2013-12-13 17:19:56

Fëmijët e ndihmuar nga Qendra bamirëse e Shën Martës presin me padurim vizitën e Papës Françesku


Papa Françesku do të vizitojë nesër paradite Qendrën bamirëse pediatrike të Shën Martës në Vatikan. Më pas, në Sallën Pali VI do të takohet me fëmijët, familjet e vullnetarët, që çdo ditë shërbejnë në këtë strukturë, e cila u është besuar Bijave të Bamirësisë të Shën Vinçenc de’ Paolit. Edhe Benedikti XVI e pati vizituar Qendrën më 30 dhjetor të vitit 2005. Të dëgjojmë përgjegjësen, motër Antonieta Kolaki:
“Në shpirtin e secilit prej nesh ka shumë gëzim e shumë hare, sepse është ngjarje e madhe… e dimë sa për zemër i ka të varfërit Papa Françesku. Ne u shërbejmë çdo ditë, me të vërtetë i shërbejmë Korpit të Krishtit. Edhe për Papën do të jetë bukur të rrijë në mesin tonë, në mesin e fëmijëve, që i do aq shumë. Ati i Shenjtë transmeton qetësi, buzëqeshja e tij të kënaq, të bën vërtet të lumtur”.
Aktualisht, Qendra e Shën Martës ndihmon rreth 270 familje. Fëmijët që strehohen aty vijnë nga të gjitha kontinentet. Gjatë vitit janë kryer mëse 3.500 vizita mjekësore, për të cilat kujdesen 22 mjekë e 25 vullnetarë të tjerë. Të dëgjojmë kolumbianin Havier Lièvano, prej 12 vjetësh, bashkëpunëtor i Qendrës:
“Duket si vepër e heshtur, por Qendra njihet nga të gjithë miqtë tanë, nga familjet, që trokasin në derën tonë. Ka ndihmuar mijëra fëmijë e familje. E kjo është e mrekullueshme! Ka rëndësi për ne të na njohin edhe ata, që nuk e dinë se ekzistojmë ndopak… Por, dalëngadalë, edhe kjo do të ndodhë!”








All the contents on this site are copyrighted ©.