2013-12-13 18:26:20

44 vjet më parë Papa Françesku shugurohej meshtar


Kanë kaluar 44 vjet, nga ajo ditë, kur Jorge Mario Bergoglio shugurohej meshtar i Shoqërisë së Jezusit: ishte 13 dhjetori i vitit 1969. Datë e paharrueshme për Atin e Shenjtë, që e ka kujtuar shumë herë, në fjalimet e tij, figurën e meshtarit. E, në vitet e gjata të meshtarisë pati përkrah shumë sivëllezër jezuitë, ndërmjet të cilëve, atë Miguel Yanez, jezuit argjentinas, sot drejtor i departamentit të teologjisë morale pranë Universitetit Gregorian. Atë Yanez studioi në Kolegjin e Shën Jozefit, në Shën Mikel të Argjentinës, nga viti ’77, deri në vitin ’79, kur ati i asokohshëm Bergoglio ishte provincial i jezuitëve e jetonte aty. E u takuan rishtas nga vitet ’81, në vitet 85, kur atë Bergolio u bë rektor i Kolegjit. Jezuiti teolog na kujton jetën e përditshme të kolegjit, studimin, por edhe çastet e prehjes, kaluar së bashku, në një intervistë, dhënë Radio Vatikanit. Ta ndjekim:

Përgjigje: - Ishte shumë pranë nesh, na nxiste për jetë serioze shpirtërore, në gjirin e bashkësisë së vëllezërve, të miqve, ku kishte edhe çaste prehjeje. Por kryesorja ishte gjithnjë nxitja për t’ua komunikuar Ungjillin të varfërve e për t’i ndihmuar konkretisht. Për mua qenë vite shumë të pasura me ngjarje, vite, që i kujtoj gjithnjë e që më hapën perspektiva, si për jetën time shpirtërore, ashtu edhe për kohën e studimit e mësimdhënies.

Pyetje: - A keni ndonjë kujtim të posaçëm për Françeskun, që e ruani në zemër?

Përgjigje: - Po, kam shumë, jo një. Kujtoj çaste nga më të ndryshmet, nga takimet me njerëzit, tek problemet, që nuk dinim si t’i përballonim. E atëherë gjenim në të dikë, që ishte në gjendje të na dëgjonte. Na mbështeste në këtë impenjim e na jepte edhe mjetet, për ta përballuar.

Pyetje: - Papa Françesku u emërua Personalitet i vitit nga revista “Time”. Ç’do të thotë kjo për ju? Si e pritët lajmin?
Përgjigje: - Mirë, natyrisht! Uroj që kjo t’i shërbejë vërtet misionit të tij. Unë kam njohur një atë Bergoglio, që fshihej nga mjetet e komunikimit, që nuk i pëlqente kurrë të dukej. Misioni i tij ishte i fshehur. E tani, pa e kërkuar ai vetë, ndodhet përballë botës që, mendoj, ka vërtet nevojë për një figurë të kësaj natyre, për një mesazh kaq të qartë e kaq rrënjosur, që është Ungjilli.







All the contents on this site are copyrighted ©.