2013-12-13 17:19:25

Imzot Parolin me Trupin Diplomatik: Kisha është e angazhuar për të ndërtuar të ardhmen me paqe e vëllazëri


“Duhet ta vërtetojmë se paqja është e mundshme, nuk është utopi”. Kështu tha sekretari i ri i Shtetit të Vatikanit Imzot Pietro Parolin në takimin e sotëm, në Vatikan, me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Imzot Parolin nënvizoi se Kisha, siç kërkon Papa Françesku, angazhohet me të gjithë për të ndërtuar familjen e vërtetë të njerëzore, ku dialogu fiton mbi luftën dhe kundërshtitë. Audienca qe edhe rast i volitshëm për Imzot Parolinin për të falënderuar ambasadorët për urimet që i kanë drejtuar me rastin e emërimit si Sekretar Shteti. Fjalimin përshëndetës e mbajti dekani i Trupit Diplomatik, ambasadori i Principatës së Monakos Jean-Claude Michel (Zhan Kold Mishel).
Në një periudhë në të cilën shumë zona të botës vuajnë nën plagët e luftës dhe të varfërisë, ju siguroj për “gatishmërinë time për të bashkëpunuar në kërkimin e paqes dhe të respektit të dinjitetit të çdo qenieje njerëzore”.
Bashkëpunimi. Është kjo fjala kyç e fjalimit të Imzot Parolin-it. Sekretari i Shtetit i bën jehonë temës qendrore të mesazhit të Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të paqes, duke folur për vëllazërinë dhe pohon se “nuk mund të jemi të pandjeshëm ndaj vuajtjes, që prek në mënyrë dramatike” shumë njerëz:
“Ne – bën thirrje Imzot Parolin – duhet ta vërtetojmë se paqja është e mundshme”, “nuk është utopi”. Paqja, thekson, është “një e mirë konkrete që vjen nga Hyji dhe që ne mund të ndihmojmë për ta ndërtuar me angazhimin tonë personal e solidar”. Për këtë arsye, “duhet të punojmë së bashku për ndërtimin e një kulture të vërtetë të paqes, duke iu përgjigjur me guxim sfidave që vënë në rrezik bashkekzistencën e vërtetë ndërmjet njerëzve dhe popujve”. Imzot Parolin përmend edhe lumturiunë, e cila, vëren, është “njëra nga aspiratat më të thella të njeriut”. Misioni diplomatik ka për detyrë të punojë për ta bërë botën më të lumtur, duke u kujdesur që marrëdhëniet të jenë gjithmonë më vëllazërore:
“Siç e ka shpjeguar disa herë Papa Françesku – thotë Imzot Parolin – të gjithë njerëzit janë krijuar për të gëzuar”. Është gëzimi i “takimit dhe ndarjes së të mirave, i dialogut dhe i pajtimit”. Dhe saktëson cili është njerëzimi që duhet të ndërtojmë së bashku:
“Një njerëzim, që është një familje e vërtetë, njerëzimin ku dialogu fiton mbi luftën, duke i vënë në vend kundërshtitë, njerëzimin ku forca e të fuqishmëve ndihmon ata që janë më të dobët, njerëzimin ku forca e të dobëtëve ndreq dobësitë e më të fortëve”. Ne e dimë, vijon Sekretari i Shtetit, sa shumë gratë dhe burrat e kohës sonë kanë nevojë të gjejnë në udhën e tyre njerëz me të vërtetë vëllazëror, që mund t’u japin “një shpresë për të ardhmen”. Papa Françesku, siguron Imzot Parolin, dëshiron që të krishterët të jenë njerëz të tillë.
“Ai dëshiron një Kishë që shpall dhe dëshmon gëzimin”. Një angazhim, kujton Imzot Parolin, që Papa “përsërit me ngulm” në Evangelii Gaudium. Papa Françesku dëshiron “një Kishë me dyer të hapura, simbol i dritës, i miqësisë, i gëzimit, i lirisë dhe mirëbesimit”. Dëshiron “një Kishë që shqetësohet më pak për të forcuar kifinjtë e saj, por që krijon mundësi për t’u takuar dhe përçon gëzimin e Ungjillit”. Në afërsi të Krishtlindjes Imzot Parolin u ka uruar ambasadorëve “paqe e gëzim”, që popujt e tyre ”të mund të përparojnë drejt një të ardhmeje më të mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.