2013-12-12 12:27:48

Ukrainë: Meshë e ipeshkvijve greko-katolikë në Sheshin Maidan, ndërmjet manifestuesve


Dje paradite, në Sheshin Maidan të Kievit, u kremtua një Meshë Shenjte, ndërmjet manifestuesve. Në përfundim, thirrja për ndihmë e solidaritet me të gjithë ata, që manifestojnë në shesh. Meshën e kremtuan ipeshkvijtë greko-katolikë të Ukrainës, të mbledhur këto ditë në Sinodin e përhershëm. Ngjarjen ia përcolli agjencisë Sir, imzot Sviatoslav Shevçuk, kryeipeshkëv i madh i Kievit, kryebari i Kishës greko-katolike ukrainase. Kisha, pohoi kryeipeshkvi, zgjodhi rrugën të jetë “me popullin” e, në këto ditë manifestimesh, vendosi t’i lërë hapur 24 orë portat e kishave të Kievit, ku vijon një garë e vërtetë solidariteti, me oferta për strehë e ushqim të ngrohtë, në këtë periudhë të vitit, kur temperaturat zbresin deri në 9 gradë nën zero. Në shesh, në një çadër fushore, është vendosur një kapelë me kryq e ikona, ndërsa priftërinjtë janë radhitur përkrah popullit. Ishte sekretari i Sinodit, ipeshkvi Bohdan Dzhiurak ai, që ua lexoi thirrjen manifestuesve. Ipeshkvijtë e sinodit shprehën pakënaqësinë e tyre për aktet e dhunës, kryer nga forcat e policisë dhe të ushtarakëve mbi manifestuesit në Sheshin e Pavarësisë. “Jemi thellësisht të prekur, shkruhet në thirrje, nga veprimet e forcave të sigurimit të shtetit në sheshin Maidan, në zemër të Kievit, kryer në errësirën e natës”. Prelatëtdënojnë haptas çdo përpjekje për kufizimin e të drejtave të qytetarëve, posaçërisht, të së drejtës për të manifestuar paqësisht. I mbështesin, prandaj, të gjithë ata, që vijojnë manifestimet dinjitoze në Sheshin Maidan, duke e dëshmuar këtë dinjitet para mbarë Kombit. Mbështesim me forcë karakterin paqësor të këtij tubimi civil dhe dënojmë çdo tip dhune, shkruajnë. Ta lusim Zotin e gjithëpushtetshëm të na japë paqe e drejtësi e të fitojë e vërteta për popullin tonë. Në këtë çast prove të rëndë, fjalët e Jezusit, që u shpallën në të gjitha kishat tona të dielën e kaluar, na japin shpresë e forcë: “Mos druaj, ki besim e do të shpëtosh!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.