2013-12-13 17:19:44

Papa Françesku: Bredhi i Krishtlindjes, shenjë e gëzimit të Jezusit, që ndriçon botën


Edhe sot Jezusi vjen për ta davaritur errësirën e botës, me dritën e vet. Janë fjalët e Papës Françesku, frymëzuar nga Koha e Ardhjes, me të cilat priti e falënderoi, në Vatikan, delegacionin e shumënumërt, shtegtar nga Bavaria, në Romë, për të marrë pjesë, sot pasdite, në orën 16.30, në ndriçimin e Bredhit të Krishtlindjes, dhuruar pikërisht nga ky land gjerman.

Shtatë tonelata gjethimi, veshur me vezullime, me majën lartuar drejt qiellit, flasin vetë për zanafillën e dritës së madhe e cila, dymijë vjet më parë, i hapi botës rrugën e shpresës e të shëlbimit. Bredhi madhështor bavarez i Krishtlindjes, që sonte ndriçoi Sheshin, ku rreh zemra e krishterimit, ka pikërisht këtë vlerë simbolike. E Papa Françesku e nënvizoi, duke pritur 350 shtegtarët, mysafirë nga Bavaria, në Romë, një kurorë e vërtetë njerëzore, rreth Pemës së Dritës e të dritave. Vijon, kështu, nga viti në vit, kjo traditë e mrekullueshme, që ia kumton dritën e Krishtit mbarë botës, nga Sheshi i Shën Pjetrit:
Për Krishtlindje jehon përsëri ëmbëlsisht në të katër anët e botës kumti, që u dha engjëlli barinjve të Betlehemit: ‘Sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju Shëlbuesi, Krishti Zot!’. E këta barinj, na kujton Ungjilli, i mbështolli një dritë e madhe. Edhe sot Jezusi vijon ta davaritë errësirën e gabimit e të mëkatit, për t’i sjellë njerëzimit gëzimin e dritës flakëruese hyjnore, të cilën e simbolizon dhe e kujton Bredhi i Krishtlindjes”.
Kanë kaluar 30 vjet, që nga viti 1984, kur një Bredh tjetër i ardhur nga Gjermania, pati zbukuruar Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërsa Bredhi, që u ndriçua sonte, erdhi këtu nga Waldmünchen, Palatinati i Epërm. E bashkë me të erdhën në Vatikan edhe shumë bredha më të vegjël, që zbukurojnë tashmë mjediset e ndryshme të Selisë Apostolike:
“Me këto dhurata, shumë të këndshme, ju shprehët afërsinë shpirtërore e miqësinë, që lidh mbarë Gjermaninë, e posaçërisht Bavarinë, me Selinë e Shenjtë, në gjurmët e traditës së krishterë, që fekondoi kulturën, letërsinë e artin e Kombit tuaj e të mbarë Evropës”.
Kujtojmë se Bredhi, me diametër 98 cm e peshë 7,2 tonelata, është i lartë 25 metra. Sipas traditës, ishin punëtorët e Governatoratit të Vatikanit ata, që e zbukuruan për festë. Më pas, druri i bredhit, gjithnjë sipas traditës, do të përpunohet për të prodhuar sende të vogla të përdorimit të përditshëm dhe lojra, nga shitja e të cilave financohen shoqata bamirëse.








All the contents on this site are copyrighted ©.