2013-12-13 17:17:25

Papa: të krishterët, alergjikë nga predikatarët, kritikojnë gjithnjë, pse e kanë shpirtin të mbyllur


Të krishterët, alergjikë nga predikatarët, nuk pushojnë duke i kritikuar, por në të vërtetë kanë frikë t’ia hapin portat Shpirtit Shenjt e, prej këndej, janë gjithnjë të trishtuar: e pohoi Papa sot paradite gjatë Meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës.
Në Ungjillin e sotëm, Jezusi e krahason brezninë e kohës së tij me fëmijët qaramanë, që nuk kënaqen kurrë, që nuk dinë të luajnë, që largohen me frikë nga të tjerët. Kur dikush luan një pjesë muzikore, ata nuk dinë të vallëzojnë, e, nëse këndohet ndonjë këngë e trishtuar, ata nuk dinë as të qajnë…nuk kënaqen asnjëherë, me asgjë. Papa Françesku shpjegoi se këta njerëz nuk e kanë shpirtin të hapur për fjalën e Zotit. Nuk mohojnë lajmin, po lajmëtarin. Nuk e pranojnë Gjon Pagëzuesin, sepse nuk ha as nuk pi, madje e quajnë njeri të pushtuar nga djalli. Pastaj nuk duan ta pranojnë as Jezusin, sepse ha e pi. Madje arrijnë ta akuzojnë si llups e pijanec, mik me publikanët e mëkatarët. E gjejnë përherë një arsye, për ta kritikuar predikatarin:
E ata, njerëzit e asaj kohe, iknin e kërkonin një fe tjetër, më të stërholluar: në normat morale, si grupi i farizenjve; në kompromiset politike, si saduçenjtë; në revolucionin shoqëror, si zelotët; në përshpirtërinë gnostike, si esenët. Ishin me sistemin e vet, krejt të pastër, fare të përkryer. Pranonin, pra, gjithçka, veç predikatarin, jo! E Jezusi ua kujton këtë: ‘Edhe etërit tuaj u sollën kështu me profetët’. Populli i Zotit ka një farë alergjie për predikatarët e Fjalës: profetët i persekutoi, i mbyti”.
Këta njerëz, pra, vijoi Papa, thonë se e pranojnë të vërtetën e zbulesës, por nuk e pranojnë as predikim e as predikatarin. U pëlqen më shumë një jetë e mbyllur në normat e tyre, në kompromiset e tyre, në planet e tyre revolucionare, ose në përshpirtërinë e tyre. Janë të krishterë, që nuk kënaqen kurrë nga fjalët e predikatarëve:
“Këta të krishterë, që janë të mbyllur, të ngujuar, këto të krishterë të trishtuar, nuk janë të lirë. Pse? Sepse kanë frikë nga liria e Shpirtit Shenjt, që vjen përmes predikimit. E ky është shkandulli i predikimit, për të cilin fliste Shën Pali: shkandulli i predikimit, që përfundon në shkandullin e Kryqit. Shkandullohen, pse Zoti na flet përmes njerëzve me kufizime. Njerëzve mëkatarë: shkandullohen! E shkandullohen edhe më shumë, pse Hyji na flet e na shpëton përmes një njeriu, që thotë se është biri i Zotit, e pastaj shkon e mbaron si të ishte kriminel. Kjo i shkandullon!”.
Këta të krishterë të trishtuar, pohoi Papa, nuk besojnë në Shpirtin Shenjt, nuk besojnë në lirinë, që buron nga predikimi, i cili të qorton, të mëson, madje edhe të shuplakon: por është pikërisht kjo liria, që e bën Kishën të rritet:
Duke i parë këta fëmijë, që kanë frikë të vallëzojnë, të qajnë, që dridhen nga gjithçka e nga gjithkush, që kërkojnë gjithnjë siguri, mendoj për ata të krishterë, që i kritikojnë predikatarët e së vërtetës, sepse kanë frikë t’ia hapin portën Shpirtit Shenjt. Të lutemi për ta, e të lutemi edhe për ne, që të mos bëhemi të krishterë të trishtuar, duke ia mohuar Shpirtit Shenjt lirinë për të hyrë në shpirtin tonë, përmes shkandullit të predikimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.