2013-12-12 14:17:59

Papa Françesku: në heshtje, ndjejmë ëmbëlsinë e Zotit


Në këtë kohë përgatitjeje për Krishtlindje, do të na bëjë mirë pak heshtje, për të dëgjuar më mirë Zotin, që na flet me ëmbëlsinë e nënës e të babait: kështu tha sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Duke komentuar leximin e marrë nga Libri i Isaisë profet, Ati i Shenjtë vuri në dukje jo aq ç’thotë Zoti në këtë pjesë, por si e thotë, si të ishte një prind i mirë:
“Kur fëmija sheh një ëndërr të keqe, zgjohet e qan… babai i shkon pranë e i thotë: mos ki frikë, mos ki frikë, jam unë këtu. Kështu na flet Zoti. ‘Mos u tremb Jakob, he krimb, o burra të Izraelit’. Zoti përdor këtë mënyrë të foluri: afrohet… Kur shohim një nënë apo një baba, që i flasin të birit, vërejmë se edhe ata bëhen të vegjël e flasin me zërin e një fëmije e me gjestet e tij. Ndonjë, që i sheh nga jashtë, mund të mendojë: po këta qenkan qesharakë! Bëhen fare të vegjël, apo jo? Sepse dashuria e nënës dhe e babait ka nevojë të afrohet – po e them me këtë fjalë – të ulet deri në botën e fëmijës. Eh po: nëse babai e nëna do t’i flisnin normalisht, fëmija do ta kuptonte njëlloj, por ata duan të përdorin mënyrën e të folurit të të vegjëlve. I afrohen, bëhen fëmijë. Kështu është edhe Zoti”.
Teologët grekë, kujtoi Papa, e shpjegonin këtë sjellje të Zotit me një fjalë të vështirë: ‘synkatábasi’, që do të thotë se Zoti denjohet të ulet e të bëhet si njëri prej nesh:
“Pastaj, babai e nëna i thonë edhe gjëra pak si qesharake fëmijës: ‘Zemra ime, shpirti im…’ e fjalë si këto. Edhe Zoti thotë: ‘Jakob, he krimb’, pra, ‘ti je për mua një krimb i vogël, një gjë gati e padukshme, por të dua shumë e shumë’. Kjo është gjuha e Zotit, gjuha e dashurisë së atit e të nënës. Fjala e Zotit! Po, ta dëgjojmë ç’na thotë, por edhe të shohim si e thotë. E ne duhet të bëjmë ç’bën Zoti, të bëjmë ç’na thotë e ta imitojmë si e thotë: me dashuri, me ëmbëlsi, duke i denjuar vëllezërit”.
Duke përmendur takimin e Elisë profet me Zotin, Papa nënvizoi se Hyji është, siç thuhet në tekstin origjinal, ‘një fill zëri i heshtjes’, që afrohet me dashuri, pa bërë bujë. Jezusi shkon drejt vdekjes, pa protestuar, që njeriu të jetojë:
“Kjo është muzika e gjuhës së Zotit e ne, në përgatitje të Krishtlindjes, duhet ta dëgjojmë: do të na bëjë shumë mirë. Normalisht, Krishtlindja duket festë shumë e zhurmshme: do të na bëjë mirë pak heshtje, për të dëgjuar fjalët e dashurisë, këto fjalë afërsie, këto fjalë ëmbëlsie… ‘Ti je krimb, por unë të dua shumë!’. Të krijojmë pra, heshtje në këtë kohë, gjatë së cilës, siç thotë prefacioni, ne jemi vigjilentë, në pritje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.