësirës.

Nuk mund të rri pa përmendur këtu redaktoren dhe përkthyesen e librit, të dashurën Keda Kaceli, krenisht shqiptare, aq sa italiane. Ajo i njeh nga përvoja e saj krimet e përshkruara këtu në libër, por dhe kurajën që përçon çdo rresht i këtij libri. Në fakt gjyshi i saj, Jonuz Kaceli, që nuk pranoi t’i dorëzohej padrejtësisë, u arrestua, u torturua dhe u pushkatua nga komunistët, vetëm sepse ishte intelektual dhe sipërmarrës liberal. Keda e rrok dëshminë në emër të brezit të ri, që jam i bindur, se do ta bëjë Shqipërinë gjithnjë e më të lirë, më të fortë, të drejtë e paqësore, një komb vëlla, më në fund i mirëpritur në demokraci dhe liri.

Marrë nga gazeta “Panorama”, 09. 12. 2013









All the contents on this site are copyrighted ©.